Drejtuesit e rinj të CNN-it synojnë të ndryshojnë perceptimin mbi rrjetin

Amerika

Drejtuesit e rinj të CNN-it synojnë të ndryshojnë perceptimin mbi rrjetin

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 22:56
Foto ilustrim

Ky do të kishte qenë nga ato lloje lajmesh, të cilit gazetari televiziv Brian Stelter normalisht, do i ishte futur me kokë, por vetëm në atë rast kur ai nuk do të ishte pjesë e tij (lajmit).

Rrjeti televiziv CNN njoftoi javën e kaluar se po anulonte emisionin “Reliable Sources”, “Burime të besueshme”, programin e tij 30-vjeçar, duke larguar dhe vetë gazetarin Stelter, si pjesë e një përpjekjeje të sapolindur nga drejtuesit i rinj për t'i rithyer identitetin rrjetit, të dëmtuar gjatë epokës së zotit Trump.

Rrjeti mediatik i lajmeve, tashmë nën flamurin e korporatës “Warner Discovery” dhe i udhëhequr që nga pranvera e këtij viti nga shefi ekzekutiv i “CNN Worldwide”, Chris Licht, po përpiqet të injektojë më shumë ekuilibër në programet e tij dhe të prodhojë më pak reagim negativ në mesin e republikanëve. Por se si dhe nëse një gjë e tillë do të mund të arrihet mbetet një mister.

"CNN-i duhet të kuptojë se çfarë dëshiron të jetë", thotë Carol Costello, një ish-spikere dhe aktualisht pedagoge e gazetarisë në universitetin “Loyola Marymount”.

Ish-presidenti Donald Trump e portretizoi CNN-in si një armik dhe një studim i Qendrës Kërkimore Pew ilustroi ndikimin që pati tek ndjekësit e tij. Në vitin 2014, ‘Pew’ doli në përfundimin se një e treta e njerëzve që identifikohen ose kanë prirje republikane thanë se nuk i besonin CNN-it si një burim për lajmet politike. Deri në vitin 2019, ky numër u rrit në 58 për qind, mosbesim edhe më i lartë se ndaj atij që ekziston për gazetën The New York Times, atë The Washington Post ose rrjetin televiziv MSNBC.

Dhe gjetjet vijnë përpara fushatës tejet të nxehur zgjedhore të 2020 dhe zemërimit lidhur me rezultatin e saj.

Shkarkimi vitin e kaluar i prezantuesit të CNN-it, Chris Cuomo, pasi në prapaskenë kishte ndihmuar vëllain e tij, ish-guvernatorin demokrat të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, gjithashtu dëmtoi reputacionin e CNN-it në mesin e republikanëve, thotë Carlos Curbelo, një ish-ligjvënës republikan nga Florida.

Ndërsa zoti Trump sulmonte rrjetin, CNN-i i përgjigjej flakë për flakë. Nën drejtuesin e mëparshëm Jeff Zucker, figurat e CNN-it mbanin me shumë qëndrime në transmetim se kurrë më parë. Anderson Cooper e krahasoi një herë zotin Trump me "një breshkë obeze të kthyer me shpinë, që piqej nën diellin e nxehtë, duke kuptuar se koha e tij kishte mbaruar", një koment për të cilën ai më vonë kërkoi falje.

“Të gjitha mediat kryesore u goditën me ardhjen e Donald Trump-it”, thotë zonja Costello. “Mendoj se ai goditi gazetarinë në përgjithësi, jo vetëm CNN-in. Për njëfarë kohe ne të gjithë luajtëm me të dhe raportimi ynë ishte disi histerik”.

Toni që përdor CNN-i lidhet shumë me ndryshimet në reputacionin e rrjetit, thotë Mark Whitaker, një gazetar veteran dhe ish-drejtues ekzekutiv i CNN-it.

CNN-i kishte shikueshmëri më të lartë dhe bënte më shumë zhurmë nën drejtimin e zotit Zucker, por zoti Whitaker ngre pyetjen: "A ia vlente kjo në raport me ndryshimin që krijoi në perceptimin mbi logon (e rrjetit)?!"

Duke u parë si një alternativë liberale në raport me Fox News Channel ky nuk do ishte një problem për një media që luan një rol të njëanshëm. Por për një kompani që e ka shitur veten si një burim i paanshëm lajmesh për më shumë se 40 vjet sikurse shikuesve, reklamuesve, operatorëve kabllorë ose satelitorë, kjo paraqet një problem.

Që kur zoti Licht mori drejtimin, spikerja e mëngjesit Brianna Keilar nuk flet më mbi lajme që lidhen me Fox News. Edhe pse zoti Licht nuk ka komentuar publikisht rreth arsyeve mbi largimin e zotit Stelter, kritikat e gazetarit ndaj Fox-it ishin një tipar i rregullt i "Reliable Sources".

John Malone, aktualisht anëtar i bordit të drejtorëve të Warner Discovery, tha në një intervistë për CNBC-në nëntorin e kaluar se "do të donte të shihte CNN-in të evoluonte përsëri drejt llojit të gazetarisë që nisi, gjë që do të ishte unike dhe rigjallëruese”. Po kështu, presidenti i kompanisë Warner Discovery dhe drejtori i saj ekzekutiv David Zaslav thatë gjatë një mbledhjeje të kompanisë në muajin prill, se CNN-i duhet ta ndaje veten nga një industri lajmesh që dominohet nga “rrjete aktiviste”. CNN-i duhet të përfaqësojë raportimin, të vërtetën dhe faktet, tha ai.

“Nëse arrijmë këtë, mund të kemi një shoqëri të civilizuar”, tha zoti Zaslav, që emëroi zotin Licht. “Dhe pa këtë, nëse çdo gjë shndërrohet në aktivizëm, nuk do të kemi një shoqëri të civilizuar”.

Zoti Licht ka dhënë pak intervista për gazetarë jashtë rrjetit, dhe një zëdhënës i CNN-it refuzoi të komentojë për këtë artikull.

Zoti Licht ka ndërmarrë hapa drejt objektivit që parashtruan shefat e tij. Ai dëshiron që spikerët e lajmeve të CNN-it të jenë të ndërgjegjshëm se ata ndonjëherë nuk bëjnë gjë tjetër vetëm sa u predikojnë njerëzve. Ai dëshiron që diskutimet të jenë informative, jo të dominuara nga pikëpamje ekstreme. Ai dëshiron t’u rezistohet materialeve që provokojnë reagime të forta emocionale. Ai urdhëroi që përdorimi në ekran i shënimit “Lajmi i Fundit”, të ruhet për ngjarje vërtet të sapondodhura.

Zoti Licht vajti gjithashtu në Uashington për t’u takuar me udhëheqësit republikanë, përfshirë kreun e republikanëve në Senat, Mitch McConnell dhe kreun e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Zoti Licht do të donte shihte më shumë republikanë në emisionet e CNN-it për të bërë intervista domethënëse, dhe jo domosdoshmërisht që të shfrytëzohen prej tyre për t’iu shfaqur mbështetësve si të fortë përballë armiqësisë. Gjatë javëve të fundit kanë filluar të shfaqen shenja të vogla suksesi: si dalja e Senatorit nga Karolina e Jugut, Tim Scott dhe Ligjvënësit nga Teksasi, Dan Crenshaw.

“Kjo vlen për të treja rrjetet (kabllore të lajmeve): Kur arrin të sigurosh paraqitjen e anëtarëve të vetëm një partie, kjo tregon se divizionit tuaj të lajmeve i mungon në thelb besueshmëria e gjysmës së vendit”, thotë zoti Curbelo, bashkëpunëtor i NBC News. Është ende herët për të gjykuar, por ai thotë se i ka pëlqyer çfarë ka parë deri më tani nga zoti Licht.

Takimet me republikanët janë pritur disi me habi. Strategu demokrat Kurt Bardella sugjeroi në një artikull në gazetën “Los Angeles Times” se CNN-i mezi po “priste të kënaqte” politikanët e shkëputur nga realiteti. Dhe Eric Deggans, kritik televiziv në NPR, tha se është i shqetësuar për rrezikun e normalizimit të gënjeshtrave, si ajo që zgjedhjet e fundit presidenciale u normalizuan.

“Nganjëherë gazetarët janë akuzuar se janë të njëanshëm, kur në fakt ajo çfarë kanë bërë ka qenë këmbëngulja për të vërtetën dhe refuzimi për të mbështetur një parti politike që po ripërkufizon të vërtetën për t’i shërbyer nevojave të saj”, tha zoti Deggans.

CNN-i vuri në dukje se zoti Licht pati kontakte të tilla edhe me ndihmësat e Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, ku paraqiti të dhënat demografike të shikuesve, si ilustrim për të provuar rëndësinë e daljes në intervista. CNN-i kundërshton idenë se gënjeshtrat do të liheshin pa u sfiduar, por tha se dëshiron që të gjithë amerikanët të ndjejnë se opinionet e tyre po dëgjohen.

“Pavarësisht nga çfarë do të bëjnë, ata do të sulmohen”, tha zoti Whitaker. “Trump dhe të tjerët do të vazhdojnë të bërtasin ‘lajme false’, për çdo gjë që nuk u pëlqen në media”. Por ai tha se CNN-i ka shanse më të mira se çdo rrjet tjetër që të tërheqë audiencën që kërkon më shumë balancë në gazetari.

Lëvizje të tjera të dukshme ka gjasa të ndërmerren së shpejti. Zoti Licht synon një ndryshim të emisioneve të mëngjesit të CNN-it dhe ka punësuar ish-kolegun nga rrjeti CBS News, Ryan Kadro, që ishte përgjegjës për emisionet e tyre të mëngjesit. CNN-i ka gjithashtu një boshllëk të paplotësuar në emisionet kryesore të mbrëmjes: Chris Cuomo nuk është zëvendësuar që kur u shkarkua dhjetorin e kaluar.

Por mbetet e paqartë se çfarë do të pasojë dhe zoti Deggans është kundër kësaj paqartësie. Ai u bëri thirrje drejtuesve të CNN-it që të jenë të qartë me shikuesit e tyre për hapat që po ndërmerren. “Përqasja e ekipit të ri drejtues duket se është ‘Na besoni. E kemi një plan”, thotë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat