Reagon trajneri pasi Uta Ibrahimi shkeli majën e malit ‘vrasës’!

Alpinizem

Reagon trajneri pasi Uta Ibrahimi shkeli majën e malit ‘vrasës’!

Nga: N. Sh. Më: 27 korrik 2023 Në ora: 19:59
Uta Ibrahimi

Trajneri i alpinistes Uta Ibrahimi, Xhimi Begeja ka shkruar për sukesin e saj.

Begeja thotë se Uta e ngjiti K2-shin, malin më të vështirë dhe më të rrezikshëm të globit.

Ky mal sipas trajnerit është cilësuar si mali ‘vrasës’.

Trajneri përmes një shkrimi të gjatë ka treguar se pse Uta e bëri këtë ngjitje në këtë lartësi.

Shkrimi i plotë:

Reflektim mes Utës dhe majave Nanga Parbat, Broad Peak dhe K2!

Uta Ibrahimi e ngjiti K2-shin, malin më të vështirë dhe më të rrezikshëm të globit, të cilësuar si një mal ‘vrasës’, pasi probabiliteti i alpinistëve për të mbijetuar gjatë ngjitjes së tij është mjaft i ulët.

Uta do të veçojë në suksesin e ngjitjes së K2-shit, pasi në ndryshim më shumë alpinistë të tjerë që kanë ‘mundur’ K2, ajo vinte pas ngjitjeve të suksesshme të Nanga Parbat, me 8 Korrik 2023, Broad Peak, më 23 Korrik 2023 dhe sot, më 27 Korrik 2023, duke hyrë në historinë e rekordeve botërore, ku shumë pak femra kanë ngjitur tre maja brenda një muaji. E sigurisht, ajo mban tashmë rekordin si e para në Ballkan eshte femër  shqiptare që e ka realizuar këtë në malet Himalajeve.

"Mali është Mbret! Të gjithë jemi skllevër para tij", -  ka thënë Mesner, i pari alpinist që hapi rrugëtimin e alpinizmit modern. Alpinizmi nuk është sport qëllimi, por gare! Garë me kohën, garë me malin dhe garë me veten. Ku nuk ka garë nuk ka rekorde!

Kur themi ishin "male vrasës", nënkuptojmë së pari shkallën e lartë të rrezikut e përulemi me nderim para kujtimit të atyre burrave e grave që sakrifikuan jetën për të realizuar ëndrrën e tyre. E kjo dëshmon qartë edhe shkallën e pafund të rrezikuar me të cilën është përballuar Uta, ku jeta dhe vdekja kacafyten mes tyre në çdo centimetër ngjitje e çdo minutë që vijon sprova. Për të gjithë ata që nuk e njohin shumë sportin e alpinizmi e disiplinave të tij, duhet të kenë shumë të qartë se është një nga sportet me rrezikshmëri shumë të madhe, që sfidon vdekjen. E prandaj institucionet zyrtare sportive duhet t’ i marrin në konsideratë këto rekorde botërore nga njëra anë, por nga ana tjetër duhet të kenë gjithë vëmendjen e duhur që t’ trajtojnë si një frymëzim për shoqërinë, dashurinë për malin, dashurinë për natyrën, për një jetë sa më të shëndetshme, por edhe si një tjetër mënyrë për të zhvilluar turizmin malor në tersi!

 Çdo 8 mijë metërsh në Himalaja është i barasvlershëm me një medalje ari në Olimpiada ose Kampionate Botërore, por me një ndryshim shumë të madh nga disiplinat e tyre alpinizmi në përgjithësi dhe sfida në Himalaje në veçanti janë sfida ndaj vdekjes, ku shkalla e rrezikut është përtej të paimagjinueshmes.

Republika Kosovës e ka bërë deri diku detyrën e saj ndaj Uta Ibrahimit. Duhet jem i sinqertë si njeriu më i afërt dhe se trajner i saj, se në Shqipëri e perceptojnë akoma alpinizmin si sport i dorës së dytë apo te tretë , "si sport bërxolle". Nuk mund të them se kanë refuzuar të ndihmojë në ndërmarrjen e jashtëzakonshme të Utës, pasi realisht nuk u është bërë kërkesë zyrtare, por është e udhës që vetë institucionet të jenë shumë më të vëmendshme edhe ndaj alpinistëve. Sigurisht vlerësimi për çdo sport dhe sportist që ushtrohet në disiplinën e vet është respektuar, vlerësuar dhe i barasvlershëm, por Komiteti Olimpik i Shqipërisë dhe ai Kosovës duhet ta dinë se disiplina e kacavjerrëse në murin alpin artificial është tashmë disiplinë Olimpike,  duke filluar nga Lojërat olimpike të Tokios  dhe shkolla nga dalin këta sportist është alpinizmi real, kacavjerrja në mal.

Kjo shkollë e beri Utën të realizojë ngjitjen e K2-shit me kosto minimale dhe me mbështetjen e bashkëshortit të saj Meto, familjes së saj, dashamirësve e kontribuesve të ndryshëm, e fatmirësisht edhe nga Federata e Alpinizmit dhe Qeveria e Kosovës. Duket sikur është mbështetje e madhe, po sinqerisht pohoj se nuk mjaftoi.

Vështirësitë në organizimin e këtyre ekspeditave ishin të shumta, e kryesisht në aspektin financiar. Janë marrë kredi bankare nga miqtë e saj për të bërë të mundur këtë rekord për alpinizmin shqiptar të femrave por edhe atë botëror! E ky veprim është dëshmia më e fuqishme e pasionit dhe solidariteti njerëzor e miqësor, por që e theksoj është shumë pak në raport me ndihmën dhe financimin që duhet t’ u garantohet këtyre heronjve të malit, por njëkohësisht edhe pjesë e krenarisë kombëtare, pasi nuk ka gjë më ë bukur se të shikosh flamurin kombëtar dhe atë të shtetit të Kosovës të valëviten krenarë në majat më të larta të Botës, atu ku shumë pak njerëz mundën të shkojnë. Sfidimi i Himalajeve është një nga arritjet më madhore që qenia njerëzore ka bërë të mundur ndaj natyrës. Shumë jëtë kanë humbur e do të humbin, ashtu si shumë sportistë kanë triumfuar e do të triumfojnë në ndjekje të këtij pasioni.

Më lejoni t’ ju bëj me dije se po sot, më 27 Korrik 2023, u thye një tjetër rekord botëror. Një alpiniste tjetër norvegjrze Kristn Harila ngjiti të 14 majat 8 mijë metërshe brenda një sezoni 6 muaj . Një arritje e jashtëzakonshme pa diskutim, por duhet nënvizuar se ajo pati mbështetje një staf prej 12 Sherpa, portera, helikopterë dhe një buxhet prej 1mln $. Ky super rekord me këtë super mbështetje nuk e zbeh aspak rekordin që Utalaja vendosi. Përkundrazi e përforcon tmerrësisht atë pasi Uta realizoi rekordin e saj me vetëm 20 mijë $, me burim  kursimet e saj, me kredi dhe staf vetëm një Sherpa Nurja i cili e asistoi besnikërisht në të tre ekspeditat, po aq heroik në misionin e tij.

Përse Uta bëri këtë sakrificë?

Një nga motivimet e saj mbetet kujtimi i  Bibit (babai i saj i ndjerë) dhe nëna e saj  znj. Lutfije. Motivimi i tjetër, bashkëshorti i saj Meto, si edhe tre motrat e vëllai i vetëm, por edhe gjithë familjen Ibrahimi. Dëshira e pafund për të bërë krenare Kosovën dhe Shqipërinë dhe betimi për të respektuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar, besuar e mbështetur në iniciativën dhe sakrificat e saj janë motive po kaq të forta dhe frymëzuese. Janë mjaftueshëm fakte për të kuptuar pasionin dhe lidhjen e saj shpirtërore për këtë sport. Jam i bindur se ajo ndjehet pafundësisht e lumtur edhe me mbështetjen dhe respektin që njerëzit po tregojnë si me mesazhe individuale ashtu edhe në rrjetet sociale. Shpresoj se edhe institucionet shtetërore e sportive të bëhen pjesë e urimeve dhe festimeve në nder të kësaj arritjeje madhore jo vetëm për Utën, por edhe dy shtetet tona. Duhet kuptuar qartë se meriton shumë vëmendje e mbështetje një sportiste femër që rrezikon jetën e saj, në nivele të pakrahasueshme me sporte e disiplina të tjera.

Nuk dua të minimizoj apo të makasimalizoj individë e sporte të ndryshme, por kam bindjen e plotë se nuk ka asnjë ndryshim nga arritjet dhe sukseset e Majlinda Kelmendit, Luiza Gegës suksesi i Uta Ibrahimit apo Arineta Mulës, me përjashtim të fakti se ato i kalojnë momentet e lavdisë të vetmuara në ato lartësi ku jo kush do shkon dhe larg kamerave apo vëmendjes së mediave. E nëse dikush mendon ndryshe, le ta thotë hapur mendimin e tij pasi mbi këto vlera e parime ndërtohet barazia mes disiplinave dhe arritjeve.

Ushtruesit e sportit të alpinizmit e të bjeshktarisë, ku unë jam pjesë që në rininë time të hareshme jemi nga të paktët që kuptojmë dhe ndjejmë thellë brenda nesh sakrificën e saj, vuajtjen e saj nga mungesa e oksigjenit dhe të ftohtit që mund ta gjymtojë përgjithmonë, me idenë e frikshme se ndoshta ato maja mund të jenë edhe ‘shtrati’ i përjetshëm për të. Ajo dha mesazhin e plotë: "Natyra më dha mundësinë për t’ u krenuar me të dhe dua t’ a mbroj të sakrifikoj për të", prandaj "Nuk je si gjithë të tjerët"!  Për mua ishte ekspedita më emocionuese dhe me e bukura e Utës. Këto muaj çdo orë dhe ditë ishin sikur po ndiqja gjithë ankth një garë të kalibrit botëror, ku jeta dhe vdekja i qëndronin frikshëm përballë njëra-tjetrës. Nja ankth i pafund, por që përfundoi me sukses të plotë! Këtu misioni mund të konsiderohet i përfunduar, ë krenarisht shqiptoj: Bacë u kry!

Jam besimplotë se në aeroportin e Prishtinës, që mban edhe emrin e heroit legjendar Adem Jashari, do të jetë i madh e vogël, zyrtarë e qeveritarë për të mirëpritur Utën, vajzën shqiptare që ‘mposhti’ Himalajat!

Me shumë respekt Familja Begeja

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat