Uashington, ceremoni për kujtimin e viktimave të komunizmit - Bota Sot
Uashington, ceremoni për kujtimin e viktimave të komunizmit

Amerika

E martë, 19 qershor 2018

Uashington, ceremoni për kujtimin e viktimave të komunizmit

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 21:07
Uashington

Sot në Uashington u mbajt ceremonia e përvitshme e vendosjes së kurorave tek një përmendore që është ngritur për të kujtuar viktimat e komunizmit dhe iu dha Medalja e Lirisë “Truman-Reagan” pas vdekjes ish-disidentit kubanez Oswaldo Paya.

Fondacioni për Përkujtimoren e Viktimave të Komunizmit organizoi ceremoninë ku morën pjesë përfaqësues të ambasadave, individë nga vende që ende vuajnë nga komunizmi, të mbijetuar dhe organizata të drejtave të njeriut.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit, Marion Smith tha se Payas iu dha medalja pasi ai ia përkushtoi jetën opozitës paqësore ndaj regjimit autoritar të Partisë Komuniste të Kubës dhe ishte kampion i demokracisë liberale pluraliste në ishullin që vuajti për afro gjysmë shekulli nën grushtin e hekurt të Vëllezerve Castro.

Paya ishte themelues i Lëvizjes të Çlirimit të Krishterë dhe fitues i çmimit të Parlamentit Evropian, Sakharov për Lirinë e Mendimit.

Ai vdiq para gjashtë vjetësh.

Medalja iu dha vajzës së tij, Rosa Maria dhe të vesë së tij Ofelia Acevedo që ishin të pranishme në ceremoni.

Monumenti pranë Kongresit në Uashington përkujton mbi 100 milion viktimat e komunizmit në mbarë botën.

Në ceremoninë e vendosjes së kurorave morën pjesë edhe të mbijetuar nga Shqipëria. Një prej tyre, Çezar Ndreu vendosi kurora në emër të familjes së tij.

Para dy ditësh, qeveria e Shqipërisë miratoi një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur për të filluar kërkimin dhe identifikimin e disa prej mijëra viktimave të regjimit komunist.

Marrëveshja, e miratuar nga qeveria të mërkurën, do të angazhojë Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur (ICMP) për të hetuar, kërkuar dhe identifikuar një pjesë të gati 6 mijë shqiptarëve që u vranë apo u zhdukën gjatë sundimit 45 vjeçar komunist në vend. Në vend ekziston skepticizmi se ky proces është i vonuar dhe nuk ka fonde të mjaftueshme./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test