Stoltenberg: Kemi parë shenja se Kina po shqyrton furnizimin me armë për Rusinë

Amerika

Stoltenberg: Kemi parë shenja se Kina po shqyrton furnizimin me armë për Rusinë

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 21:26
Sekretari i Përgjithshëm i NATO's, Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ka parë shenja se Kina po shqyrton furnizimin me armë për Rusinë, teksa ka paralajmëruar Pekinin për të mos ndërmarrë masa të tilla, raportoi të enjten “Al Jazeera”.

Këto komente të Stoltenbergut u bënë disa ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e paralajmëroi Kinën për pasojat nëse ofron mbështetje materiale për pushtimin rus të Ukrainës.

“Shqetësimi që kemi tani bazohet në informacionin që kemi se ata po shqyrtojnë ofrimin e mbështetjes vdekjeprurëse dhe ne ua kemi bërë shumë të qartë atyre se kjo do të shkaktonte një problem serioz për ne dhe në marrëdhënien tonë”, tha Blinken për gazetën “CBS”, duke sqaruar se i referohej armëve dhe municioneve, por duke mos përmendur llojet e tyre.

Në një intervistë për Reuters, Stoltenberg ka thënë se nuk është parë asnjë furnizim me ndihma ushtarake nga Kina në Rusi, por janë parë shenja që ata po e konsiderojnë dhe mund ta planifikojnë një gjë të tillë.

“Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë kanë qenë shumë të qartë, duke paralajmëruar kundër kësaj. Dhe Kina natyrisht nuk duhet të mbështesë luftën e paligjshme të Rusisë”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë të enjten se këto janë spekulime.

Marrëdhëniet e Rusisë dhe Kinës morën vëmendje më të madhe të mërkurën teksa presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi bisedime me kryediplomatin kinez Wang Yi në Moskë, duke përshëndetur rëndësinë e bashkëpunimit të dy vendeve.

Duke vënë në dukje përshkallëzimin e tensioneve ndërkombëtare, Putin tha se “në këtë kontekst, bashkëpunimi midis Republikës Popullore të Kinës dhe Federatës Ruse në arenën globale është veçanërisht i rëndësishëm për stabilizimin e situatës ndërkombëtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat