Sulmi antisemit në Los Anxhelos po hetohet si krim urrejtjeje

Amerika

Sulmi antisemit në Los Anxhelos po hetohet si krim urrejtjeje

Më: 21 maj 2021 Në ora: 20:42
Protestues pro-Izraelit dhe pro-palestinezëve në Los Anxhelos

Policia po heton një sulm antisemit në një restorant të Los Anxhelosit si sulm urrejtjeje. Siç njofton nga Los Anxhelosi korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O'Sullivan, analistët ndërkohë janë të shqetësuar për sulmet e vazhdueshme ndaj grupeve të ndryshme etnike dhe fetare.

Të martën, protestues që valëvisnin flamuj palestinezë kaluan nga protesta e zhurmshme tek sulmet ndaj klientëve të restoranteve të ulur përjashta, duke kërkuar të dinin se cilët prej tyre ishin hebrenj.

"Këto janë skena që na sjellin në mendje rrugët e Gjermanisë naziste në Evropën e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk është një lloj skene që e kemi hasur më parë apo që do ta pranojmë në Los Anxhelos, i cili është qyteti i dytë që përmban të gjitha kombësitë dhe etnitë e botës", thotë Rabin Abraham Cooper, i Qendrës "Simon Wiesenthal".

Shpërthimet sporadike të dhunës në Shtetet e Bashkuara kanë patur në objektiv grupet minoritare apo mbështetësit e tyre, thotë një analiste në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë, e cila studioi krimet e urrejtjes në Kroaci, vend i konfliktit të dhunshëm etnik në vitet 1990.

"Nxiten nga ngjarje të ndryshme. Pas 11 shtatorit pati një rritje të madhe në krime urrejtjeje ndaj myslimanëve. Së fundmi, ka patur një rritje të madhe të krimeve të urrejtjes ndaj aziatiko-amerikanëve", thotë profesorja Gerstenfeld.

Krimet ndaj aziatiko-amerikanëve janë rritur, nga Kalifornia në Nju Jork, që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit. Rreth 1100 ishin raportuar deri para një viti.

"Tashmë kemi mbi 6600", tha Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.

Ndër vite ka patur objektiva të tjera. Një ekstremist goditi me thikë tre burra që mbrojtën gratë myslimane në vitin 2017. Të shtënat në një sinagogë lanë 11 të vrarë në Pittsburgh në vitin 2018. Fondet për policinë tashmë po ulen në shumë qytete amerikane.

"Si rezultat, komunitete si tonat po detyrohen t'u drejtohen firmave private të sigurisë për të garantuar sigurinë e njerëzve që ecin në lagjet tona. Kjo nuk është një situatë e qëndrueshme", thotë Rabini Cooper.

Ai thotë se për këtë problem duhet udhëheqje nga politikanët, mediat sociale dhe kompanitë.

"Kur përfshihen strukturat e zbatimit të ligjit, është tepër vonë. Dikush e ka kryer aktin. Pra, ky duhet të jetë një problem social. Duhet të shqyrtojmë jo vetëm arsyet për paragjykimet, por edhe përse njerëzit ndërmarrin veprime të tilla", thotë profesorja Gerstenfeld.

Duhet shqyrtuar edhe se si njerëzit mund të mësojnë të respektojnë njëri-tjetrin, pavarësisht nga dallimet që kanë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat