Azilkërkuesit gjejnë strehë në një kishë në shtetin e Uashingtonit

Amerika

Azilkërkuesit gjejnë strehë në një kishë në shtetin e Uashingtonit

Më: 10 mars 2024 Në ora: 18:08
Azilkërkuesit në shtetin e Uashingtonit

Numri i emigrantëve që kalojnë çdo ditë kufirin dhe futen në Shtetet e Bashkuara ka rënë që nga dhjetori. Megjithatë, komunitetet lokale ende po përpiqen që të ofrojnë strehë dhe burime të tjera për emigrantët e shumtë. Kamerat e Zërit të Amerikës na çojnë në qytezën Tukwila të shtetit të Uashingtonit, ku një kishë e vogël është bërë strehë për qindra emigrantë nga Afrika dhe Amerika Latine.

Jan Bolerjack është pastorja e Kishës Metodiste në ‘Riverton Park’ në qytezën Tukwila, që gjendet në periferi të qytetit Seattle. Vitin e fundit, kisha ka ndihmuar rreth një mijë emigrantë që të gjejnë strehë, ushqim dhe veshmbathje.

“Në një farë mënyre, ky vend është reklamuar në të gjithë vendin dhe rajonet kufitare se është vendi ku duhet të shkosh. Megjithatë, ndjehem e turpëruar kur ata mbërrijnë këtu, dhe ne duhet t’u themi jo. Ata duhet të flenë në tenda të lagura”, thotë për Zërin e Amerikës pastorja Jan Bolerjack.

Donatorë nga mbarë vendi i ndihmuan përpjekjet fillestare të kishës kur ajo hapi dyert për emigrantët. Pastorja thotë se burimet e kufizuara tani po shterohen nga shtimi me rreth 25 azilkërkues të rinj në javë.

“E gjithë dyshemeja është e shtruar me dyshekë për njerëzit që kalojnë natën në kishë. Plaçkat e tyre ndodhen në anë të dhomës. Nuk kemi mundësi të tjera”, thotë pastorja Bolerjack.

Jeremiah Lefau thotë se u largua nga Angola me gruan dhe fëmijët e tij në dhjetor të vitit 2022.

“Kur mbërrita në Shtetet e Bashkuara, nuk kisha se ku të shkoja. Ata më mbrojtën dhe më ushqyen”.

Ndryshe nga refugjatët, të cilët mund të marrin ndihma përmes programeve të caktuara, azilkërkuesit mund të mbeten të pastrehë dhe pa mbështetje ekonomike deri në miratimin e lejes së punës nga organet e emigracionit. Pastorja thotë se vitin e kaluar, vetëm një individ i strehuar në kishën e saj ishte pajisur me leje pune.

“Ata nuk kanë dokumente identifikimi, por vetëm dokumentet që kanë marrë në kufi për të aplikuar për azil. Disa strehimore nuk i pranojnë individët pa dokumente identifikimi. Ende ka shumë njerëz që flenë në rrugë, pa numëruar rreth 14,000 të tjerë që flenë në rrugët e qytezës sonë”, tregon pastorja.

Me ardhjen e temperaturave të acarta, donacionet dhe financimet nga agjencitë lokale dhe shtetërore ndihmuan që qindra azilkërkues që flinin në tenda të vendoseshin në hotele.

Ligjvënësja Mia Gregerson po punon për hartimin e një projektligji që synon fuqizimin e zyrës lokale për refugjatët dhe emigrantët për një përgjigje më të koordinuar ndihme.

"Tukwila, edhe pse është një qytezë tejet e vogël, po bën gjithçka për të ndihmuar. Por ka shumë pasiguri. Çfarë do të bëjmë kur të mbarojnë fondet? Ideja është që zyra për ndihmën e imigrantëve të sigurojë fonde, t’i përdorë ato për nevojat ligjore të azilkërkuesve, për arsimimin e tyre, transportin dhe strehimin”, thotë ligjvënësja e shtetit Uashington.

Guvernatori Jay Inslee po u kërkon ligjvënësve më shumë se 8 milionë dollarë fonde shtesë për buxhetin e shtetit, me qëllim mbështetjen e atyre që nuk kualifikohen për programet federale për refugjatët. Ndërkohë, administrata e Presidentit Biden po kërkon miratimin e masave për të ulur numrin e azilkërkuesve që mund të futen në Shtetet e Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat