Komunitetet hebraike dhe myslimane në SHBA, në gjendje gatishmërie

Amerika

Komunitetet hebraike dhe myslimane në SHBA, në gjendje gatishmërie

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 18:35
Foto ilustrim

Komunitetet myslimane dhe hebraike në SHBA janë në gjendje gatishmërie, për shkak të shqetësimeve për acarime ose sulme të mundshme në lidhje me konfliktin Izrael-Hamas. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, anëtarë të këtyre komuniteteve dhe të tjerë po bëjnë thirrje për zbutjen e tensioneve.

Që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, komunitetet myslimane dhe hebraike në SHBA janë në gjendje gatishmërie të lartë, pasi druhen se mund të vihen në shënjestër.

Një nga viktimat më të fundit të një krimi që mendohet të jetë motivuar nga urrejtja ishte një 6-vjeçar mysliman i cili u vra me thikë në Ilinois javën e kaluar.

Presidenti Joe Biden e dënoi ashpër vrasjen e tij dhe udhëzoi qeverinë që t'i jepte përparësi parandalimit të kërcënimeve në rritje.

Fadwa Hassan ka lindur në SHBA dhe ka të afërm palestinezë në Bregun Perëndimor. Ajo është e shqetësuar jo vetëm për ta, por edhe për rritjen e tensioneve këtu në Shtetet e Bashkuara.

“Ne tani shqetësohemi për çdo grua që mban hixhab, apo për ata që vijnë në xhaminë tonë për t'u falur. Gjithmonë kemi qenë të shqetësuar nga mundësia e dhunës.”

Linda Shapiro thotë se frika dhe ankthi janë shtuar mes anëtarëve të komunitetit të saj hebre, ndërsa në sinagogën e saj në Virxhinia, masat e sigurisë janë forcuar.

“Ne nuk duhet të përdorim gjuhën e fajësimit apo urrejtjes. Duhet të vazhdojmë t'i kujtojmë vetes dhe të gjithë të tjerëve se përgjegjësi është Hamasi", thotë ajo.

Statistikat e fundit të FBI-së tregojnë se krimet e urrejtjes kundër hebrenjve në SHBA janë intensifikuar vitet e fundit, duke u rritur me 36 për qind vetëm vitin e kaluar. Incidentet anti-myslimane kanë mbetur kryesisht në të njëjtin nivel, në rreth 200 në vit.

Por analistët paralajmërojnë se shifrat zakonisht rriten kur shpërthejnë konflikte në vende të tjera.

"Nga përvoja e kaluar e dimë se kur kemi viktima amerikane nga një konflikt i huaj, ose nëse ka konflikt midis izraelitëve dhe palestinezëve, si krimet e urrejtjes kundër myslimanëve, edhe ato kundër hebrenjve rriten ndjeshëm”, thotë kriminologu Brian Levin.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, (CAIR) i tha Zërit të Amerikës se që nga fillimi i luftës, ka marrë një valë njoftimesh për individë që janë vënë në shënjestër.

Por Drejtori i Kërkimeve dhe Mbrojtjes së të Drejtave në këtë Këshill, Corey Saylor thotë se organizata si e tija nuk mund të bëjnë më shumë sesa të dënojnë dhunën.

"Për dekada kemi folur për dialog, duke mbrojtur idenë se negociatat do të sjellin një zgjidhje paqësore."

Ndërkohë, Lidhja Anti-Shpifje, një organizatë hebraike kundër urrejtjes në SHBA, vë në dukje se mes komunitetit hebre në SHBA ka rryma të ndryshme të menduari.

“Këto konflikte që ndodhin jashtë vendit shkaktojnë dhimbje dhe emocione të forta në komunitetet tona këtu. Duhet kuptuar se nuk mund të konsiderohet përgjegjës një komunitet i tërë fetar apo etnik për veprimet e një qeverie, apo një luftë që po ndodh jashtë vendit”, thotë Rachel Sass e kësaj organizate.

Në rastet e krimeve të urrejtjes ose incidenteve të dhunshme, autoritetet inkurajojnë viktimat që t'i raportojnë ato menjëherë tek policia lokale apo tek organizatat joqeveritare./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat