Vullnetarë izraelitë dërgojnë fëmijët e sëmurë palestinezë në spitalet izraelite

Azia

Vullnetarë izraelitë dërgojnë fëmijët e sëmurë palestinezë në spitalet izraelite

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 20:14
Foto ilustrim

Çdo javë, vullnetarë izraelitë të organizatës “Njerëzit pa Kufij”, dërgojnë fëmijë palestinezë të sëmurë rëndë në Bregun Perëndimor në spitalet izraelite, ku ata marrin trajtime mjekësore që nuk i ofron sistemi shëndetësor palestinez. Autoriteti Palestinez mbulon shpenzimet për trajtimin, por jo transportin. Shumë pacientë janë me shëndet të dobët për të udhëtuar me autobus dhe disa nuk mund të përballojnë koston e trajtimit.

Njëmbëdhjetë vjeçari palestinez Mohammed Kisiya ka udhëtuar nga shtëpia e tij në Bregun Perëndimor në Spitalin Hadassah të Izraelit në Jeruzalem dhjetëra herë gjatë shtatë viteve të fundit, për trajtime mjekësore që nuk janë të mundura në një spital palestinez.

Ai është diagnostikuar me neuroblastoma, një lloj kanceri i sistemit nervor, i cili i është rikthyer për të tretën herë. Një vullnetare izraelite e organizatës jofitimprurëse “Njerëzit Pa Kufij”, e dërgon atë me makinë në Izrael nga pika e kontrollit në qytetin e Betlehemit.

"Mendoj se po ndihmoj njerëzit në nevojë, në momente kur ata nuk janë në gjendje shumë të mirë. Ata kanë vërtet nevojë për këtë. Nëse mundem, përse jo?", thotë vullnetarja Varda Edwards.

Por armiqësia që shumë izraelitë dhe palestinezë ndjejnë ndaj njëri-tjetrit është e pranishme. Vullnetarja Edwards thotë se një pjesë e miqve dhe familjes së saj shqetësohen se ajo mund të sulmohet nga pacientët palestinezë, por ajo vetë thotë se një shqetësim i tillë është qesharak.

Babai i Mohammadit, Shadi Kisiyas, e shoqëron atë në spital, duke qëndruar me djalin për të pesë ditët e trajtimit me kimioterapi. Ai thotë se mund t'i telefonojë organizatës “Njerëzit Pa Kufij” në çdo kohë për të kërkuar ndihmën e tyre në transportimin e djalit në spital. Transporti publik merr disa orë, kushton 30 dollarë dhe mund të jetë i rrezikshëm për sistemin imunitar tashmë të dobësuar të Muhamedit, thotë ai.

“Hebrenj, myslimanë, të krishterë, ne jemi të gjithë njerëz. Shoferët janë njerëz vërtet të mirë dhe na ndihmojnë. Nuk di nga politika. Kjo është punë me të cilën merren njerëz të tjerë”, thotë ai.

Rreth 1000 pacientë palestinezë nga Bregu Perëndimor dhe Gaza trajtohen çdo vit në Spitalin Hadassah, në koordinim me sistemin shëndetësor të Autoritetit Palestinez. Trajtimi i tyre lehtësohet nga më shumë se 20 për qind e personelit të spitalit që flasin arabisht, si izraelitë ashtu edhe palestinezë.

“Sot tashmë ka një kujdes shëndetësor mjaft të mirë që është krijuar në bashkëpunim me Autoritetin Palestinez, ku ata mund të merren me shumicën e çështjeve të rregullta. Pra, ne trajtojmë rastet më akute ose më të ndërlikuara”, thotë Yoram Weiss, Drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Hadassah.

Qëllimi i organizatës "Njerëzit pa Kufij" është të transportojë palestinezë me nevoja serioze mjekësore në spitalet izraelite. Por gjatë rrugës, shoferët dhe pasagjerët mësojnë diçka për njëri-tjetrin.

"Palestinezët shohin një aspekt tjetër të izraelitëve. Jam e sigurt se shumë palestinezë që udhëtojnë me ne, më parë kanë takuar vetëm ushtarë izraelitë", thotë Amy Yourman, koordinatore në organizatën “Njerëzit pa Kufij”.

Dhuna mes izraelitëve dhe palestinezëve është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Ndërsa Mohamedi ishte në spital, dy adoleshentë palestinezë u vranë gjatë një sulmi ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor. Dhe një ushtar izraelit u vra nga një palestinez i armatosur në një pikë kontrolli në Jeruzalem.

Organizata “Njerëzit pa Kufij” shpreson të ofrojë një mënyrë tjetër për izraelitët dhe palestinezët për të kaluar kufijtë, si ata realë ashtu edhe ata imagjinarë, mes tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat