Albin Kurti këshillon Edi Ramën

Aktuale

Albin Kurti këshillon Edi Ramën

Më: 17 janar 2014 Në ora: 22:19

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk i beson marrëveshjeve të arritura nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në takimin e Prizrenit.Ndonëse e ka mirëpritur këtë takim, ai thotë se Bashkimi Kombëtar nuk ndodh në televizor por në realitet.
Kurti kritikon Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se marrëveshjet me Serbinë i konsideron më serioze se ato me Shqipërinë.
“Takimeve të tilla duhet t’ju gëzohemi kombëtarisht. Mirëpo, duhet të jemi shumë të kujdesshëm politikisht, pasi që mbledhjet dhe takimet nuk garantojnë përparim dhe zhvillim të përbashkët. Bashkimi kombëtar nuk ndodh në televizor. Bashkimi kombëtar ndodh në realitetin e qytetarëve, në çdo aspekt, prej atij kulturor, arsimor dhe ekonomik e deri tek ai politik dhe shtetëror”, ka thënë Kurti në një intervistë dhënë televizionit shqiptar, ABC News.
Ai ka thënë se me termin “Bashkim kombëtar” nuk nënkuptojmë vetëm bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pasi që, sipas tij, “Bashkimi kombëtar është më i madh se cilado prej këtyre dyjave e po ashtu edhe më i madh se të dyja këto së bashku”.
Kurti ka folur edhe për atë se çfarë ai mendon konkretisht për kryeministrin Thaçi, duke thënë nuk i beson atij në asnjë aspekt.
“Ju e dini që unë nuk jam në mesin e atyre qytetarëve që i besoj Kryeministrit të Kosovës. Dhe, nuk mund t’i besoj as për këto marrëveshje. Nuk është kjo marrëveshja e parë Kosovë-Shqipëri. Kemi edhe marrëveshje në mes të Ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj dhe homologut të tij nga Shqipëria, e cila u degradua si marrëveshje për konsullata të përbashkëta dhe që nuk u realizua fare tash e 3 vjet”, është shprehur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kurti kritikon Kryeministrin Thaçi se ndau dhjetëra miliona euro në bisedime me Serbinë për veriun, ndërsa së bashku me Kryeministrin Edi Rama kanë vendosur të dhurojnë, siç shprehët ai, “disa qindarka për Luginën e Preshevës”.
“Ka një lloj hipokrizie që në njërën anë merresh vesh për dhjetëra miliona me Qeverinë e Serbisë për territorin e Kosovës, e në anën tjetër ndahen ca qindarka për Luginën e Preshevës”, ka theksuar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë dhënë ABC News.
Ai ka paralajmëruar shefin e ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, që të jetë i vëmendshëm e të mos bëhet vegël për të justifikuar kryeministrin Thaçi, për marrëveshjet me Serbinë në dëm të Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat