SHBA, komuniteti mong krenar për fitoren e gjimnastes Sunisa Lee

Amerika

SHBA, komuniteti mong krenar për fitoren e gjimnastes Sunisa Lee

Më: 16 gusht 2021 Në ora: 06:41
Sunisa Lee

Kur gjimastja amerikane Sunisa Lee mori medaljen e artë në Tokio, i gjithë komuniteti mong u përfshi nga krenaria. Ky komunitet nuk njihet shumë në Shtetet e Bashkuara; pak kanë dëgjuar për peripecitë e tyre të vështira si refugjatë nga Azia Juglindore që gjetën strehë në Amerikë. Fitorja e gjimnastes nga komuniteti mong në Minesota ishte momenti i duhur për të shpalosur krenarinë etnike.

Krenaria ndjehet ngado në komunitetin e vogël mong në pjesën lindore të Sejnt Polit. Njerëzit janë të ngazëllyer nga fitorja e 18-vjeçares Sunisa Lee që mori medaljen e artë në gjimnastikë.

“Ajo është për ne si personazhi Mulan. Na ka nderuar të gjithëve. Jemi shumë, shumë krenarë për të,” thotë një pjesëtare e komunitetit mong.

Një punonjës në Qendrën e Gjimnastikës në Litël Kanada të Minesotës, ku Sunisa është stërvitur më parë, përllogarit se për të përgatitur një fëmijë për të konkurruar në Olimpike në të ardhmen kushton afërsisht 100,000 dollarë.

Praktika me trajner si dhe udhëtimet për të marrë pjesë në konkurrime kombëtare e ndërkombëtare kanë kosto.

Shpërblimi ishte një bursë për gjimnastikë, që mbulonte plotësisht koston e studimeve në Universitetin Auburn të Alabamës.

“Impenjimi më i madh për të rritur një fëmijë që konkurron në këtë nivel është angazhimi me kohë dhe para, shumë para pasi është shumë e kushtueshme,” thotë John Lee, babai i gjimnastes.

“Kërkon shumë sakrificë,” thotë nëna e saj.

“Askush nuk e mendonte që do të konkurronte në Olimpike. Nuk u bë e mundur thjesht sepse njerëzit shihnin potencialin e saj, por sepse unë dhe nëna e saj kishim besim te vajza. Miqtë tanë kishin besim tek ne, prandaj thanë “John-i po e inkurajon vajzën, po e nxit. Ai ka nevojë për ndihmë dhe ne duhet ta ndihmojmë’,” thotë babai i gjimnastes.

Komuniteti mong e ka origjinën nga rajonet malore të Vjetnamit, Laosit dhe Tajlandës. Ata që u vendosën në Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Vjetnamit, erdhën nga Laosi pa asnjë zotërim.

Por në traditën e tyre është e ngulitur ndihma për njëri-tjetrin.

“Falë kësaj tradite, kur John Houa Lee dhe e shoqja kishin nevojë për ndihmë financiare, komuniteti mong i ndihmoi. Në këtë mënyrë ne mbështesim përparimin në shoqëri,” thotë Dr. Yanf Dao, udhëheqës në komunitetin mong.

Me shtimin e krimeve të urrejtjes gjatë pandemisë, shumë aziatiko-amerikanë kanë vënë në dyshim idenë e bashkëjetesës me raca të tjera.

Por zoti Dao dhe biznesmeni mong Toudoua Keu thonë se medaljet që fitoi gjimnastja Lee në Tokio, do të ndihmojnë për të kapërcyer urrejtjen brenda dhe jashtë komunitetit aziatiko-amerikan.

“Kjo na jep mundësi të kapërcejmë së bashku këto probleme, si dhe të punojmë së bashku për t’i zgjidhur,” thotë biznesmeni Toudoua Keu.

“Kur Sunisa fitoi medaljen e artë, të argjendit dhe të bronzit, bota filloi të respektoojë jo vetëm komunitetin mong, por të gjithë aziatikët,” thotë zoti Dao.

“Fitorja e Sunisa Lees ishte fitore për të gjithë në Shtetet e Bashkuara. Ishte fitore për Minesotën, për komunitetin mong. Kjo fitore ishte më e rëndësishme se ç’mund të përshkruhet me fjalë. Jam shumë i gëzuar dhe shumë krenar për gjimnasten,” thotë Mee Vang, spektator në paradë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat