Trump: Do të ndihmoj afrikano-amerikanët

Amerika

Trump: Do të ndihmoj afrikano-amerikanët

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 17:29
Familja Trump në përurimin e hotelit në Uashington

Kandidati republikan për president, Donald Trump propozoi një sërë masash ekonomike për të ndihmuar afrikano-amerikanët, një grup që sipas sondazheve mbështet kryesisht kundërshtaren e tij, demokraten Hillary Clinton.

Gjatë një fjalimi të mërkurën në Sharlotë të Karolinës së Veriut, zoti Trump paraqiti plane për t’ua lehtësuar sipërmarrësve afrikano-amerikanë marrjen e kredive, dhe që qytetet t’i shpallin disa lagje të varfëra të tyre si zonat fatkeqësie, në mënyrë që të rindërtohen.

Zoti Trump i tha audiencës, kryesisht të bardhë, se "shumë afrikano-amerikanë janë lënë prapa”.

Dje, zoti Trump ishte në Uashington për të përuruar hotelin e tij të ri, që ndodhet afër Shtëpisë së Bardhë. Zonja Clinton komentoi, duke thënë se rivali i saj po i kushtonte më shumë vëmendje biznesit të vet sesa fushatës.

Zoti Trump u përgjigj dhe tha se kishte të drejtë të merrte pjesë në inaugurim. Ai pyeti se përse askush nuk e kritikoi zonjën Clinton për pjesmarrjen në një koncert të këngëtares Adele të martën.

Ai tha gjithashtu se ka shpenzuar personalisht 100 milionë dollarë për fushatën dhe se ishte gati të kontribuonte më shumë nëse do të ishte e nevojshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat