Populisti Mieli i fiton zgjedhjet në Argjentinë, zotohet për ndryshime rrënjësore

Amerika

Populisti Mieli i fiton zgjedhjet në Argjentinë, zotohet për ndryshime rrënjësore

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 08:42
Populisti krahut të djathtë, Javier Milei, i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale në Argjentinë të dielën, shihet gjatë një fjalimi në Buenos Aires më 22 tetor 2023.

Populisti krahut të djathtë, Javier Milei, i ka fituar zgjedhjet presidenciale në Argjentinë të dielën, pas një fushate tejet polarizuese gjatë të cilës premtoi një ndryshim rrënjësor të shtetit për t’u përballur me inflacionin e madh dhe rritjen e varfërisë.

Kur janë numëruar tashmë 99.4 për qind të votave në balotazhin presidencial, Milei i ka fituar 55.7 për qind të tyre, ndërsa ministri i Ekonomisë, Sergio Massa, 44.3 për qind, sipas Komisionit Zgjedhor të Argjentinës.

Kjo është përqindja më e madhe e votave të fituara nga një kandidat presidencial prej se vendi i Amerikës Jugore iu rikthye demokracisë më 1983.

Në rrugët e Buenos Aires, shumë njerëz dolën për të festuar nëpër lagje të ndryshme.

Milei, një anarko-kapitalist i vetëshpallur që është krahasuar me ish-presidentin amerikan Donald Trump, tha pas fitores së “rindërtimi i Argjentinës fillon sot”.

Image
Argjentinasit duke e festuar fitoren e Javier Mileit në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të dielën më 19 nëntor në Buenos Aires.

“Argjentina është në gjendje kritike. Ndryshimet për të cilat ka nevojë vendi ynë janë rrënjësore. Nuk kemi kohë për t’u ngadalësuar. Nuk ka vend për masa të vakëta”, tha Milei.

Massa, nga partia në pushtet Peronist, e ka pranuar disfatën tashmë, duke thënë se argjentinasit “zgjodhën një rrugë tjetër”.

“Duke nisur nga nesër... garantimi i funksionimit politik, social dhe ekonomik është përgjegjësi e presidentit të ri. Shpresoj se ai do ta bëjë”, tha Massa.

Inflacioni në Argjentinë është rritur mbi 140 për qind dhe varfëria është përkeqësuar në kohë sa Massa ka qenë në pushtet.

Milei ka thënë se do ta zvogëlojë stafin e Qeverisë, do të fillojë ta përdorë dollarin si monedhë dhe do ta zhbëjë Bankën Qendrore, në mënyrë që ta luftojë inflacionin për të cilin i fajëson qeveritë e kaluara që kanë printuar para pa menduar vetëm për t’i financuar shpenzimet publike.

Ai tha, po ashtu, se i përkrah edhe disa politika konservatore sociale, përfshirë kundërshtimin e edukimit seksual në shkolla dhe abortin, të cilat Kongresi i Argjentinës i bëri të ligjshme më 2020./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat