Hoti: Po na shesin moral politik, ata që gjuajtën gaz e përdorën metoda të dhunës - Bota Sot
Hoti: Po na shesin moral politik, ata që gjuajtën gaz e përdorën metoda të dhunës

Aktuale

E shtunë, 22 shtator 2018

Hoti: Po na shesin moral politik, ata që gjuajtën gaz e përdorën metoda të dhunës

Më: 13 mars 2018 Në ora: 11:27
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit tha se kjo formë e funksionimit nuk duhet të vazhdojë më tutje.

Seanca është ndërprerë pasi që në mungesë të votave nuk është arritur të miratohen rekomandimet e partive opozitare të dala pas debatit të zhvilluar në interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj rreth vendimit të tij për ngritjen e pagave për veten dhe kabinetin e tij.

Hoti tha se është e pasinqertë dhe hipokrizi që ata të cilët sa ishin në opozitë kanë gjuajtur gaz lotsjellës, të dalin në foltore dhe të flasin për moralin e sjelljes politike të opozitës.

Hoti: Kjo formë e  funksionimit të Kuvendit, nuk duhet të vazhdojë tutje

 “Shumica parlamentare duke parë se nuk i kanë votat e nevojshme, për të vendosur çfarëdo çështje në Kuvend, vendosin të mos marrin pjesë fare në votim. Normalisht në këtë situatë të re,  seanca dhe Kuvendi nuk mund të vazhdojë normalisht me punime. Është e pasinqertë, është hipokrizi e madhe që edhe kryetari i Kuvendit dhe kryeministri dalin në foltore aty, i lëshojnë fraza për moralin e sjelljes politike të opozitës, ndërkohë që kur vet kanë qenë në opozitë ka gjuajtur gaz lotsjellës, ka përdor dhunë, i ka përdor të gjitha metodat jo parlamentare, jo demokratike, për të bërë opozitë. Ne e kemi fuqinë politike, për të bërë opozitë me numra dhe fuqinë që kemi. Ata i instruktojnë deputetët e vet të PDK dhe AAK që të mos marrin pjesë në procesin e votimit, në mënyrë që të pamundësohet kuorumi i nevojshëm për të marrë vendime. Kjo formë e funksionimit të kuvendit nuk duhet të vazhdojë më tutje, duhet kuvendi sa më parë të mblidhet për të votuar demarkacionin për të përmbyll atë çështje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Rrugë tjetër nuk ka”, tha Hoti.

Ndërkaq deputeti i Nismës Milaim Zeka tha se bllokada e opozitës është e qëllimshme. Ndërsa tha se edhe deputetët e pozitës po tregohen shumë të papërgjegjshëm, të cilët duhet të japin dorëheqje, pasi që nuk po marrin pjesë në seanca.

Zeka: Deputetët e pozitës të pandërgjegjshëm, opozita  po bënë bllokadë të qëllimshme

“Ne si Nismë së bashku me shefin e grupit tonë parlamentar Bilall Sherifi, shkuam te Avdullah Hoti dhe biseduam për të kaluar rezoluta. Por kushti ynë ishte që me u heq pika ku kërkohet bllokimi i rritjes së rrogave. Për arsye se çështja ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo nuk ka kuptim. Prandaj bllokada është nga ana e opozitës shumë e qëllimshme. Ndërsa vërejtja ime për pozitën është se deputetët e pozitës janë shumë të papërgjegjshëm. Ata deputet të cilët nuk marrin pjesë në seanca, nuk di pse nuk japin dorëheqje nga pozita e deputetit. Ne si pozitë nuk mund të presim që opozita me na i ba kuorumin dhe me na ba numrat. Është njëfarë loje e dyanshme dhe sinqerisht nuk po e kuptoj logjiken e opozitës, si mundet opozita me kërku diçka mbi Gjykatën Kushtetuese. Gjykata kushtetuese është organi më i lartë legjislativ. Dhe jemi në një bllokadë totale të parlamentit”, tha Zeka.

Ndryshe seanca e sotme është shtyrë për nesër pasi që nuk kishte kuorum sepse partitë opozitare kanë bojkotuar seancën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli u takua me shefat e grupeve parlamentare për t’u pajtuar për mbarëvajtje të seancës por u nuk u arrit një pajtim që punimet të vazhdojnë.

Hoti i LDK-së kërkon shpërbërje të Kuvendit

Për mungesë të votave nuk është arritur të votohen rekomandimet e partive opozitare të dala pas debatit të zhvilluar në interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj rreth vendimit të tij për ngritjen e pagave për veten dhe kabinetin e tij.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, ka paraqitur rekomandimet pas interpelancës së mbajtur javë më parë rreth ngritjes së pagave nga kryeministri. 

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, tha se duhet ta presin Kushtetuesen ta jap vendimin e saj. Derisa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se pa u votuar këto rekomandime nuk mund të vazhdoj debati për njëqind ditëshin e Qeverisë.

Në shenjë proteste LDK dhe VV e kanë braktisur seancën e Kuvendit.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se duhet të procedojnë qysh sot me shpërbërje të Kuvendit, meqë nuk mund të vazhdoj kështu të funksionojë legjislativi.    

 Hoti: Duhet të shpërbëhet Kuvendi

“Ne duhet të procedojmë qysh sot me shpërbërje të Kuvendit sepse nuk ka kuptim të shkohet me tutje. Nuk mund të kalojmë në pikën tjetër pa u kry kjo pikë. Ju e dini që nesër është një seancë tjetër ku është një listë e gjatë e ligjeve që nuk mund të kalohen nga pozita sepse nuk i ka votat. Nëse vazhdoni këtë praktikë si shumicë parlamentare ne nuk do të marrim pjesë në asnjë votim tjetër dhe sot debati nuk mund të vazhdoj me tutje pa u kryer kjo pikë”, theksoi Hoti.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se partitë opozitare po bëjnë opozitarizëm të paargumentuar

Haradinaj: Opozita po bënë opozitarizëm të paargumentuar

“Është me rëndësi me thanë kush e zbuloj këtë praktikë. Unë kam qenë në seancë si kryetar i Qeverisë me ligje që janë direkt të drejtuara dhe që ndihmojnë jetën e qytetarëve të vendit edhe i kam parë opozitën kur kanë pritur të shohin a i kemi 61 vota që mos të na bëjnë kuorumin. Pra këtë e kam vërtetuar, e kam përcjellë nga këtu, tema krejt të zakonshme të jetës së njerëzve të këtij vendi, e kanë pritur të shohin a po bëhen 61 që të vlerësojnë a me marrë pjesë në votim a jo në votim. Me këtë kjo praktikë e nisur prej tyre sot kuptohet s’po iu pëlqen. Çka mund të ndodh në të ardhmen me këtë, nëse opozita ka tema që dëshiron të ndihmoj qytetarët e vendit, gjithë mund të llogaritë në ndihmën e secilit, por nëse opozita e ka për qëllim vetëm pengimin e punës së Kuvendit, me propozime çfarë po i shohim, imagjinojeni tani kërkojnë debat për 100 ditëshin, a janë bërë, u harru ajo te më, çka është qëllimi i këtij debati, nuk kërkojnë debat për ndonjë temë të menjëhershme që iu dhemb qytetarëve të vendit, krejtësisht një opozitarizëm i pa argumentuar, i pashpjegueshëm”, tha Haradinaj.

Pasi që opozita doli jashtë nuk kishte kuorum për ta mbajtur seancën.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli caktoi disa minuta pushim me qëllim që të takojë shefat e grupeve parlamentare.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test