Milionerët e OVL-së akuzojnë veteranët hallexhinj se protestuan për qëllime personale

Aktuale

Milionerët e OVL-së akuzojnë veteranët hallexhinj se protestuan për qëllime personale

Më: 11 prill 2018 Në ora: 11:40
Nasim Haradinaj dhe Hysni Ngucati

Dje në Prishtinë u mbajt një protestë nga një pjesë e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët para Qeverisë së Kosovës protestuan kundër manipulimit të listave të veteranëve. Por protesta e tyre u kundërshtua nga Organizatat e Dala nga Lufta.

Përderisa veteranët që protestuan dje kërkuan që të rinis procesi për verifikimin e veteranëve të luftës dhe të thirren nga prokuroria që të dëshmojnë, kryetari i OVL-së Hysni Gucati me nguti akuzoi ata se po protestojnë për qëllime personale, duke thënë se disave prej tyre nuk u është njohur statusi i veteranit, shkruan Periskopi.

Veteranët që protestuan dje thanë që kanë tri kërkesa.

“Ne jemi të gjithë organizatorë pa kurrfarë dallime, ne jemi veteranë, ne kemi ardhë për tre kërkesa: të pastrohen listat nga veteranët e rrejshëm, të filloj edhe një herë shkrimi i listave, të vihen para drejtësisë ata që kanë manipuluar dhe të na thërret prokuroria që të dëshmojmë”, thanë ata.

Por Gucati tha se vetë OVL-ja e ka dërguar në Prokurori çështjen e listave të veteranëve.

“Ne para 8 muajsh kemi dërguar në Prokurori listat e veteranëve. Ata që kanë protestuar sot kanë dalë sepse nuk iu është njohur statusi i invalidit të luftës. Ata kanë dashur ta ngrisin këtë çështje dhe rastet e tyre personale të bëhen të ditura për media”, tha ai.

Megjithatë, përkundër se Gucati thotë se çështja është dërguar në Prokurori, asnjë hap i vetëm nuk është ndërmarrë nga institucionet e drejtësisë në hetimin e listave, ndërsa akuzimi i veteranëve që protestuan dje la përshtypjen e një sulmi ndaj veteranëve që nuk dëgjojnë instruksione e organizatës që udhëheq Gucati, e cila akuzohet shpesh për manipulim të listave të veteranëve për qëllime elektorale të PDK-së dhe AAK-së.

Në anën tjetër, akuza se protesta e djeshme kishte qëllime personale të veteranëve, të sjell në mendje luksin e dy personave që udhëheqin organizatën e veteranëve, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Në media shpesh është raportuar për pasurinë e tyre.

Pasuria e Nasim Haradinajt kap shifrat milionëshe, duke u bazuar në raportet e deklarimit të pasurisë. Sipas raportit, pasuria e tij është mbi 4.5 milionë euro. Deklarimin e pasurisë, ai ishte detyruar ta bëj në cilësinë e drejtorit në Komunën e Deçanit.

Për Gucatin nuk ka raport, meqenëse nuk mban ndonjë post publik që e detyron që ta deklarojë pasurinë, por edhe ai bën jetë luksoze krahasuar me veteranët të cilët ai i akuzoi se protestuan për qëllime personale.

Megjithatë, kur jemi të listat e fryra të veteranëve, pakënaqësi kishte shprehur edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, i cili në një prononcim televiziv kishte thënë se sipas regjistrave janë rreth 15-17 mijë veteranë dhe jo mbi 60 mijë, siç kanë dalë nga procesi i verifikimit të veteranit të luftës, që është mbikëqyrur nga OVL dhe institucionet shtetërore.

“Mënyra më e lehtë është shfrytëzimi i arkivave të ushtarëve të UÇK-së. Janë arkivat dhe Prokuroria e Shtetit mund të bazohet në ato arkiva për të parë numrin e saktë të ushtarëve të UÇK-së. Janë tri arkiva, dhe në të tri ato mund të gjenden të gjithë emrat. Nuk dalin 60 mijë veteranë, por janë rreth 15-17 mijë sosh. Edhe Kryeparlamentari [Kadri Veseli] e ka pranuar se janë fryrë listat, por fatkeqësisht nuk po merren organet e rendit me këtë punë”, kishte thënë Qeriqi.

Procesi i verifikimit të statusit të veteranit kishte përfunduar gjatë kohës sa me Kosovën qeveriste koalicioni PDK-LDK. Influencë të madhe gjatë këtij procesi kishte ushtruar zëvendëskryeministri i atëhershëm, tash president Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat