SHBA dhe Koreja J. nisin stërvitje ushtarake, Veriu kërcënon

Amerika

SHBA dhe Koreja J. nisin stërvitje ushtarake, Veriu kërcënon

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 13:55
Ushtrimet ushtarake në Paju, Kore e Jugut, 22 gusht 2016

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë nisur të hënën stërvitjet e përvitshme ushtarake, duke nxitur paralajmërime për hakmarrje nga Phenjani.

Stërvitjet, të cilat përfshijnë 25,000 trupa amerikane dhe 50,000 ushtarë jugkoreanë, do të zgjasin deri më 2 shtator.

Ushtria e Koresë së Veriut ka kërcënuar me “sulme parandaluese bërthamore” nëse Seuli dhe Uashingtoni tregojnë ndonjë shenjë të agresionit. Phenjani bën shpesh kërcënime të tilla.

“Luftënxitësit bërthamorë duhet ta dinë se nëse tregojnë edhe shenjën më të vogël të agresionit, Koreja e Veriut do t’i shndërrojë ata në grumbull të hirit”, tha folësi i lajmeve në televizionin shtetëror verikorean, duke lexuar deklaratën e autoriteteve.

Stërvitjet vijnë pak ditë pasi Seuli ka njoftuar se Thae Yong Ho, numri dy në Ambasadën e Koresë së Veriut në Londër, ka dezertuar në Korenë e Jugut, pasi ka qenë i zhgënjyer me udhëheqjen e Veriut.

Media shtetërore e Phenjanit e ka quajtur atë “llum njerëzor” dhe kriminel që ka kryer disa akte, përshirë “sulm seksual ndaj një të mituri”.

Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, ka thënë të hënën se ka shenja për “çarje serioze” në elitën udhëheqëse të Veriut.

“Grupi elitar i Koresë së Veriut është duke kolapsuar. Figura kyçe të Koresë së Veriut po dezertojnë në vende të huaja, duke treguar shenja të çarjeve serioze dhe shanse për tundje të regjimit”, ka thënë Park.

Koreja e Veriut ka kryer provën e katërt bërthamore në muajin janar dhe ka lëshuar raketë me rreze të gjatë veprimi në muajin shkurt. Këto veprime kanë bërë që Kombet e Bashkuara t’i forcojnë sanksionet kundër regjimit të izoluar komunist.

“Pasi mundësia e provokimit nga Koreja e Veriut është më e lartë se kurrë dhe aftësitë bërthamore dhe raketore të Veriut përbëjnë kërcënime direkte dhe reale, stërvitjet ushtarake duhet të udhëhiqen si një luftë e vërtetë”, ka thënë presidentja e Koresë së Jugut, Park.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut janë teknikisht ende në luftë, sepse konflikti i tyre më 1950-53 ka përfunduar me armëpushim, por jo me marrëveshje për paqe.

Në dekadat që kanë pasuar, Koreja e Jugut është bërë një prej vendeve më të pasura të Azisë, ndërsa Veriu është zhytur në totalitarizëm dhe varfëri. Shtetet e Bashkuara kanë dhjetëra-mijëra ushtarë në Korenë e Jugut. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat