LIVE: Sulmohet anija e marinës amerikane dhe anijet tregtare në Detin e Kuq – ndërkohë shtohet trysnia ndaj Izraelit!

Azia

LIVE: Sulmohet anija e marinës amerikane dhe anijet tregtare në Detin e Kuq – ndërkohë shtohet trysnia ndaj Izraelit!

Nga: Bota sot Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 07:35 Përditësuar në ora: 22:01 më 03.12.2023
Gaza

Izraeli dhe Libani shkëmbejnë zjarr përgjatë kufirit për të tretën ditë me radhë

Forcat izraelite dhe militantët e Hezbollahut shkëmbyen zjarr përgjatë kufirit Izrael-Liban të dielën, për të tretën ditë radhazi. Izraeli tha se disa ushtarë kishin mbetur të plagosur, pas përfundimit të armëpushimit me militantët e Hamasit në Gazë.

Ushtria izraelite tha se ushtarët e saj u plagosën lehtë kur një raketë antitank e gjuajtur nga Libani goditi një automjet në zonën Beit Hillel, në veri të Izraelit.

Forcat izraelite u kundërpërgjigjën duke goditur me artileri, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, tha se kishte si objektiv një sërë pozicionesh izraelite.

Pas fillimit të luftës Hamas-Izrael më 7 tetor, Hezbollahu ka kryer sulme pothuajse të përditshme me raketa mbi pozicionet izraelite në kufi, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore dhe artilerie në jug të Libanit.

Por kufiri ishte kryesisht i qetë gjatë një armëpushimi njëjavor në Gazë, që mori fund të premten.

Këto kanë qenë luftimet më të ashpra që nga lufta e vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut, një aleat i Hamasit.

Në Liban, rreth 100 persona është njoftuar se kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve, 83 prej tyre luftëtarë të Hezbollahut. Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga të dyja anët e kufirit.

Sulmohet anija e marinës amerikane dhe anijet tregtare në Detin e Kuq

Një anije luftarake amerikane dhe disa anije tregtare u sulmuan të dielën në Detin e Kuq, njoftoi Pentagoni. Rebelët huthi të Jemenit morën më vonë përgjegjësinë për sulmet ndaj dy anijeve që i cilësuan si të lidhura me Izraelin, por nuk pranuan të kenë sulmuar anijen e Marinës së Shteteve të Bashkuara.

Rasti mund të përfaqësojë një përshkallëzim të mundshëm pas disa sulmesh detare në Lindjen e Mesme të lidhura me luftën Izrael-Hamas.

“Jemi në dijeni të njoftimeve për sulmet ndaj USS Carney-it dhe anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe do të japim informacion sapo të jetë e mundur ”, i tha Pentagoni agjencisë së lajmeve Associated Press.

USS Carney është një destrojer i klasit Arleigh Burke. Nuk është e qartë se çfarë dëmi mund të ketë pësuar anija nga sulmi.

Ushtria britanike tha më herët se ka patur sulme të dyshuara me dronë dhe shpërthime në Detin e Kuq, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Pentagoni nuk tha se nga gjykohet se ishte kryer sulmi. Sidoqoftë, zëdhënësi ushtarak i huthive, Gjeneral Brigade Yahya Saree, tha se anija e parë u godit me raketë dhe e dyta nga një dron, ndërsa gjendeshin në Ngushticën Bab el-Mandeb, që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit. Ai tha se anijet nuk kishin përfillur paralajmërimet që zyrtarët huthi kishin bërë përpara sulmit.

Zoti Saree nuk përmendi përfshirjen e një anijeje luftarake amerikane në këto sulme.

“Forcat e armatosura jemene vazhdojnë t’ua ndalojnë anijeve izraelite lundrimin në Detin e Kuq (dhe Gjirin e Adenit) derisa të ndalet agresioni izraelit ndaj vëllezërve tanë në Rripin e Gazës”, tha ai. “Forcat e armatosura jemene e përsërisin paralajmërimin e tyre ndaj anijeve izraelite, apo ato të lidhura me izraelitët, se do të bëhen objektiv legjitim nëse shkelin atë çka parashikon kjo deklaratë”.

Zoti Saree identifikoi anijen e parë të sulmuar si transportuesin me flamur të Bahamas, Unity Explorer, në pronësi të një firme britanike ndër zyrtarët e së cilës është edhe Dan David Ungar, i cili jeton në Izrael. Anija e dytë e transportit është me flamur të Panamasë, Number 9, e lidhur me kompaninë Bernhard Schulte Ship Management. Gazetarët nuk arritën të vendosin kontakt me drejtuesit e kompanive të dy anijeve.

Mediat izraelite e identifikuan zotin Ungar, si djalin e miliarderit të transportit detar Abraham “Rami” Ungar.

Huthitë kanë bërë një seri sulmesh në Detin e Kuq, si dhe kanë lëshuar dronë dhe raketa drejt Izraelit ndërsa vazhdon lufta.

Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se sulmi filloi rreth orës 10 të mëngjesit në Sanaa, të Jemenit dhe se vazhdoi për rreth pesë orë. Një tjetër zyrtar amerikan, që gjithashtu foli në rrethana anonimiteti, tha se USS Carney interceptoi të paktën një dron gjatë sulmit.

Linjat e transportit ndërkombëtar të mallrave janë bërë gjithnjë e më tepër objekte sulmi, ndërsa lufta Izrael-Hamas rrezikon të shndërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal, megjithë armëpushimin që ndali përkohësisht luftimet dhe gjatë të cilit Hamasi shkëmbeu pengje me të burgosur palestinezë që mbaheshin nga Izraeli. Përfundimi i armëpushimit dhe rifillimi i sulmeve ndëshkimore ajrore izraelite, si dhe ofensiva tokësore, kanë rritur rrezikun e sulmeve detare.

Më herët gjatë nëntorit, huthitë kapën një anije transporti makinash të lidhur me Izraelin, në Detin e Kuq pranë Jemenit. Rebelët vazhdojnë ta mbajnë këtë anije në qytetin port Hodeida. Raketat ranë pranë një tjetër anijeje luftarake amerikane javën e kaluar, pasi ajo ndihmoi një anije të lidhur me Izraelin që u kap për pak kohë nga persona të armatosur.

Sidoqoftë, huthitë nuk patën sulmuar amerikanët prej disa kohësh, duke e shtuar tashmë rrezikshmërinë e konfliktit detar në rritje. Në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara përdorën raketat me vetëdrejtim Tomahawk për të shkatërruar tre objekte radarësh në territorin e kontrolluar nga huthitë, si kundërpërgjigje për raketat që niseshin në atë kohë drejt luftanijeve amerikane.

Zyrtarët e lartë amerikanë i bëjnë trysni Izraelit të mbrojë civilët në Gazë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron po qëndron në Katar në përpjekje për të arritur një tjetër armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Zyrtarët amerikanë ndërkaq po vazhdojnë të ushtrojnë trysni ndaj Izraelit që të mbrojë jetën e civilëve në Gazë, ndërsa luftimet po intensifikohen.

Ushtria izraelite thotë se ka zgjeruar operacionet e saj tokësore në çdo territor të Gazës.

Izraeli u zotua se operacionet kundër Hamasit në pjesën jugore të Gazës do të ishin “po aq të fuqishme” sa ofensiva në veri të Gazës. Palestinezët në Gazë thonë se nuk kanë më ku të shkojnë për tu strehuar.

Ushtria izraelite thotë se në jug të rajonit janë fshehur shumë udhëheqës të Hamasit.

Sot ushtria urdhëroi evakuimin e më shumë zonave në dhe rreth qytetit të dytë më të madh të Gazës, Khan Younis.

Bombardime të rënda u njoftuan gjatë natës dhe të dielën në qytetin Khan Younis si dhe në pjesën veriore të Gazës, ku deri më tani janë zhvilluar luftimet më të ashpra.

Shumë nga 2.3 milionë banorët e territorit janë grumbulluar në jug, pasi forcat izraelite urdhëruan civilët të largoheshin nga veriu në ditët e para të luftës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin shprehu vërejtjet më të forta deri më tani mbi nevojën që Izraeli të mbrojë civilët në Gazë.

“Në këtë lloj lufte, popullata civile është qendra e gravitetit. Nëse i shtyui civilët në krahët e armikut ju arrini që të zëvendësoni një fitore taktike me një disfatë strategjike. Unë ua kam bërë të qartë udhëheqësve të Izraelit në mënyrë të përsëritur se mbrojtja e civilëve palestinezë në Gaza është një përgjegjësi morale dhe një përparësi strategjike”, tha të shtunën Sekretari Austin ndërsa i drejtohej Forumit të Sigurisë Kombëtare Reagan në shtetin e Kalifornisë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi pas thirrjeve të vazhdueshme amerikane që të ketë kujdes me civilët duke thënë se vendi i tij nuk ka asnjë dëshirë të dëmtojë civilët.

Të dielën, ushtria izraelite zgjeroi urdhrat e evakuimit në dhe rreth qytetit Khan Younis, duke u kërkuar banorëve të së paku pesë zonave dhe lagjeve të tjera, që të largoheshin për hir të sigurisë së tyre.

Banorët thanë se ushtria izraelite hodhi afishe duke i urdhëruar ata të lëviznin në jug në Rafah ose në një zonë bregdetare në jugperëndim. “Qyteti Khan Younis është një zonë e rrezikshme lufte”, thuhej në afishe.

Kryeministri Netanyahu megjithatë e bëri të qartë se cili është qëllimi i Izraelit ndërsa lufta vazhdon.

“Për të përfunduar misionin e shenjtë të kthimit të të gjithë pengjeve, për të eliminuar Hamasin dhe për të siguruar që Gaza të mos ketë kurrë më një ent që edukon fëmijët e saj për terrorizëm dhe që bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, ne vazhdojmë të luftojmë me të gjitha forcat tona. Për këtë po përgatiteshin luftëtarët tanë gjatë armëpushimit, për një fitore të plotë ndaj Hamasit”, thotë kryeministri Netanyahu.

Luftimet janë intensifikuar. Krahu ushtarak i Hamasit, Brigada Al Qassem lëshoi një deklaratë ku njoftoi se ka bombarduar Tel Avivin me një mori raketash si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite.

Në spitalin e qytetit Khan Younis në Gazë janë dërguar një mori të plagosurish të përgjakur, viktima të bombardimeve izraelite.

Të dielën forcat izraelite publikuan pamje të atyre që thonë se janë 800 hyrje tunelesh që çojnë në rrjetin e gjerë nëntokësor të bunkerëve të Hamasit. Izraeli thotë se shumë prej tyre ndodheshin në zona civile si nën shkolla, xhami, kopshte dhe kënde lojërash ndërsa kanë shkatërruar më shumë se gjysmën e tyre.

Para se të fillonte lufta, Hamasi kishte deklaruar se kishte ndërtuar qindra kilometra tunele, një rrjet aq i gjërë sa në madhësi mund të krahasohet me sistemin e metrosë së Nju Jorkut. Hamasi thotë se kishte ndërtuar tunelet për të shërbyer si baza operative.

Ndërkaq kanë vazhduar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Presidenti francez, Emmanuel Macron po qëndron në Katar.

Ai u takua me Emirin e Katarit, Al Thani me të cilin diskutoi për përpjekjet e vazhdueshme që të arrihet një armëpushim tjetër.

Jo zyrtarisht bëhet me dije një ekip i shërbimit të inteligjencës izraelite, Mossad është kthyer të shtunën në Katar për të vazhduar bisedimet për arritjen e një pauze të re në luftime.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari u përqëndruan në lirimin e mundshëm të kategorive të reja të pengjeve izraelitë, përveç grave dhe fëmijëve, dhe parametrat e një armëpushimi, të cilat sipas një burimi anonim që ka folur me agjencinë e lajmeve Reuters ndryshonin nga marrëveshja e armëpushimit që mori fund të premten.

Palët kanë akuzuar njëra tjetrën për fundin e armëpushimit me Izraelin që thotë se Hamasi refuzoi të lirojë të gjitha gratë që mbante, ndërsa një zyrtar palestinez tha se mospajtimet u rritën për shkak se Hamasi refuzoi të lironte pjesëtaret gra të ushtrisë izraelite që janë marrë peng më 7 tetor.

Gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit Hamasi vrau 1200 njerëz dhe 240 të tjerë i morën peng. Të dhënat e Hamasit thonë se mbi 15 mijë palestinezë janë vrarë gjatë luftimeve që pasuan sulmin e 7 tetorit.

Izraeli zgjeron urdhrat për evakuim ndërsa po zhvendos ofensivën e tij në Gazën jugore

Ushtria izraelite të dielën urdhëroi evakuimin e më shumë zonave në dhe rreth qytetit të dytë më të madh të Gazës, Khan Younis, pasi e zhvendosi ofensivën e saj në gjysmën jugore të territorit, ku sipas ushtrisë, janë fshehur shumë udhëheqës të Hamasit.

Bombardime të rënda u raportuan gjatë natës dhe të dielën në qytetin Khan Younis dhe në qytetin jugor Rafah, si dhe në pjesën veriore që ishte në qendër të fushatës së ashpër ajrore dhe tokësore të Izraelit.

Shumë nga 2.3 milionë banorët e territorit janë grumbulluar në jug, pasi forcat izraelite urdhëruan civilët të largoheshin nga veriu në ditët e para të luftës.

Me rifillimin e luftimeve, pothuajse u shuan shpresat se mund të negociohej një tjetër armëpushim i përkohshëm. Një armëpushim njëjavor, i cili skadoi të premten, mundësoi lirimin e dhjetëra pengjeve izraelitë dhe të huaj të mbajtur në Gaza dhe palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

“Ne do të vazhdojmë luftën derisa të arrijmë të gjitha qëllimet dhe është e pamundur të përmbushen ato synime pa operacionin tokësor”, tha në një fjalim të shtunën në mbrëmje kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Të dielën, ushtria izraelite zgjeroi urdhrat e evakuimit në dhe rreth qytetit Khan Younis, duke u kërkuar banorëve të të paktën pesë zonave dhe lagjeve të tjera, që të largoheshin për hir të sigurisë së tyre.

Banorët thanë se ushtria izraelite hodhi afishe duke i urdhëruar ata të lëviznin në jug në Rafah ose në një zonë bregdetare në jugperëndim. "Qyteti Khan Younis është një zonë e rrezikshme lufte”, thuhej në afishe.

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara thanë në një raport të publikuar përpara urdhrave të fundit të evakuimit se ata që u ishte thënë të largoheshin përbënin rreth një të katërtën e territorit të Gazës, shtëpia e gati 800,000 njerëzve para luftës.

Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Izraelit, e ka paralajmëruar Izraelin që të shmangë zhvendosjet e reja masive.

Ushtria izraelite tha të dielën se avionët dhe helikopterët e saj “goditën objektivat terroriste në Rripin e Gazës, duke përfshirë tunelet, qendrat e komandës dhe depot e armëve” gjatë natës, ndërsa një dron vrau pesë luftëtarë të Hamasit.

Në Gazën veriore, ekipet e shpëtimit me pak pajisje po përpiqeshin të dielën të gërmojnë nëpër rrënojat e ndërtesave në kampin e refugjatëve Jabaliya dhe lagje të tjera në qytetin e Gazës, në kërkim të të mbijetuarve të mundshëm dhe trupave të të vrarëve.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi tha të shtunën se numri i përgjithshëm i vdekjeve që nga fillimi i luftës më 7 tetor është mbi 15,200. Ministria nuk bën dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve, por tha se 70 për qind e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Ajo tha se më shumë se 40,000 njerëz janë plagosur që nga fillimi i luftës.

Thirrjet e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e civilëve u shtuan pasi një ofensivë në javët e para të luftës shkatërroi zona të mëdha të Gazës veriore. Pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës është e grumbulluar në gjysmën jugore të territorit. Vetë Rripi i Gazës në kufi me Izraelin dhe Egjiptin në jug, është i mbyllur, duke u lënë banorëve mundësinë e vetme për të lëvizur brenda Gazës për të shmangur bombardimet.

“Shumë palestinezë të pafajshëm janë vrarë. Sinqerisht, shkalla e vuajtjes së civilëve dhe imazhet dhe videot që vijnë nga Gaza janë shkatërruese”, u tha gazetarëve të shtunën nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, në Dubai.

Mark Regev, një këshilltar i lartë i kryeministrit Netanyahu, tha se Izraeli po bën "përpjekje maksimale" për të mbrojtur civilët dhe ushtria ka përdorur afishet, thirrjet telefonike dhe transmetimet në radio dhe televizion për t'i nxitur banorët e Gazës të lëvizin nga zona të veçanta. Ai shtoi se Izraeli po shqyrton krijimin e një zone të veçantë sigurie.

Izraeli thotë se synon operativët e Hamasit dhe fajëson militantët për viktimat civile, duke i akuzuar ata se veprojnë në lagje të banuara. Ai pretendon se ka vrarë mijëra militantë, pa dhënë prova. Izraeli thotë se të paktën 78 ushtarë të tij janë vrarë gjatë ofensivës në veri të Gazës.

Bombardimet të shtunën shkatërruan një bllok prej rreth 50 ndërtesash banimi në lagjen Shijaiyah të qytetit të Gazës dhe një ndërtesë gjashtëkatëshe në kampin urban të refugjatëve Jabaliya në skajin verior të qytetit, tha zyra e OKB-së për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare.

Më shumë se 60 njerëz u vranë në sulmet në Shijaiyah dhe më shumë se 300 mbetën nën nën rrënoja, thanë vëzhguesit, duke cituar Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze.

Në bisedimet me Presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi, nënpresidentja Harris tha se "në asnjë rrethanë Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga rripi i Gazës ose Bregu Perëndimor, rrethimin e Gazës ose ndryshimin e kufijve të rajonit", thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Lufta filloi pasi një sulm i 7 tetorit nga Hamasi dhe militantët e tjerë la pas vetes rreth 1200 të vrarë, kryesisht civilë, në jug të Izraelit. Rreth 240 persona u morën peng.

Armiqësitë e ripërtërira kanë shtuar shqetësimet për 137 pengje, të cilët ushtria izraelite thotë se janë ende në duart e militantëve, pas 105 të liruarve gjatë armëpushimit të fundit. Izraeli liroi 240 palestinezë gjatë armëpushimit. Shumica e të liruarve nga të dyja palët ishin gra dhe fëmijë./VOA

IDF ka krijuar "mekanizmin e dekonfliktit" të Gazës me kërkesë të SHBA

Nga: A.Sh

Izraeli ka krijuar një mekanizëm dekonflikti për të parandaluar që punonjësit e të drejtave të njeriut dhe civilët në Gaza të kapeshin nga zjarri i kryqëzuar i luftimeve të IDF-së që synonin Hamasin.

“Ne jemi duke punuar shumë ngushtë me ambasadorin [SHBA] [David] Satterfield dhe ekipin e tij, si dhe me OKB-në. Ne kemi një mekanizëm dekonflikti që kemi krijuar”, thotë një zyrtar izraelit për The Times of Israel.

Satterfield, i cili shërben si i dërguari i administratës Biden për situatën humanitare në Gaza, tha në fillim të këtij muaji se Izraeli i ishte përgjigjur një kërkese të SHBA-së për të krijuar një "mekanizëm dekonflikti" për të siguruar më mirë mbrojtjen e punonjësve humanitarë mes sulmeve të vazhdueshme të IDF në Gaza.

“E kuptuam dhe i lamë përshtypje Izraelit se duhej bërë më shumë. Duhej të ekzistonte një mekanizëm i vetëm i koordinuar, funksional i dekonfliktit. Ndodh në zona të tjera konflikti dhe duhet të ndodhë tani”, tha David Satterfield në një webinar më 17 nëntor të organizuar nga faqja e lajmeve Al-Monitor.

Duke shpjeguar idenë e mekanizmit të dekonfliktit, një zyrtar amerikan i tha The Times of Israel në fillim të këtij muaji se një oficer i IDF do të ngarkohet me koordinimin midis organizatave humanitare dhe trupave në terren, në mënyrë që këto të fundit të mos synojnë zonat ku punonjësit e ndihmës janë duke operuar.

Përpjekjet për dekonflikt deri më sot nuk ishin thjeshtuar, duke çuar në disa raste ku punonjësit e ndihmës dhe civilët u dëmtuan në mënyrë të panevojshme, tha një zyrtar amerikan javën e kaluar.

“Ne morëm mësime nga operacionet tona në veri të Gazës dhe po i zbatojmë ato”, thotë zyrtari izraelit. “Civilët do të jenë në gjendje të marrin trajtim humanitar dhe mjekësor në zona dhe strehimore pa sulme”.

“Përveç spitalit fushor jordanez që tashmë funksionon në Gaza, ne po lehtësojmë ndërtimin e disa spitaleve të tjera fushore”, shton zyrtari.

Më shumë se 30 të vrarë ndërsa sulmet ajrore izraelite intensifikohen në jug të Gazës

Nga: A.Sh

Më shumë se 30 persona janë vrarë në sulmet ajrore izraelite mëngjesin e sotëm që synuan zonat në qytetet jugore të Khan Younis dhe Rafah.

"Që nga mbrëmja e kaluar, sulmet ajrore të vazhdueshme kanë dëmtuar pjesën më të madhe të anës lindore të Khan Younis me banorët që janë urdhëruar me një ton kërcënues që të evakuohen në anën perëndimore të qytetit ose në qytetin Rafah," tha Hani Mahmoud i Al Jazeera, duke raportuar nga brenda shiritit.

“Por ndërsa njerëzit filluan të largoheshin nga Rafahu, ata u bombarduan, duke konfirmuar faktin se nuk ka vend të sigurt në Gaza”.

Qindra banorë janë ende të bllokuar në zonat e Khan Younis që ishin në shënjestër pasi rrugët kryesore që çojnë në pjesë të tjera të qytetit ose më në jug janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, shtoi ai.

Në veri, punonjësit e shpëtimit nxorrën të paktën 10 trupa nga nën rrënojat pasi sulmet izraelite shkatërruan 50 shtëpi.

Kushtet e spitalit të Gazës janë ‘të paimagjinueshme’

Nga: A.Sh

Kushtet në spitalin al-Nassar në Gazën jugore janë “përtej joadekuate”, tha shefi i OBSH-së pas një vizite në objektin mjekësor në enklavën e rrethuar.

Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të shtunën se objekti ishte i mbushur me 1,000 pacientë - mbi trefishin e kapacitetit të tij - me pacientë që mbushnin "çdo cep".

“Pacientët po kujdeseshin në dysheme, duke bërtitur nga dhimbja,” tha Ghebreyesus. “Këto kushte janë përtej joadekuate – të paimagjinueshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor.

Nuk mund të gjej fjalë aq të forta për të shprehur shqetësimin tonë për atë që po shohim.”

IDF thotë se tunelet, qendrat e komandës së terrorizmit dhe depot e municioneve goditën gjatë sulmeve gjatë natës në Gaza

Nga: A.Sh

IDF thotë se forcat ajrore kryen sulme gjatë natës, duke goditur tunele, qendra komanduese, depo municionesh dhe vende të tjera të lidhura me trupat terroriste të Gazës.

Përveç kësaj, një qelizë terroriste u “eliminua” nga një dron, i drejtuar nga trupat në terren, thotë ushtria.

Ushtria thotë gjithashtu se marina bombardoi objektivat e lidhur me Hamasin, duke përfshirë infrastrukturën ushtarake, anijet e lidhura me forcat detare të Hamasit dhe dyqanet e armëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat