​SHBA:Sulmet e hakerëve kërcënim serioz për qeverinë dhe sektorin privat

Amerika

​SHBA:Sulmet e hakerëve kërcënim serioz për qeverinë dhe sektorin privat

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 22:51
Foto Ilustrim

Autoritetet amerikane shprehën shqetësimin sot për ndërhyrjet në sistemet kompjuterike në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, për të cilat zyrtarët dyshojnë se ishin kryer nga hakerë rusë dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike paralajmëroi për një rrezik "serioz" për qeverinë dhe rrjetet private.

Agjencia për Siguri dhe Infrastrukturë Kibernetike (CISA) deklaroi se ishte e vështirë të zbulohej ndërhyrja dhe se nuk do të ishte e lehtë të hiqej softueri që ishte futur në sistemet kompjuterike.

CISA nuk tregoi se cilat agjenci ose infrastruktura u bastisën ose çfarë informacioni u mor gjatë hakimit, e cila, siç u tha më parë, filloi në mars, por tha se autoritetet amerikane do të marrin masat e nevojshme për të mbrojtur veten nga sulmet kibernetike.

"Parandalimi i kërcënimeve në kompjuter do të jetë sigurisht një proces shumë kompleks dhe sfidues," thuhet në deklaratë.

Presidenti Donald Trump, administrata e të cilit është kritikuar për largimin e këshilltarëve të sigurisë kibernetike nga Shtëpia e Bardhë dhe i cili nënvlerësoi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale 2016, nuk komentoi mbi sulmet e hakerëve.

Presidenti i zgjedhur Joseph Biden tha se siguria kibernetike do të ishte një përparësi kryesore për administratën e tij.

Agjencia e Sigurisë Kibernetike më parë njoftoi se autorët e krimit përdorën softuerin e kompanisë teknologjike Solar Winds, me qendër në Teksas, për të infiltruar në rrjetet kompjuterike.

Gjatë fundjavës, CISA urdhëroi të gjitha agjencitë qeveritare të heqin SolarWinds nga serverët e tyre. Agjencitë e sigurisë kibernetike të Britanisë dhe Irlandës kanë lëshuar paralajmërime të ngjashme.

Një zyrtar amerikan më parë tha për Associated Press se hakerët rusë dyshohen, por as CISA dhe as FBI nuk kanë njoftuar publikisht se kush është përgjegjës për sulmin.

I pyetur nëse Rusia qëndron pas sulmit, zyrtari tha: "Ne besojmë. Ne ende nuk e kemi njoftuar këtë publikisht pasi kjo nuk është konfirmuar njëqind për qind ".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat