Shumica e 31 emigrantëve të marrë peng në veri të Meksikës janë venezuelanë, thotë presidenti

Amerika

Shumica e 31 emigrantëve të marrë peng në veri të Meksikës janë venezuelanë, thotë presidenti

Më: 3 janar 2024 Në ora: 19:50
Meksikë

Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador tha sot se shumica e 31 emigrantëve të marrë peng në veri të Meksikës panë kufirit me SHBA, janë nga Venezuela.

“Shumica e tyre duket se janë venezuelanë, por ka edhe kolumbianë,” tha presidenti në konferencën e përditshme të shtypit.

Më herët edhe presidenti Kolumbian, Gustavo Petro, kishte thënë se mes të marrëve peng kishte katër kolumbianë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e të shtunës më 30 dhjetor, kur emigrantët po udhëtonin me një autobus në rrugën kombëtare Reynosa-Matamoros në shtetin meksikan të Tamaulipas, një nga korridoret e përdorur nga emigrantët që udhëtojnë drejt SHBA.

Burra të maskuar e të armatosur kishin detyruar pasagjerët të zbrisnin nga autobusi dhe të futeshin në disa furgonë, tha kreu i sigurisë meksikane Rosa Isela Rodríguez.

López Obrador tha se kjo nuk është hera e parë që emigrantët bien viktima të zhvatjes nga bandat kriminale: “Na ka ndodhur më parë kjo në San Luis Potosí, në zonën e Matehuala e gjithashtu në Nuevo León, Coahuila dhe më shumë në shtetin e Tamaulipas.”

Autobusi po udhëtonte nga qyteti i Monterrey, drejt Matamoros, në Tamaulipas, me 36 pasagjerë.

Banda e pengmarrësve kishte lejuar shoferët dhe pesë pasagjerë meksikanë të vijonin udhëtimin drejt Matamoros, sipas raportimeve të zyrtarëve.

Kufiri i Meksikës me SHBA është më shumë se 3,000 km i gjatë dhe gjithnjë e më shumë po kthehet në vendin e biznesit të krimit e rrëmbimeve ndaj emigrantëve që vijnë nga vende të varfra amerikano-latine.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat