Testi PISA mbahet nga 11 prilli deri më 5 maj

Aktuale

Testi PISA mbahet nga 11 prilli deri më 5 maj

Më: 21 mars 2018 Në ora: 13:11
Ilustrim

Testimi ndërkombëtar PISA në Kosovë do të mbahet nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim do të marrin pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova. Pritjet për këtë test nga akterët që merren me arsimin në Kosovë janë shumë pozitive, ku ata thonë se do të ketë rezultate më të mira sesa në vitin 2015.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë gjatë ditës së sotme ka bërë lansimin e një fushate për pjesëmarrjen e Kosovës në testin PISA. Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se janë duke e bërë një fushatë të përgjithshme jo vetëm për PISA por edhe për çështjen e arsimit në Kosovë.

Bytyqi është shprehur optimist se këtë herë Kosova do të ketë renditje më të mirë në testin ndërkombëtar PISA.

Bytyqi: Është një mobilizim i përgjithshëm

“Është një mobilizim i përgjithshëm në mënyrë që nëse shprehemi ashtu siç po thotë kryetari i komisionit ne do të jemi shembull këtë radhë në PISA 2018. Por, ajo çka dua të them në pak muaj ne e kemi marrë një përgjegjësi të madhe dhe sot mund të them me fjalën e plotë se nuk ka shkollë në Kosovë që nuk flitet për PISA 2018. Kjo konsideroj që është ajo e rëndësishmja të cilën ne e kemi arritur. Në kuadër të kësaj është edhe kjo konferencë dhe ajo për të cilën ne vazhdimisht do të bëjmë deri në ditën e mbajtjes së testit PISA 2018. Megjithatë nuk do të thotë që ne kemi bërë mrekulli për këta muaj, por vetëm e kemi shtuar përgjegjësinë e cila kohë më parë ka munguar”, tha ministri.

Ministri Bytyqi ka deklaruar se në rast të rezultateve pozitive në testin PISA merita iu takon mësimdhënësve. Ndërsa, në rast të dështimit të Kosovës se kush duhet të marrë përgjegjësi ministri tha se nuk duan të mendojnë negativisht.

Përfaqësuesi i GIZ, Ruben Faller, ka thënë se testi PISA ka treguar se Kosova ende po përballet me sfida në procesin e reformimit të vazhdueshëm të arsimit

Faller: PISA e ka treguar qartë që Kosova ende po përballet me sfida

“Kur e shikoni kullën e Pisës arsyeja pse ajo është e pjerrët është sepse është ndërtuar në një tokë që është tepër e shkrifët për të mbajtur atë strukturë të saj dhe prandaj është e pjerrët. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për situatën e arsimit në Kosovë, themelet për mësim dhe nxënie me kuptimin që sistemi arsimor për shumë vjet me radhë nuk ka qenë i mjaftueshëm, nuk ka qenë i qëndrueshëm, ka qenë pak i shkrifët për të krijuar arsimim të nivelit të lartë. Në këtë kontekst mendoj që PISA e ka treguar qartë që Kosova ende po përballet me sfida në procesin e reformimit të vazhdueshëm të arsimit që shkon përtej ciklit të PISA-së 2018, sidomos kur është fjala për cilësinë e mësimdhënies dhe për përparimin e të nxënit tek nxënësit e Kosovës. Nxënësit në Kosovë nuk i kanë ende mjaft njohuri që të ju mjaftojnë për të hyrë në tregun e punës”, tha ai.

Se Kosova do të ketë rezultate më të mira këtë herë në testin PISA është shprehur edhe kryesuesi i Komisionit të MASHT-it për testin PISA, Skender Susuri.

Ai ka folur edhe lidhur me atë që MASHT ka bërë përgatitje të nxënësve për këtë test, ku ai tha se parapërgatitja e nxënësve me pyetje që kanë qenë nga vitet e kaluara nuk përbën asnjë shkelje të rregullave të PISA-së.

Susuri: Sigurt ne do të jemi më mirë sesa në vitin 2015

“Për herë të parë të gjitha shkollat, të gjitha komunat janë sensibilizuar për testin PISA, nuk është si vitin 2015 kur nxënësit tanë pa fajin e tyre kanë hyrë në test pa pasur informacione të duhura dhe me këto informacione që ata i kanë për testin PISA sigurt ne do të jemi më mirë sesa në vitin 2015. Pretendojmë shumë më shumë se kaq, por këtë nuk e themi tash. Dy janë faktorët që këtë konstatim tonin e mbështesin, e para kemi një përvojë të vitit 2015, sado e hidhur dhe e dyta detyrohem ta them publikisht është faktori Ministër Bytyqi. Se që në ditën e parë ministri Bytyqi preokupim kryesor e ka pasur Pisën”, tha ai.

Ndërsa, nxënësi i shkollës “Sami Frashëri” Lekë Vasolli i cili është edhe personazhi kryesor i fushatës së testit PISA tha se ky test konsiderohet si një sfidë shumë e madhe, por që ai tha se do t’ia dalin.

Pjesë e kësaj fushate janë edhe 25 mijë nënshkrimet e nxënësve të cilët kanë kërkuar që arsimi të jetë prioritet kryesor i qeverisë së Kosovës./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat