Reuters: Largimi i Prokurorit Schwendiman shtyen ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale

Aktuale

Reuters: Largimi i Prokurorit Schwendiman shtyen ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 16:16
Selia e Gjykates Speciale

Gazeta prestigjoze “Reuters” shkruan sot se largimi i Prokurorit të Gjykatës Speciale, David Schwendiman, do të shtyejë punën e Gjykatës Speciale, si dhe ngritjen e aktakuzave të para nga kjo Gjykatë.

Siç citon “Reuters”,  ekspertët dhe njohësit e kësaj çështjeje kanë paralajmëruar se kjo punë deri tek gjetja e një prokurori të ri do të shtyhet deri në muajin e ardhshëm, ku në këtë mënyrë shtyhen edhe aktakuzat e para që do të ngriten për të dyshuarit për kryerjen e krimeve gjatë lufës.

Prokurori, David Schwendiman, ka bërë të ditur që do të largohet më 31 mars nga detyra e tij në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, dhe kjo do të ndodhë për shkak të mbarimit të kontratës së tij tre vjeçare nga Departamenti i Shtetit Amerikan, që nuk mund të renovohet.

“Kjo Gjykatë po merret me çështjet e krimeve të kryera  nga pjesëtarët e UÇK-së, gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1998-2000, krime këto që nuk u zgjodhën nga Tribunali i krimeve i formuar nga OKB-ja për ish-Jugosllavinë. Ndërkaq nga kjo Gjykatë nuk janë ngritur ende aktakuzat e para”, thuhet në këtë artikull.

Aty citohen edhe deklaratat e Prokurorit Schwendiman i cili tha se “ky largim nuk do të thotë ndryshim në politikat apo përkushtimin e kësaj Gjykate mbi hetimin e krimeve të luftës.”

Por siç shkruhet aty, ekspertët thonë që do të jetë i vështirë zëvendësimi i Prokurorit Schwendiman, i cili udhëhoqi hetimet për kryerjen e krimeve nga shqiptarët.

“Kjo është definitivisht një pengesë”, citohen fjalët e njohësit të çështjeve të krimeve të luftës, Iva Vukusiq.

“Ajo çfarë u duhet tani institucioneve është stabilitiet, përderisa kjo Gjykatë po bëhet gati të ngrisë aktakuzat e para, dhe të cilat do të prekin shumë nga fytyrat politike në Kosovë”, thotë Vukusiq.

Në këtë artikull po ashtu thuhet se largimi i Prokurorit Schwendiman, vjen pas tentativave të një grupi ligjvenësish kosovar për të zhbërë këtë institucion ligjor, si dhe tërheqjes nga tentativat e tyre pas presionit ndërkombëtar.

Ndryshe, në këtë artikull përmendet edhe fakti që Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt 2008, gati një dekadë pas kampanjës së NATO-s e cila largoi forcat serbe nga Kosova. NATO ndërmorri këtë operacion si kundërpërgjigje pas mizorisë dhe barbarizmit të kryer nga forcat serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

“Ndërsa krimet e kryera nga Serbët u gjykuan dhe dënuan nga Tribunali për ish-Jugosllavinë, krimet e dyshuara të kryera nga UCK-ja e që shumica ende nuk janë zbardhur do të gjykohen nga një Gjykatë Speciale. Kjo si një institucion i cili do të hyjë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës, mirëpo me seli në Hagë, dhe e cila në përbërje të saj do të ketë juristë ndërkombëtarë për të siguruar pavarësinë nga ndikimi dhe skena politike”, përfundohet në këtë artikull.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat