Arabia Saudite thotë se s’do të lidhë marrëdhënie me Izraelin, nëse ai s'e njeh shtetin palestinez

Azia

Arabia Saudite thotë se s’do të lidhë marrëdhënie me Izraelin, nëse ai s'e njeh shtetin palestinez

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 14:53
Flamuri i Arabisë Saudite përkrah atij izraelit në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Arabia Saudite u ka thënë Shteteve të Bashkuara se nuk do të lidhë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, nëse ai nuk e njeh pavarësinë e Palestinës sipas kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet të saj, tha të mërkurën Ministria e Jashtme saudite.

Ajo iu referua një shteti të cilin palestinezët kanë shumë që synojnë ta themelojnë përkrah Izraelit në territoriret e uzurpuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967: Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, dhe Rripin e Gazës.

Arabia Saudite bëri thirrje po ashtu që “agresioni izraelit” kundër Rripit të Gazës të ndalet dhe forcat izraelite të tërhiqen nga territori palestinez.

Shtetet e Bashkuara kishin ndërmjetësuar për disa muaj bisedime mes Arabisë Saudite dhe Izraelit për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e vendit derisa shpërtheu lufta në Gazë në tetor, e cila bëri që Riadi të tërhiqej për shkak të zemërimi arab me ofensivën e Izraelit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili është duke e vizituar rajonin, tha se Princi i Kurorës Mohammed bin Salman e ka “përsëritur interesimin e fuqishëm të Arabisë Saudite për të biseduar për normalizimin” kur ata të takohen këtë javë.

“Por, ai e bëri të qartë atë qe e kishte thënë më parë, në mënyrë që të arrihet kjo nevojiten dy gjëra: përfundimi i konfliktit në Gazë dhe një rrugë e qartë dhe e besueshme për themelimin e një shteti palestinez”, tha Blinken.

Të martën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Kirby, tha se administrata Biden ka marrë përgjigje pozitive se Arabia Saudite dhe Izraeli janë të gatshme t’i vazhdojnë bisedimet për normalizim.

Ministria e Jashtme saudite tha në komunikatë se “Mbretëria ia ka bërë të qartë SHBA-së qëndrimin e vet të prerë se nuk do të ketë marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, nëse një shtet i pavarur palestinez nuk njihet sipas kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet të vetin”.

Lufta në Gazë e ka kthyer vëmendjen kah ideja për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se e kundërshton themelimin e një shteti palestinez.

Vendet si Shtetet e Bashkuara dhe Britani e Madhe e kanë përsëritur mbështetjen e tyre për një zgjidhje me dy shtete.

Së fundmi, sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, tha se do të vijë koha kur Britania do ta shqyrtojë njohjen e shtetit palestinez, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat