Indonezi, rritet numri i aplikacioneve të huadhënies me norma të larta interesi

Azia

Indonezi, rritet numri i aplikacioneve të huadhënies me norma të larta interesi

Më: 18 tetor 2021 Në ora: 18:03
Indonezi

Mashtruesit prej kohësh kanë vënë në shënjestër njerëzit e pambrojtur në vështirësi ekonomike. Por në Indonezi, vështirësitë ekonomike dhe rritja e aktivitetit në internet gjatë pandemisë kanë çuar në një bum të aplikacioneve për hua me norma të larta interesi.

Kjo grua i kërkoi Zërit të Amerikës që të mos i zbulonte emrin e plotë të saj, por thjesht ta identifikojë atë si "Santi".

Ndërsa emri i saj është ndryshuar, ajo i tha Zërit të Amerikës se përvoja e saj është reale. Ajo përdori një aplikacion kredie në internet, në vitin 2018, që rezultoi të ishte një hua me normë të lartë interesi.

“Më duheshin paratë për të paguar shkollën për fëmijët. Një ditë unë pashë një numër aplikacionesh për huadhënie në internet. Plotësovaformularin e njërit prej aplikacioneve dhe kërkesa u miratua brenda një ore. Mora një hua prej rreth 90 dollarësh, por në fund u detyrova të paguaja 130 dollarë për huanë dhe normën e interesit.”

Pasi ajo u vonua vetëm dy ditë për pagesën e huasë, mashtruesi hakeroi celularin e Santit dhe njoftoi të gjithë njerëzit që ajo njihte për borxhin e saj, përfshirë punëdhënësit e saj.

“Një javë pasi shefi im mori mesazhin, punëdhënësit kërkuan të jepja dorëheqjen. Ata menjëherë më ndërprenë përfitimet. Ata nuk donin që unë të shkaktoja probleme për kompaninë.”

Santi ngriti një padi dhe kërkoi ndihmë nga Instituti i Xhakartës për Ndihmë Ligjore, një organizatë jofitimprurëse juridike. Santi ishte rasti i parë i një qytetari që bie viktimë e huave me norma të larta interesi në internet të trajtuara nga kjo organizatë, por pas publikimit të lajmit, Instituti i Ndihmës Ligjore mori pothuajse 4,000 ankesa të ngjashme.

"Normat e tyre të interesit shkonin nga 0.1 deri në 4% në ditë. Me këtë ritëm, norma e interesit arrin në 120% në muaj. Sipas një studimi që kemi bërë në vitin 2018, kredia mesatare ishte nën 150 dollarë. Por ata vendosin norma interesi shumë të larta, duke detyruar disa viktima të paguanin mijëra dollarë”, thotë Arif Maulana nga Instituti i Xhakartës për Ndihmë Ligjore.

Huadhëniet mes qytetarëve privatë kanë fituar popullaritet në Indonezi që nga viti 2018, por edhe kreditë me norma të larta interesi në internet janë duke u shtuar, veçanërisht gjatë pandemisë. Përveç normave të larta të interesit,këta mashtrues njihen për kërcënimet që u bëjnë huamarrësve, përfshirë disa viktimave që kërkuan ndihmën e zonjës Santi.

"'Pse nuk vallëzoni lakuriq për të paguar huanë tuaj?' Ose, 'pse nuk takohemi në një hotel?' Disa madje morën kërcënime për vendosja të pankartave në shtëpitë e tyre me mbishkrimin 'na keni borxh!' Këto kërcënime, u kanë shkaktuar atyre dëme serioze mendore”, thotë zonja Santi.

Autoriteti i Shërbimeve Financiare të Indonezisë, OJK, pretendon se ka mbyllur më shumë se 3,300 aplikacione të celularëve për kreditë e paligjshme që nga viti 2018. Megjithatë, këto veprime nuk kanë ndalur shfaqjen e aplikacioneve të reja.

"Një ditë ne bllokonim një aplikacion, por në ditën tjetër shfaqeshin një mijë të tjera. Krijimi i këtyre aplikacioneve është një proces shumë i lehtë", thotë Rizal Halim nga Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Pandemia, e cila ka krijuar vështirësi ekonomike për shumë njerëz, i ka bërë këto aplikacione të paligjshme më fitimprurëse. Në të njëjtën kohë, ka pak kufizime dhe nivel të ulët të zbatimit të tyre.

"Nuk ka asnjë ligj të rreptë që do të kufizonte funksionimin e aplikacioneve të paregjistruara, nuk ka ligj që kufizon normat e interesit, asnjë mjet ligjor të qartë për konsumatorët, asnjë rregullore mbi metodat e mbledhjes së borxheve, madje nuk ka sanksione të rrepta ndaj aplikacioneve të huadhënies në internet që shkelin rregullat në fuqi”, thotë Arif Maulana nga Instituti i Xhakartës për Ndihmë Ligjore.

Gjatë dy viteve të fundit, qeveria indoneziane ka goditur aplikacionet e paligjshme të huadhënies, por ajo ka mësuar se serverët e aplikacioneve kriminale tani janë zhvendosur jashtë shtetit.

“Nga një mostër prej 1,300 aplikacionesh të paligjshme të huadhënies, ne zbuluam se 22% e tyre përdorin serverë indonezianë dhe 44% janë të panjohur pasi i ofrojnë shërbimetpërmes mediave sociale. Pjesa tjetër, ose 44% e tyre, përdorin serverë që ndodhen jashtë vendit. Disa në Amerikën Latine, si në Meksikë, disa në Vietnam", thotë Tongam Tobing nga Autoriteti i Shërbimit Financiar të Indonezisë.

Në mesin e mijëra shërbimeve të reja të teknologjisë financiare, vetëm 114 janë të listuara ligjërisht në Autoritetin e Shërbimeve Financiare të Indonezisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat