Të mbijetuarat e një masakre të talebanëve në ’98, kujtojnë të afërmit e vrarë

Azia

Të mbijetuarat e një masakre të talebanëve në ’98, kujtojnë të afërmit e vrarë

Më: 19 gusht 2021 Në ora: 19:51
Afganistani

Talebanët kontrollojnë tashmë gjithë Afganistanin, sikurse qytetin verior të Mazar-e-Sharif-it, në të cilin 23 vite më parë ata masakruan disa mijëra banorë të tij. Dy gra që i mbijetuan ngjarjes së atij viti biseduan me Zërin e Amerikës në lidhje me anëtarët e familjes që humbën në masakër si dhe shqetësimit të tyre për të ardhmen. Mahdy Mehraeen njofton.

Njëzet e gjashtë vjeçarja Hadia Essazada, një aktiviste afgane për të drejtat e rinisë si dhe anëtare e pakicës hazara të Afganistanit, u largua nga vendi në dhjetor për të kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara.

Banorja e dikurshme e Mazar-e-Sharif-it që ndodhet në Afganistanin verior arriti t’i mbijetojë një masakre të kryer nga militantët talebanë pasi morën kontrollin e qytetit, më 8 gusht 1998.

Ajo thotë se një prej viktimave ishte vëllai i saj Ahmad, në atë kohë 13 vjeç.

"Unë nuk e di në cilin ligj, në cilin libër fetar është shkruar se mund të vritet një fëmijë 13 vjeç, duke e lidhur atë pas një kamioni dhe duke e tërhequr zvarrë në rrugë?!", thote ajo.

Sipas një raporti të qeverisë amerikane të vitit 2001 militantët talebanë vranë të paktën 2,000 civilë pas pushtimit të qytetin shumetnik.

Hetuesit ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut përllogaritën se numri i të vdekurve ishte disa mijëra më i lartë, pjesa me e madhe e të cilëve ishin vrarë në një sulm të shpejtë e të dhunshëm me armë të talibanëve ndaj të gjithë popullatës civile pa dallim.

SHBA thotë se masakra e vitit 1998 ishte pjesërisht një akt hakmarrjeje ndaj forcave etnike hazara dhe atyre uzbeke në Mazar-e-Sharif që kishin ekzekutuar rreth 2,000 të burgosur talebanë në 1997, pasi grupi islamik bëri një përpjekje të dështuar për të marrë kontrollin e qytetit.

Sipas raportit amerikan, shumica e atyre që u vranë nga luftëtarët sunitë myslimanë talebanë në vitin 1998 i përkisnin pakicës etnike hazara, të cilët janë kryesisht myslimanë shiitë.

Masooma, një tjetër pjesëtare e komunitetit Hazaras e cila jeton në Mazar-e-Sharif, ka humbur gjithashtu njerëzit e saj të dashur në masakrën e ‘98.

Duke folur për Zërin e Amerikës disa ditë para kapjes së fundit të qytetit nga talebanët ...

... ajo kujtoi një incident në të cilin ajo tha se një luftëtar talebanë i vrane burrin para syve të saj.

Me fytyrën e saj të errësuar nga Zëri i Amerikës për t’i mbrojtur identitetin, ajo përshkruan se si djali i saj u zhduk gjatë masakrës dhe prej atij momenti ajo nuk ka dëgjuar më prej tij.

"Mezi pres që djali të kthehet në shtëpi nëse është ende gjallë. Nëse jo, talebanët e kanë vrarë edhe atë. Por unë vazhdoj të pres për të", rrëfen ajo.

Ndërsa talebanët po përparonin me shpejtësi muajt e fundit për të rimarrë kontrollin e Afganistanit, grupi u zotua se nuk do të përsëriste më disa nga aktet më të rënda të kryera më parë.

Essazada thotë se është gati t'i falë talebanët nëse ata e mbajnë premtimin.

“Nuk duhet të ketë më civilë të vrarë, fëmijë e vajza që nuk lejohen të shkojnë në shkollë. Unë nuk dua që ndonjë vajzë tjetër afgane të përjetojë atë që unë kam përjetuar”, thotë ajo.

Por historiania afgane me bazë në Boston, Zahra Lotfi thotë nuk ka asnjë shenjë që talibanët të ndryshojnë qasje.

"Pas gjithë këtyre viteve, politikë e talebanëve ka qenë gjithmonë kryerja e vrasjeve që kishin nën shënjestër pakicat etnike hazara".

Masooma thotë se ajo shqetësohet për fatin e vajzave të saj.

"Thuhet se talebanët i marrin vajza e reja e të bukura për t'u martuar. Ata i marrin djemtë nga shtëpia dhe i vrasin natën. As gratë dhe as burrat nuk janë të sigurt. Ku duhet të strehohem unë me katër vajzat e mia?!”

Mediat perëndimore, duke iu referuar burimeve afgane, thonë se në zonat ku talebanët kanë marrë së fundmi kontrollin janë raportuar raste të shumta grash që janë detyruar të martohen me ta./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat