Emra të njohur amerikanë përmenden në dokumentet e fundit publike të rastit Epstein

Amerika

Emra të njohur amerikanë përmenden në dokumentet e fundit publike të rastit Epstein

Më: 5 janar 2024 Në ora: 15:35
Jeffrey Epstein.

Këtë javë Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri publik disa dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me të dënuarin për dhunë seksuale, Jeffrey Epstein.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga qyteti i Nju Jorkut, në disa nga dokumentet përmenden emra të njohur, duke përfshirë presidentët e Shteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Bill Clinton, dhe Princin Andrew të Britanisë dhe të tjerë.

Pas shumë pritjesh, në fillim të kësaj jave një gjykatës i Manhatanit vendosi të bëheshin publike një sërë dokumentesh që përmbanin emrat e individëve të lidhur me të dënuarin për dhunë seksuale dhe financierin e pasur, Jeffrey Epstein.

Publiku amerikan ishte i etur të mësonte më shumë mbi lidhjet e këtyre individëve me milionerin famëkeq, i cili vdiq në vitin 2019 në një burg në Manhatanit.

“Njerëzit prisnin shumë më shumë, pasi pritën vite të tëra për zbulimin e këtyre dokumenteve. Nuk mësuam shumë, të paktën në këtë seri fillestare. Nuk shoh diçka që mund të sjellë akuza penale kundër dikujt. Madje edhe një padi civile do të jetë e vështirë”, thotë Neama Rahmani, ish-prokuror federal.

Dokumentet i përkasin padisë civile ndaj Ghislaine Maxwell, ish partneres së të dënuarit Epstein, e ngritur nga një prej vitimave të tij, Virginia Giuffre.

Por ekspertët thonë se dokumentet nuk do të sjellin pasoja ligjore për personat e njohur që përmenden në to.

“Nuk kishte asgjë që e lidhte Bill Clinton-in ose Bill Gates-in me ndonjë aktivitet të paligjshëm. Në fakt, Virginia Giuffre dhe avokatët e saj përmendin në mënyrë specifike në dokumentet e gjykatës, se ata nuk ishin në dijeni të ndonjë aktiviteti të paligjshëm të Clintonit. Ish-Presidenti Donald Trump përmendet gjithashtu kalimthi. Por, mendoj se ai del i padëmtuar në këtë valë të parë, nuk ka asnjë akuzë për keqbërje, apo ndonjë lloj aktiviteti seksual prej tij”, thotë zoti Rahmani.

Në Shtetet e Bashkaura ka patur interesim të madh për këtë rast, si do të ndikojë zbulimi i këtyre dokumenteve në përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar shfrytëzimin e grave dhe vajzave të mitura.

“Një nga gjërat që ka ndodhur pas rastit Esptein, që nga lëvizja ‘Edhe Unë’, është se shumë shtete kanë nisur miratimin e ligjeve që lehtësojnë ngritjen e pretendimeve nga viktimat, përmes padive civile dhe atyre penale, kundër abuzuesve të tyre. Mendoj se do të shohim më shumë padi nga viktimat dhe prokurorët e qarqeve”, thotë drejtorja ekzekutive e organizatës “Rights4Girls” Yasmin Vafa.

Zonja Vafa thotë se publikimi i këtyre dokumenteve mund të nxisë dëshmitarët dhe të mbijetuarit e abuzimit seksual që të flasin.

“Do të shohim më shumë viktima që ngrihen dhe kërkojnë përgjegjësi. Shpresojmë se do të frymëzojë të tjerët që janë në dijeni të abuzimeve që ndodhin përreth tyre, që të ngrenë zërin. Siç dihet, abuzimi seksual i fëmijëve, trafikimi seksual i fëmijë janë dukuri reale”, thotë zonja Vafa.

Departamenti amerikan i Drejtësisë pritet të bëjë publike dokumente shtesë lidhur me rastin Epstein gjatë javës së ardhshme. Megjithatë, aktualisht, nuk ka asnjë provë që lidh amerikanë të profilit të lartë të përmendur në dokumente, me akuza për abuzim seksual./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat