Gjyqësori më konservator, një trashëgimi e Presidentit Trump

Amerika

Gjyqësori më konservator, një trashëgimi e Presidentit Trump

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 06:13
Ilustrim

"Gjykata e Lartë vërtet na zhgënjeu", u shpreh i zemëruar Presidenti amerikan Donald Trump në Twitter më 12 Dhjetor. "Nuk tregoi as pjekuri, as guxim”, shkroi ai.

Komenti u bë vetëm disa orë pasi gjykata e lartë hodhi poshtë një padi gjyqësore të paraqitur nga Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit kundër katër shteteve fushë-betejë që zoti Trump humbi ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Padia kërkonte të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve, por gjykata nuk pranoi as t’i merrte në shqyrtim.

Nuk ishte hera e parë që Gjykata e Lartë zemëronte Presidentin Trump me një vendim që ai nuk e dëshironte. Vetëm pesë ditë para kësaj, gjyqtarët ishin deklaruar njëzëri kundër një përpjekjeje tjetër republikane për të zhbërë fitoren e zotit Biden në Pensilvani.

Edhe pse gjykata nuk pranoi të përfshihej në përpjekjet, pa gjasa suksesi, të zotit Trump për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve, presidenti në largim përsëri mund t’i njohë vetes meritën se e ka bërë Gjykatën e Lartë - dhe përgjithësisht gjyqësorin në shkallë federale - më konservator.

Për një president me një mandat, zoti Trump ka patur një sukses të jashtëzakonshëm me emërimet e tij në Gjykatën e Lartë. Në vetëm katër vjet, ai emëroi tre gjyqtarë - më shumë se çdo president tjetër me një mandat që nga Richard M. Nixoni - duke hedhur bazat për një ndryshim dramatik në rrafshin ideologjik të Gjykatës, e cila ka tani një shumicë të re 6-3 konservatore.

Dy të emëruarit e parë të Presidentit Trump në Gjykatë, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh, zëvëndësuan dy gjyqtarë të emëruar në të kaluarën nga presidentë republikanë. Ndërsa, e emëruara e tij e tretë dhe e fundit, Amy Coney Barrett, zëvendësoi të kundërtën e saj polare, ikonën liberale Ruth Bader Ginsburg.

"Është një gjykatë me një epërsi 6-3 pas shumë vitesh të ekuilibruara 5-4 midis konservatorëve dhe liberalëve," tha Melissa Murray, profesore e së drejtës në Universitetin e Nju Jorkut.

Me një shumicë konservatore 5-4, mjaftonte votimi kundër i vetëm një konservatori që të çonte në një rezultat liberal, tha zonja Murray. Kjo votë vendimtare e pestë hidhej shpesh nga kreu i Gjykatës, konservatori i moderuar John Roberts.

Tani, me një supershumicë të hekurt 6-3 për konservatorët, “gjendja është shumë e ndryshme nëse shohim drejt së ardhmes", tha ajo, duke shtuar se vota e gjyqtarit Roberts nuk është më e rëndësishme.

Për më tepër, mosha relativisht e re e të emëruarve të Presidentit Trump siguron jetëgjatësinë e tyre në gjykatë. Mosha e tyre mesatare është 52 vjeç. Barrett, 48-vjeçare, është më e reja. Ajo është 39 vjet më e re se sa paraardhësja e saj. Kjo do të thotë që edhe shumë kohë pasi zoti Trump të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë, ndikimi i tij në Gjykatën e Lartë do të vazhdojë të ndihet, thotë Andrew Hessick, profesor i së drejtës në Universitetin e Karolinës së Veriut.

"Ata do të jenë të gjithë potencialisht në detyrë, edhe për 30 vjet apo më shumë. Kjo është një kohë mjaft e gjatë dhe mund të ketë një ndikim mjaft të rëndësishëm në çështje të veçanta," thotë profesor Hessick.

Ndikimi i gjykatës së lartë mund, nga ana tjetër, të ndihet në të gjithë drejtësinë federale, ku Presidenti Trump ka caktuar më shumë se 200 gjyqtarë mjaft konservatorë, thotë ai.

Zhvendosja ideologjike e gjyqësorit

Në dekadat e fundit, disa gjyqtarë të emëruar nga republikanët janë zhvendosur majtas, duke rritur mundësinë që një ose më shumë të emëruar të zotit Trump të ndjekin rrugën e tyre. Megjithatë, të emëruarit e Presidentit Trump janë "më të konsoliduar ideologjikisht" në pikëpamjet e tyre, tha zonja Murray.

"Prandaj mendoj se ekzistojnë pikëpyetje reale nëse do të shikojmë apo jo të njëjtën lloj zhvendosjeje me kalimin e kohës," tha ajo.

Si Gorsuch ashtu edhe Kavanaugh, i kanë zhgënjyer disa konservatorë, duke mbështetur herë pas here krahun liberal të gjykatës. Gorsuch, për shembull, shkroi një opinion historik në muajin qershor duke thënë se një ligj i vitit 1964 mbron punonjësit LGBTQ nga diskriminimi.

Vendimi u mbështet nga katër liberalët e gjykatës në atë kohë, si dhe nga kryetari i saj Roberts.

Megjithatë gjykata është bërë përfundimisht më konservatore sesa ishte katër vjet më parë, kur Presidenti Trump mori detyrën. Sipas ekspertëve, Gjykata e Lartë ka peshuar në të djathtë gjatë dy viteve të fundit.

Adam Feldman, autor i blogut Empirical SCOTUS, thotë se Presidenti Trump "e zhvendosi gjykatën në të djathtë".

"Kjo është e qartë nga provat që kemi nga dy mandatet e fundit," tha Feldman./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat