Dikush nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, shefi i ri i diplomacisë Heiko Maas, ose sekretari i Shtetit, pritet që këtë javë, me siguri më 22 mars, të vizitojë Serbinë, me ç’rast do të prezantojë qëndrimin e Berlinit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shkruajne sot mediat serbe, duke u thirrur në burime të besueshme diplomatike.
Qëndrimi gjerman për Kosovën, siç shkruan kjo gazetë, nuk përbën ndonjë risi, Berlini vazhdon të insistojë për marrëveshje juridike detyruese midis Beogradit e Prishtinës, në mënyrë që këto të bashkëpunojnë në vend se të luftojnë.
Në këtë kontekst, Gjermania angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, ku ajo fillimisht do të kishte statusin e vëzhguesit, sipas shembullit të Palestinës, shkruajne mediat serbe.
Gjermanët angazhohen po ashtu për avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë, pra për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe që, sipas kësaj gazete, ata të kenë më shumë besim në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sesa në presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi
Berlini nuk konsideron se Serbia duhet të njohë edhe formalisht pavarësinë e Kosovës dhe ajo që propozon Berlini dhe më gjerë Perëndimi do të thotë njohje faktike, por jo formale, siç ia ka prezantuar kohë më parë Berlini personalisht Aleksandar Vuçiqit.