Arabët izraelitë arrestohen për shkak të postimeve në rrjetet sociale rreth Gazës

Azia

Arabët izraelitë arrestohen për shkak të postimeve në rrjetet sociale rreth Gazës

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 14:04
Dalal Abu Amneh

Dhjetëra qytetarë arabë të Izraelit janë arrestuar në lidhje me postimet në rrjetet sociale për luftën në Gaza.

Mes tyre është edhe një këngëtare dhe influencuere e njohur nga Nazareti, Dalal Abu Amneh, i cila u mbajt në paraburgim nga policia për dy ditë përpara se të lirohej të mërkurën me kusht. Ajo tani është në arrest shtëpiak deri të hënën.

Sipas avokates së saj, Abeer Baker, ajo u akuzua për "sjellje përçarëse" nga oficerët e policisë, të cilët thanë se postimet e saj mund të nxisin dhunë midis ndjekësve të saj.

Postimi që tërhoqi vëmendjen e policisë ishte një imazh i flamurit palestinez me moton arabe: "Nuk ka fitimtar përveç Zotit".

Baker thotë se këngëtarja, e cila është e njohur në të gjithë botën arabe për këngët e saj për trashëgiminë palestineze, po shprehte një ndjenjë fetare. Autoritetet izraelite e interpretuan postimin e këngëtares si një thirrje për luftë për palestinezët.

Që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit, policia në Izrael ka miratuar atë që ata e quajnë një "politikë zero tolerance" ndaj aktivitetit të mediave sociale që mendohet të shprehë mbështetje për Hamasin, një grup islamik, i cili është i angazhuar për shkatërrimin e Izraelit dhe i cilësuar si një grup terrorist nga Izraeli, si dhe SHBA, Britania e Madhe dhe shumë vende të tjera.

Abu Amneh është një nga dhjetëra shtetasit arabë të Izraelit të arrestuar në lidhje me postimet në mediat sociale për luftën.

Shumë të tjerë janë pezulluar ose shkarkuar nga puna ose përballen me masa disiplinore nga universitetet e tyre.

Arabët izraelitë - shumë prej të cilëve preferojnë të quhen qytetarë palestinezë të Izraelit - përbëjnë një të pestën e popullsisë së vendit.

Që nga sulmi i Hamasit, policia thotë se ka hetuar dhe arrestuar më shumë se 100 persona për aktivitetin e tyre në mediat sociale. Gjashtëdhjetë e tre janë arrestuar dhe marrë në pyetje vetëm në Jerusalem.

"Kushdo që nxit kundër shtetit të Izraelit, simboleve të qeverisë së tij, zyrtarëve të zgjedhur, personelit ushtarak dhe policisë, duhet të jetë i vetëdijshëm se Policia e Izraelit do të përgjigjet me vendosmëri dhe pa mëshirë," tha komisionari i Policisë izraelite, Yaakov Shabtai, në një takim me udhëheqës të lartë këtë javë. /BBC

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat