Kriza e naftës, Libani rrit çmimet

Azia

Kriza e naftës, Libani rrit çmimet

Më: 22 gusht 2021 Në ora: 12:27
Liban

Kriza dyvjeçare e likuiditeve po shkakton kaos në Liban. Qytetet shpesh po sigurojnë vetëm 2 orë energji elektrike në ditë, nuk ka bukë e medikamenteve ndërsa në krizë është edhe tregu i karburanteve ku ka mungesa të shumta.

Libani vendosi të dielën të rritë çmimet e karburanteve dhe të ulë subvencionet teksa shteti arav përballet me një krizë financiare.

Qeveria libaneze njoftoi rritjen me 66 për qind të çmimit të benzinës 99-oktanëshe, një ditë pasi ndryshoi kursin për blerjen e nëprodukteve të naftës për të adresuar mungesat në treg.

Banka Qendrore e Libanit thotë se nuk i financon dot importet me subvencionet shtetërore dhe çmimet e karburanteve do ia lërë në dorë tregut.

"Makina ime qëndron prej dy ditësh e parkuar jashtë pikës së karburantit se nuk ka benzinë. Nuk ka gjë më degraduese dhe poshtëruese."

Rritja e çmimeve është plaga më e fundit e Libanit, ku po shtohet varfëria dhe paundi libanez ka humbur 90 për qind të vlerës në dy vite.

Kriza energjetike me ndërprerje elektriciteti deri 22 orë në ditë, kriza e bukës dhe e ilaçeve po e bëjnë të vetën në shtetin e mbi 6 milionë banorëve që lagen nga Deti Mesdhe.

Shumë bar-kafe, restorante dhe dyqane janë detyruar të mbyllen në kushte të tilla.

"Kushtet e jetesës janë të vështira prej mungesës së energjisë. Ndonjëherë ndezim celularët që t'u shërbejmë klientëve."

"Jemi tre vëllezër që punojmë bashkë dhe po bëjmë të pamundurën ta ndihmojmë njëri-tjetrin për mbijetesë. Të qëndrosh ulur dhe mbyllur në shtëpi, nuk ia del dot."

Kriza e likuiditeteve në Liban nisi në gusht të 2019-ës dhe që atëherë, situatën nuk e kanë lënë të përmirësohet as pandemia e kovidit-19 dhe as operacionet e rimëkëmbjes së kryeqytetit Bejrut nga shpërthimi fatal i vitit të kaluar.

Banka Botërore thotë se kriza atje rrezikon të kthehet në një nga tre më të rëndat që bota ka përjetuar prej messhekullit të 19-të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat