SHBA studion përgjigjen e Iranit ndaj përpjekjeve të BE-së për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore

Amerika

SHBA studion përgjigjen e Iranit ndaj përpjekjeve të BE-së për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 15:29
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po studiojnë nga afër përgjigjen e Iranit ndaj atij që BE-ja thotë se është propozimi i saj përfundimtar për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Teheranin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, bisedimet jo të drejtpërdrejta dhe jo të rregullta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për ringjalljen e marrëveshjes kanë vazhduar për 16 muaj.

Pasi Irani paraqiti një përgjigje me shkrim të martën ndaj një propozimi të ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, administrata e presidentit Biden tha se po angazhohet me partnerët e saj evropianë për të shqyrtuar nga afër përgjigjen e Teheranit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se ai pajtohet me BE-në se ajo që mund të ishte negociuar me Iranin në bisedimet indirekte gjatë 16 muajve të fundit është negociuar dhe se ringjallja e marrëveshjes bërthamore - Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, ose JCPOA - është më mirë sesa të mos ketë marrëveshje.

"Ne e shikojmë këtë jo nga këndvështrimi politik, por ai i sigurisë kombëtare. Dhe ne kemi besim se një rikthim i ndërsjellë në përputhje me marrëveshjen mbetet mjeti më i mirë dhe me të vërtetë më efektiv për të kufizuar edhe një herë në mënyrë të verifikueshme dhe të përhershme programin bërthamor të Iranit", tha Ned Price zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Ish-presidenti Donald Trump vendosi tërheqjen në mënyrë të njëanshme të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018 dhe vendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit. Irani rifilloi programin e tij bërthamor, duke thënë se ai ishte vetëm për qëllime paqësore.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi, tha se programi bërthamor i Teheranit në vitin 2022 është shumë i ndryshëm nga ai i vitit 2015.

“Mendoj se të gjithë e kuptojnë këtë, duke filluar me vetë iranianët, të cilët thonë se po bëjnë hapa dhe përparime të mahnitshme, dhe se programi po ecën përpara me shpejtësi, dhe po rritet në ambicje dhe kapacitet”, thotë Rafael Mariano Grossi.

Një ekspert i njohur për çështjet e Iranit i tha Zërit të Amerikës se burimet e tij janë optimiste se marrëveshja do të shpëtojë.

“Ky është ndoshta toni më optimist që kam dëgjuar nga zyrtarët në Teheran, që kur këto lloj bisedimesh bërthamore rifilluan në prill. Njëzet, njëzet e një - kemi pasur kaq shumë raunde bisedimesh sa është e vështirë të mbash mend”, thotë Alex Vatanka me Institutin për Lindjen e Mesme.

Pasojat nga sulmi rus në Ukrainë po e bëjnë Iranin më këmbëngulës se kurrë për heqjen e sanksioneve, thotë eksperti Vatanka.

“Ekziston mundësia për të shitur më shumë naftë tani për shkak të asaj që po kalon Evropa në aspektin e krizës energjetike që e bën këtë një moment kaq të përshtatshëm për ta – Irani është i etur për të shitur naftë. Ata kanë nevojë dëshpërimisht për para”.

Një çështje tjetër është lirimi i amerikanëve të mbajtur peng në Iran. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tërhoqi vëmendjen të martën për rastin e iraniano-amerikanit Siamak Namazi, duke thënë se zoti Namazi është "arrestuar gabimisht në Iran" për 2500 ditë.

Ligjvënësi republikan Michael McCaul i tha Zërit të Amerikës se lirimi i amerikanëve të arrestuar duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje të re me Iranin, ndryshe nga marrëveshja origjinale e vitit 2015.

“Administrata e presidentit Biden duhet të sigurojë që çdo peng amerikan në Iran do të kthehet në atdhe. Këta amerikanë të pafajshëm kanë duruar vite të tëra akuzash të rreme, kushte të mjerueshme dhe ndarje nga të dashurit e tyre”.

Mediat iraniane cituan të mërkurën një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme të thoshte se Irani ishte i përgatitur të shkëmbente të burgosurit me Shtetet e Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat