SHBA: Padi ndaj spiunëve rusë për sulmet kibernetike gjatë fushatës elektorale 2016

Amerika

SHBA: Padi ndaj spiunëve rusë për sulmet kibernetike gjatë fushatës elektorale 2016

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 09:17
Ilustrim

Për shkak të sulmeve kibernetike ndaj demokratëve në SHBA gjatë fushatës elektorale 2016 janë paditur 12 punonjës rus të shërbimit sekret. Akuza vjen vetëm pak ditë para takimit Trump-Putin në hënën (16.07) në Helsinki.

Hetuesi special në SHBA Robert Mueller në aferën e Rusisë lidhur me presidentin e SHBA-së, Donald Trump ka ngritur padi kundër dymbëdhjetë punonjësve rusë të shërbimit sekret që kanë ndërhyrë në fushatën presidenciale 2016 në SHBA, tha zëvendësministri i Drejtësisë Rod Rosenstein në Uashington. Rosenstein është përgjegjës për hetimet e kryera nga Muellers.

Sikurse del nga aktpadia, ndër të tjera të akuzuarit duhet të kenë vjedhur dokumente nga kompjuterat dhe kanë organizuar publikimin e tyre. Në këtë mënyrë janë bërë të njohura shkëmbimet delikate të e-mailave politik të demokratëve, gjë që ka qenë e papërshtatshme për rivalen e Trumpit në luftën elektorale, Hillary Clinton. Agjentët rusë, sipas akuzës, kanë organizuar edhe planin kohor të publikimit të materialeve për përdorim të brendshëm. Synimi ka qenë që të arrihej „efekti më i madh i mundshëm" ndaj zgjedhjeve, tha Rosenstein. 

Akuza pak para takimit Trump-Putin

Me akuzën kundër punonjësve të shërbimit sekret, drejtësia e SHBA-së mendon, se pas sulmeve hacker qëndrojnë ushtarët rusë, që janë bërë të njohur përmes termave "DCLeaks"  dhe "Guccifer 2.0". Hamendësimet, se pas tyre mund të qëndronin amerikanë apo hackera rumunë, tashmë janë zhvleftësuar.

Akuza vjen vetëm pak ditë para takimit Trump-Putin në hënën (16.07) në Helsinki. Akuzat e ngritura megjithatë nuk përmbajnë indikacione, se bashkëpunëtorët e Trumpit mund të kenë pasur lidhje.

Shërbimet sekrete të SHBA-së prej kohësh mendojnë, se Rusia ka ndërhyrë në disavantazh të demokratëve dhe në favor të presidentit aktual Trump gjatë fushatës elektorale në SHBA. Në fillim të korrikut edhe komisioni parlamentar për shërbimet sekrete në SHBA e mbështeti këtë hipotezë./DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat