India zbulon rezerva boksitesh të pasura me litium

Azia

India zbulon rezerva boksitesh të pasura me litium

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 21:13
Foto ilustrim

India ka zbuluar rreth 6 milionë ton rezerva boksitesh të pasura me litium në rrethinat e fshatit Salal, të provincës Reasi në rajonin Xhamu dhe Kashmir, te administruara nga India. Boksitet janë minerale shkëmbore me përmbajtje të larta alumini. Në fillim banorët e konsideruan si lajm të keq zbulimin, por tani janë të lumtur. 

Fermeri dhe fotografi Maheshwar Sing kishte ëndërruar të ndërtonte një shtëpi betoni në fjashtin Salal, në provincën Reasi në rajonin Xhamu dhe Kashmir.

Por një njoftim i qeverisë se në fshatin e tij ishin gjetur 6 milionë tonë rezerva boksitesh të pasura me litium ia preu ëndrrën në mes. Për shkak se fshati ndodhet në një terren të pasur me boksite, banorët do të duhet të zhvendosen.

Zbulimi i rreth 6 milionë tonëve metal joferroz, ose pa përmbajtje hekuri, nga Ministria e Minierave të Indisë u bazua në kërkime 4 vjeçare të kryera nga Shërbimi Gjeologjik Indian, në Xhamu, rajon që mbizotërohet nga besimi Hindu në territorin e kontestuar të Himalajeve.

“Nuk kam shumë informacion se çfarë ka njoftuar ministria përmes medias. Jam i lumtur që fjala është për diçka të dobishme për kombin tonë, por nga ana tjetër jam i trishtuar që do humbas shtëpinë dhe fushat e mbjelljes”, thotë Maheshwar Singh, banor në Salal.

Zbulimi i rezervave ishte një lajm i mirë për vendin me mbi 1 miliardë banorë, për shkak të kërkesës së madhe në treg të këtij metali, i cili përdoret për telefona, kompjutera dhe bateritë e automjeteve elektrike.

India e importonte litiumin nga Australia dhe Argjentina, por zbulimi i rezervave në vend, do të bëjë që India të mbështetet në burimet e saj për prodhimin e baterive.

“Litiumi është elementi i së ardhmes, pasi përdoret për automjetet elektrike dhe pajisje të tjera. Meqënëse po lëvizim në këtë drejtim, do të duhet të përdorim përherë e më shumë litium, India duhet të jetë e pavarur për gjetjen dhe përdorimin e litiumit, ndaj dhe po bëhen kërkime në çdo cep të vendit”, thotë Pankaj Srivastava , Universiteti Xhamu, Departamenti i Gjeologjisë

Banorët e fshatit Salal besojnë se zbulimi i rezervave me boksite fillimisht u duk një lajm fatkeq, por tani duket si bekim.

Ata thonë se janë të gatshëm të zhvendosen për të mirën e kombit dhe të rajonit Xhamu dhe Kashmir, menjëherë pasi të njoftohen zyrtarisht për t’u larguar nga fshati.

“Të parët që mund të përfitojnë nga projekti janë banorët e zonës. Njerëzit do duhet të zhvendosen në vende të tjera dhe do të duhet të përfitojnë një kompensim 5 herë më të lartë se vlera aktuale e pronave të tyre”, thotë Preetam Singh, kryeplak i fshatit Salal.

Procesi i kompensimit nuk ka nisur ende, por pritet të ndodhë pasi të fillojë shfrytëzimi i rezervave të boksitit.

Ambientalistët vendas kanë mendime të ndryshme në lidhje me nxjerrjen dhe përpunimin e litiumit prej shkëmbinjve të fortë në rajon, duke thënë se procesi nuk është miqësor ndaj mjedisit dhe mund të shkaktojë mungesë uji.

“Nxjerrja nuk përfshin shpime të thella të shkëmbinjve. Do të preket vetëm sipërfaqja e shkëmbinjve, kështu që nuk do të ketë shumë ndikim mjedisor në zonë”, thotë C.M. Seth, ekspert mjedisi në Jammu dhe Kashmir

Ambjentalistë të tjerë, megjithatë, thonë se nxjerrja dhe rafinimi i litiumit do të dëmtojë ekologjinë e territorit Xhamu dhe Kashmir, pasi do të shkaktojë tërmete, mungesë uji dhe ndotje të ajrit.

Ndërkohë, rezervat e litiumit të zbuluara së fundmi, India do t’i nxjerrë në ankand në qershor dhe vetëm koha do të tregojë nëse zbulimi do të jetë i dobishëm, apo një katastrofë për Indinë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat