Aleatët e Amerikës shprehin optimizëm për administratën e re të Presidentit Biden

Amerika

Aleatët e Amerikës shprehin optimizëm për administratën e re të Presidentit Biden

Më: 20 janar 2021 Në ora: 22:23
Joe Biden

Aleatët e Shteteve të Bashkuara kanë shprehur optimizëm për marrëdhëniet e ardhshme dypalëshe nën administratën e re të Presidentit Joe Biden. Por, megjithë fjalët e ngrohta, ekzistojnë pengesa të mundshme në rrugën e përmirësimit të lidhjeve mes Uashingtonit dhe Brukselit.

Administrata e re e Presidentit Joe Biden përfaqëson një kapitull të ri jo vetëm për Amerikën, por edhe për botën. Për aleatët dhe armiqtë, marrëdhëniet e reja me superfuqinë e botës tashmë kanë filluar të ndryshojnë. Në Evropë ka një optimizëm për marrëdhëniet me Amerikën.

"Ndryshimi i klimës, politikat e tregtisë globale, institucionet shumëpalëshe dhe siguria evropiane janë në krye të axhendës së udhëheqësve evropianë në diskutimet që do të kenë me zotin Joe Biden", thotë Rem Kortweg, analist i politikës së jashtme në Institutin Clingendael.

Por çështja e Kinës mund të jetë një pengesë e madhe. Bashkimi Evropian ka rënë dakord në parim për një marrëveshje investimi me Kinën, pavarësisht shqetësimeve në lidhje me praktikat tregtare të Pekinit dhe abuzimet e të drejtave të njeriut.

"Evropa nuk e sheh Kinën si një konkurrente të barabartë gjeopolitike. Jo ashtu siç shihet nga Shtetet e Bashkuara”, thotë analisti Rem Korteweg.

Kur ishte nënpresident në administratën e Presidenti Barak Obama, zoti Biden krijoi marrëdhënie të mira me aleatët evropianë. Por në katër vitet e fundit shumë evropianë kanë filluar të vënë në dyshim mbështetjen e tyre tek Amerika, thotë analisti Korteweg.

"Ata mendojnë se duhet të zhvillojnë të ashtuquajturën "autonomi strategjike". Amerikanët do të insistojnë se ata janë kthyer në skenën ndërkombëtare dhe evropianët duhet t’i ndjekin ata. Do të duhet të ndërtohet një besim dhe koordinim i mirë për t’u siguruar që amerikanët dhe evropianët të mos përplasen për çështje kaq të rëndësishme si ajo e Kinës”, tha ai.

Ndërkohë, tregtia evropiane me Shtetet e Bashkuara po ndeshet me pengesa. Nën Presidentin Trump, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa vendosën tarifa të ndërsjellta ndaj importeve.

"Në krye të rendit të ditës do të jetë ndërprerja e luftës tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, heqja e sanksioneve të administratës amerikane ndaj verës franceze, për shembull, ndalimi i konfliktit mes kompanive Boeing dhe Airbus, që nuk është në interes as të Shteteve të Bashkuara dhe as të vendeve evropiane”, tha ministri francez i ekonomisë, Bruno Le Maire.

Britania tradicionalisht është parë si ura transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Por lidhjet e Londrës me BE-në janë shkëputur për shkak të Brexitit.

"Pra, kur bëhet fjalë për çështjet tregtare, ndryshimet klimatike, çështjet ekonomike, krizat financiare, Britania nuk do të jetë porti i parë i Amerikës", thotë analisti Rem Kortweg.

Megjithatë, Britania mbetet një partner kryesor i sigurisë. Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab tha të martën se ringjallja e marrëveshjes bërthamore me Iranin, nga e cila Shtetet e Bashkuara u tërhoqën më 2018, është një përparësi kryesore.

"Angazhimi i administratës së re ndaj bisedimeve për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamrore me Iranin dhe për ta forcuar atë është i mirëseardhur", tha ai.

Pandemia e koronavirusit ka sjellë kriza shëndetësore dhe ekonomike si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Në aspektin afatshkurtër, trajtimi i këtyre emergjencave të brendshme ka të ngjarë të jetë përparësi kryesore në të dyja anët e Atlantikut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat