Ish-këshilltarja e Trumpit ka përgjuar bisedën telefonike me presidentin - Bota Sot
Ish-këshilltarja e Trumpit ka përgjuar bisedën telefonike me presidentin

Amerika

E enjte, 20 shtator 2018

Ish-këshilltarja e Trumpit ka përgjuar bisedën telefonike me presidentin

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 08:55
Donald Trump dhe ish-këshilltarja e tij

Ish-këshilltarja e Donald Trumpit ka publikuar atë që ajo e quajti si përgjim i një telefonate nga presidenti amerikan, pas shkarkimit të saj vitin e kaluar.

Në regjistrimin e transmetuar në kanalin televiziv amerikan “NBC”, zëri që supozohet të jetë i Trumpit, është shprehur i habitur që Omarosa Manigault Newman ishte shkarkuar një ditë më parë. “Askush nuk më kishte thënë gjë për këtë”, dëgjohet të thotë mashkulli.

Ajo po përgatitet të publikojë edhe një biografi së shpejti, ndërsa Shtëpia e Bardhë e përshkruan atë si një ish-punonjëse e pakënaqur. Përmes rrjetit social të tij të preferuar, Trumpi tha se ish-punonjësja e tij nisi ta sulmonte pasi humbi vendin e punës. Ai shtoi se, i kishte kërkuar shefit të tij të stafit, John Kelly, të përpiqej “ta zgjidhte” problemin.

Avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani tha ndërkohë se ajo mund të ketë shkelur ligjin, teksa ka regjistruar një bisedë private në Shtëpinë e Bardhë.

Manigault Newman e njihte presidentin që nga koha kur ishte pjesë e “reality show”-t, “The Apprentice”, ndërsa e këshilloi atë mbi çështjet afro-amerikane gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, përpara se të merrte edhe një rol në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Komunikimit.

Në përgjimin e transmetuar, zëri që thuhet të jetë i presidentit i thotë Manigault Newmanit se kishte lexuar në lajme faktin që “ajo po mendonte të largohej”, ndaj e pyet se çfarë kishte shkuar keq.

“Gjenerali Kelly më erdhi e më tha se administrata kërkonte që unë të largohesha”, i përgjigjet ajo.

“Jo… Askush nuk më ka thënë gjë për këtë, – reagon sërish zëri i presidentit. – Ti e di që po drejton një punë të rëndësishme, por nuk dija gjë. Nuk e dija këtë. Dreqin, nuk më pëlqen që ti të largohesh, gjithsesi”.

Njoftimi për shkarkimin e Manigault Newman u publikua më 13 dhjetor, pasi mediet amerikane kishin raportuar se ajo i kishte mërzitur kolegët. Në regjistrimin e publikuar mbi shkarkimin e saj, një person që supozohet të jetë Kelly flet për “probleme të rëndësishme integriteti” si shkak për largimin e saj, duke i përmendur asaj përdorimin e automjeteve qeveritare.

“Ka disa çështje serioze ligjore që janë shkelur prej teje, ndaj ju jeni ekspozuar ndaj veprimeve ligjore që ne shpresojmë e mendojmë se mund t’i kontrollojmë”, thotë ai në një moment të bisedës.

Ai bën edhe një propozim në fund. “Nëse e bëjmë të duket si një largim me mirëkuptimin e palëve, atëherë mund ta konsiderosh periudhën tënde njëvjeçare këtu në Shtëpinë e Bardhë si një vit shërbimi ndaj kombit, e sigurisht mund të vijosh përpara pa ndonjë vështirësi mbi reputacionin tënd”.

Por, kur Manigault Newman e pyeti nëse presidenti Trump ishte në dijeni të asaj që po ndodhte, ai devijoi diskutimin, duke i thënë se “ky ishte një diskutim i panegociueshëm, të mos merremi me gjëra të kota”.

E duke mbrojtur publikimin e bisedave, ajo tha se kishte “mbrojtur” veten “për shkak se kjo është Shtëpia e Bardhë, ku kushdo vetëm gënjen”./Tch

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test