Në Gjykimin për krime lufte kërkohet ballafaqim i dëshmitarëve

Aktuale

Në Gjykimin për krime lufte kërkohet ballafaqim i dëshmitarëve

Më: 7 mars 2018 Në ora: 23:57
Gjykimi për krime lufte

H. Q. e Xh. Sh. dhanë dëshmitë e tyre në gjykimin për vrasjen e H. P. në qershorin e vitit 1998.

Gjatë dëshmisë së tij Xh. Sh. i cilësoi të fabrikuara pyetjet e paraqitura nga pala e dëmtuar.

“Të gjitha pyetjet të cilat më janë parashtruar nga pala e dëmtuar kanë qenë të fabrikuara dhe pa fakte, shtrembërim dhe devijim komplet i bisedave që kemi pasur, andaj kërkoj me i paraqitë nëse posedojnë incizimet siç kanë thënë që i kanë”, tha dëshmitari Xh. Sh.

Ai më tutje në seancë kërkoi t’i paguhen shpenzimet për paraqitjet në gjykatë si dëshmitar.

“Unë po ashtu kërkoj shpenzimet nga gjykata për katër seancat që kam qenë i thirrur”, tha Xh. Sh.

Në seancë dëshmoi edhe H. Q., por prokurori i shtetit dëshminë e tij e konsideroi në kundërshtim me ato që i tha një dëshmitar tjetër më herët.

Për këtë arsye prokurori kërkoi ballafaqimin e dy dëshmitarëve.

“Meqenëse deklarata e dëshmitarit H.Q, është në kundërshtim me deklaratën e H.P. të dhënë në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 26.10.2017, unë propozoj që ky dëshmitar duhet të ballafaqohet me dëshmitarin H.P, në rrethanat se a ka njoftuar H.P. për mënyrën e marrjes tani të të ndjerit H.P”, tha prokurori.

Asdren Hoxha, avokati i palës së dëmtuar, përmendi një dëshmitar okular.

“Gjatë shyrtimit të dytë i dëmtuari A.P. ka propozuar dëshmitarin F.Z. në rrethanat se ka qenë dëshmitar okular i ngjarjes së natës kritike kur është marrë i ndjeri H.P nga shtepia e tij, ngase ishte mystafir në shtëpinë e tij dhe se njëkohësisht ky person ka qenë për ta kërkuar H.P. në pikën ushtarake Grajçevc”, tha avokati Hoxha, shkruan kallxo.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, R.Sh akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria H.P, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në aktakuzë thuhet se R.Sh., i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se H.P. është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i H.P. është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat