Manchin: Nuk jam ende gati të votoj projektligjin prej 1.75 trilionë dollarësh

Amerika

Manchin: Nuk jam ende gati të votoj projektligjin prej 1.75 trilionë dollarësh

Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 21:57
Foto nga takimi

Axhenda e brendshme e Presidentit Joe Biden pësoi një goditje të konsiderueshme të hënën kur senatori i moderuar demokrat Joe Manchin njoftoi se nuk është ende gati ta mbështesë projektligjin prej 1.75 trilionë dollarësh që parashikon shpenzime në sektorë socialë, i cili u bë publik në fund të javës së kaluar.

"Ndërsa kam punuar shumë për të gjetur një rrugë për kompromis, është e qartë: kompromisi nuk është mjaftueshëm për shumë nga kolegët e mi në Kongres. Është gjithçka ose asgjë dhe pozicioni i tyre nuk duket se ndryshon nëse nuk biem dakord për gjithçka”, tha zoti Manchin në një konferencë shtypi.

"Është koha që udhëheqësit tanë të zgjedhur në Uashington, të gjithë ne, të ndalim lojrat politike me nevojat e popullit amerikan duke mbajtur peng një projektligj jetik mbi infrastrukturën", shtoi ai më tej.

Zoti Manchin e përshkroi projektligjit mbi shpenzimet si të mbushur me "lojëra politike" dhe "dredhi buxhetore" që do të përfundonin siç tha ai duke e ngritur faturën e projektligjit, nga 1.75 trilionë dollarë që propozohet.

Duket se kritikat i drejtoheshin demokratëve progresistë. Fatura e projekligjit u përgjysmua nga shifra paraprake që propozoi Presidenti Biden fillimisht, prej 3.5 trilionë dollarësh. Po kështu në të nuk janë përfshirë disa prioritete të progresistëve.

Zoti Manchin kërkoi veprim të menjëhershëm në Dhomën e Përfaqësuesve për një projektligj mbi infrastrukturën prej 1 trilion dollarësh që Senati miratoi në gusht me mbështetjen e 19 republikanëve.

Por progresistët e Partisë Demokrate, kanë kërkuar që të mos votohet për të derisa të garantohet miratimi nga Senati i projektligjit më të madh që synon zgjerimin e programeve sociale.

Sfida nga ana e zoti Manchin i ndërlikon edhe më tej përpjekjet e demokratëve lidhur me axhendën e tyre legjislative.

Përveç përpjekjeve për të miratuar dy projektligjet të rëndësishme, në pesë javët e ardhshme Kongresi përballet me afate jetike për të shmangur një mbyllje të qeverisë dhe çuarjen e saj në kushtet e mospagimit të borxhit çka do të kishte pasoja katastrofike në ekonominë e vendit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat