Vazhdojnë përleshjet, Izraeli synon të evakuojë banorët afër Gazës

Azia

Vazhdojnë përleshjet, Izraeli synon të evakuojë banorët afër Gazës

Më: 8 tetor 2023 Në ora: 10:46
Dy ushtarë izraelitë shikojnë stacionin policor të shkatërruar pas infiltrimit të sulmuesve të Hamasit në Sderot. 8 tetor 2023.

Ushtria izraelite tha më 8 tetor se synon të evakuojë të gjithë izraelitët që jetojnë afër Rripit të Gazës brenda 24 orëve, përderisa ka dislokuar mijëra luftëtarë për t’u përballur me militantët e Hamasit, që janë infiltruar brenda Izraelit.

“Misioni ynë është që në 24 orët e ardhshme të evakuojmë të gjithë banorët që jetojnë rreth Gazës”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, duke shtuar se luftimet po vazhdojnë për të “shpëtuar pengjet” që po mbahen nga militantët.

“Ka dhjetëra mijëra ushtarë në zonë. Ne do të arrijmë te secili komunitet derisa të vrasim të gjithë terroristët në Izrael”, tha ai për gazetarët.

Grupi palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.

Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.

Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.

Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të artilerisë në Liban dhe përmes një sulmi me dron ndaj një pike të kontrollit të Hezbillahut pranë kufirit, tha ushtria. Nuk ka raportime për viktima nga këto sulme./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat