Ushtria izraelite thotë se 21 ushtarë të saj u vranë nga një sulm në Gazë

Azia

Ushtria izraelite thotë se 21 ushtarë të saj u vranë nga një sulm në Gazë

Më: 23 janar 2024 Në ora: 10:00
Ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite ka thënë të martën se 21 ushtarë të saj janë vrarë në Rripin e Gazës, duke e konsideruar këtë si sulmin më vdekjeprurës ndaj forcave të saj në luftën tremujore kundër Hamasit.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Rezervistët kanë qenë duke përgatitur mjete shpërthyese për t’i shkatërruar dy ndërtesa në qendër të Gazës, të hënën, kur një militant ka lëshuar granatë në tankun e afërt, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Shpërthimi i ka aktivizuar mjetet shpërthyese, duke rezultuar me rrëzim të ndërtesave teksa ushtarët kanë qenë brenda.

Numri i madh i të vdekurve mund të shënojë momentum të ri në thirrjet për Izraelin që të pauzojë ofensivën apo edhe t’i japë fund asaj.

Numri i madh i të vdekurve në anën e ushtrisë, ka rritur presionin ndaj Qeverisë izraelite që t’iu japë fund luftimeve.

Kryeministri izraelit Benjamin Nentanyahu është zotuar se do të çojë përpara ofensivën derisa Izraeli të shkatërrojë Hamasin dhe të lirohen 100 pengjet që po mbahen në Gazë.

Mirëpo izraelitët janë të ndarë, në atë nëse mund të realizohen këto dy synime.

Familjet e pengjeve dhe shumë mbështetës të tyre, i kanë bërë thirrje Izraelit të arrijë marrëveshje armëpushimi, pasi koha po ec.

Të hënën, dhjetëra familjarë të pengjeve kanë hyrë në ndërtesën e Parlamentit izraelit, duke kërkuar marrëveshje për të mundësuar lirimin e më të dashurve të tyre.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.

Disa janë liruar ndërkohë.

Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat