Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin, Dejan Sllaviq.
Në këtë mënyrë, Apeli ka refuzuar ankesën e avokatit të tij mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 07 maj.
Sllaviq dyshohet nga ana e Prokurorisë se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” sipas nenit 142 lidhur më 22 të Kodit penal të RSFJ-së, aktualisht e paraparë me nenin 153 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe aktet ndërkombëtare të zbatueshme në vend.
Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tij.
Sllaviq ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës në pikëkalimin kufitar midis Kosovës e Serbisë në Jarinje derisa po vinte në drejtim të Kosovës.