SHBA, kritika mbi mungesën e transparencës lidhur me shtrimin në spital të kreut të Pentagonit

Amerika

SHBA, kritika mbi mungesën e transparencës lidhur me shtrimin në spital të kreut të Pentagonit

Më: 7 janar 2024 Në ora: 18:29
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin

Udhëheqës të lartë të administratës së Presidentit Biden, zyrtarët më të lartë të Pentagonit dhe ligjvënësit amerikanë nuk ishin në dijeni që Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ishte i shtruar në spital që nga e hëna, thanë zyrtarët amerikanë të shtunën.

Kjo çështje ka ngritur shumë pikëpyetje lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe mbajtjen të fshehtë të trajtimit mjekësor të zotit Austin. Pentagoni nuk e informoi Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan për shtrimin e zotit Austin në Spitalin ushtarak Walter Reed në Meriland deri të enjten, sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimiteti.

Mospublikimi i informacionit mbi shtrimin në spital të Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin nga Pentagoni për disa ditë pasqyron një mungesë të pazakontë të transparencës rreth sëmundjes së tij, seriozitetit të gjendjes së tij shëndetësore dhe datës së daljes së tij nga spitali. Kjo mungesë transparence në një kohë kur Shtetet e Bashkuara përballen me një sërë krizash të sigurisë kombëtare bie ndesh me praktikat normale të presidentit, zyrtarëve të tjerë të lartë dhe anëtarëve të kabinetit amerikan.

Megjithatë, Presidenti Biden bisedoi me zotin Austin të shtunën dhe shprehu besimin tek ai, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në kushte anonimiteti.

Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, Sekretari Austin mori përgjegjësinë për vonesën e njoftimit të publikut mbi gjendjen e tij shëndetësore.

“E kuptoj që unë mund të kisha bërë një punë më të mirë lidhur me informimin e publikut. Zotohem se do të bëj një punë më të mirë në këtë drejtim”, tha ai përmes deklaratës, duke pranuar shqetësimet për mungesë transparence. “Por është me rëndësi të thuhet se kjo ishte një ndërhyrje mjekësore e imja dhe unë marr përgjegjësi të plotë për vendimet mbi njoftimin e publikut për këtë çështje”, shtoi ai.

Austin, 70 vjeç, vazhdon të jetë i shtruar në spital si pasojë e ndërlikimeve nga një ndërhyrje mjekësore, tha zëdhënësi i Pentagonit. Në deklaratën e tij, Austin tha se po rikuperohej, por nuk dha hollësi të tjera mbi arsyen e shtrimit në spital.

Zëdhënësi i Pentagonit, Gjeneral Majori Pat Ryder tha se anëtarët e Kongresit u informuan mbi shtrimin në spital të zotit Austin të premten pasdite. Nuk është e qartë nëse anëtarët më të lartë të personelit të zotit Austin ishin njoftuar për ndërhyrjen mjekësore, por pjesa më e madhe e personelit të Pentagonit u informua mbi këtë çështje nga deklarata e Pentagonit e lëshuar të premten. Shumica e tyre mendonin se Sekretari Austin ishte me pushime gjatë javës.

Nënsekretarja e Departamentit të Mbrojtjes Kathleen Hicks mori përsipër përgjegjësitë e Sekretarit Austin pas shtrimit të tij në spital. Një zyrtar i qeverisë tha se nënsekretarja e cila ato ditë ndodhej në Porto Riko, i kishte të gjitha komunikimet e nevojshme që ia mundësuan kryerjen e detyrës ndërsa zoti Austin, një gjeneral me katër yje, i cili ka patur një karrierë 41 vjeçare në ushtrinë amerikane, nuk ishte në gjendje t’i kryente detyrat për shkak të ndërhyrjes mjekësore.

Zëdhënësi Ryder tha të shtunën se zoti Austin po e merrte veten dhe që nga e premtja në mbrëmje po kryente detyrat e tij nga spitali Walter Reed. Ai tha se për shkak të privatësisë, “ndryshimit të situatës” dhe gjendjes mjekësore, Pentagoni nuk e bëri publike mungesën e Sekretarit Austin.

Senatorët republikanë Roger Wicker dhe Tom Cotton kritikuan Departamentin e Mbrojtjes, duke thënë se zyrtarët e tij qëllimisht nuk e njoftuan publikun mbi gjendjen shëndetësore të zotit Austin.

Edhe Shoqata e Shtypit në Pentagon, e cila përfaqëson mediat që ndjekin zhvillimet atje, i dërgoi një letër proteste të premten zëdhënësit të Pentagonit Pat Ryder dhe ndihmës sekretarit për marrëdhëniet me publikun, Chris Meagher, mbi mungesën e transparencës dhe informacionit për gjendjen shëndetësore të Sekretarit Austin.

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë qenë më transparentë rreth shtrimit të tyre në spital. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrrick Garland, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje mjekësore në vitin 2022, informoi zyrën e tij dhe publikun një javë para ndërhyrjes mjekësore mbi ditën se kur do të dilte nga spitali dhe kur do të kthehej në punë.

Shtrimi në spital e Sekretarit Austin vjen në një kohë kur grupet militante të mbështetura nga Irani po kryejnë sulme me raketa dhe dronë kundër bazave amerikane në Irak dhe Siri, konfliktit Izrael-Hamas dhe luftës në Ukrainë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat