Sfidat e bizneseve të vogla në Uashington

Amerika

Sfidat e bizneseve të vogla në Uashington

Më: 3 gusht 2023 Në ora: 21:43
Foto ilustrim

Administrata e Presidentit Joe Biden përmend shpesh fuqinë e ekonomisë amerikane si një arritje të saj. Por disa pronarë të bizneseve të vogla janë skeptikë sa i përket kësaj çështjeje.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias bisedoi me disa sipërmarrës, për të mësuar më shumë mbi vështirësitë e tyre ekonomike, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Gjatë vizitave në disa shtete amerikane, Presidenti Joe Biden prezantoi planin e tij ekonomik dhe theksoi sukseset e administratës së tij, duke përfshirë krijimin e mbi 13 milionë vendeve të reja të punës, nga dita kur mori detyrën.

“Inflacioni është në pikën më të ulët në më shumë se dy vite dhe pagat janë rritur për t’u përshtatur me inflacionin”, thotë zoti Biden.

Por disa biznese në lagjen “Cleveland Park” të Uashingtonit mezi po mbijetojnë.

Çmimet e ushqimeve janë shumë të larta, thotë Martha Bustos, menaxhere e restorantit meksikan “Laredo”.

“Ne kemi të njëjtat çmime, por duhet të rrisim pagat. Në fund, ne tregtarët nuk fitojmë asgjë”, thotë ajo.

Liz Winchell zotëron një studio arti në qendër të Uashintonit. Ajo thotë se nuk ka vërejtuar asnjë përmirësim ekonomik nën administratën e Presidentit Biden.

“Kostoja e qirasë dhe pagat, gjëra që unë nuk mund t’i kontrolloj, janë shumë të larta”, thotë ajo.

Menaxheri i një dyqani të pijeve alkoolike, Anthony Quinn, mbështet politikat ekonomike të Presidentit Biden.

Ndërsa për vështirësitë e biznesit të tij, ai fajëson çështjet si ndryshimet klimatike dhe pandemia.

Sepse kemi humbur 80, ose ndoshta 90 për qind të biznesit gjatë COVID-it”, thotë ai.

Jay Morris shet dhe riparon fshesa elektrike dhe makina për qepje. Ai thotë se ka vërejtjur ndryshim të sjelljes së konsumatorit.

“Gjithçka kushton më shumë. Më parë kishim njerëz që vinin dhe thoshin, ‘kam nevojë për këtë, për atë’. Tani janë më të kujdesshëm në zgjedhjet e tyre”, thotë ai.

Sipërmarrësit thonë se votat e tyre në zgjedhjet e vitit 2024 do të përcaktohen nga ekonomia dhe mbështetja e kandidatëve për bizneset e vogla./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat