Markoviq vjen sot në Prishtinë - Demarkacioni temë qendrore e takimeve - Bota Sot
Markoviq vjen sot në Prishtinë - Demarkacioni temë qendrore e takimeve

Aktuale

E martë, 21 gusht 2018

Markoviq vjen sot në Prishtinë - Demarkacioni temë qendrore e takimeve

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 11:20
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq fillon sot vizitën dy ditore në Kosovë. Kjo vizitë, ishte paralajmëruar të realizohej javën e kaluar, por ishte shtyrë për shkak të kushteve atmosferike.

Temë qendrore e takimeve të Markoviqit me zyrtarët e shtetit të Kosovës pritet të jetë edhe çështja e Demarkacionit të kufirit, e cila ka mbetur pezull që nga gushti i vitit 2015, kur Prishtina dhe Podgorica e kanë nënshkruar marrëveshjen në Vjenë. Më pas, Kuvendi i Malit të Zi e kishte ratifikuar atë, por jo edhe Kuvendi i Kosovës, për shkak të mospajtimeve të brendshme politike.

Kryeministri Dushko Markoviq, do të pritet në aeroportin e Prishtinës nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe më pas, në ndërtesën e Qeverisë do të zhvillojë një takim me kryeministrin Kosovës, Ramush Haradinaj. Të dy kryeministrat, Haradinaj e Markoviq, pritet që të mbajnë dhe një konferencë për media, rreth orës 18:00.

Ndërkaq të enjten, Markoviq do të pritet në takime të ndara nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Pritjet e spektrit politik në Prishtinë janë që të kuptohet edhe njëherë pozicioni i Malit të Zi në raport me Demarkacionin e kufirit, duke shpresuar se Podgorica zyrtare do të mund të pajtohej me një deklaratë të përbashkët, në bazë të së cilës, të dy shtetet do të zotoheshin se do ta shqyrtonin edhe njëherë Demarkacionin, nëse gjatë fazës së ardhshme të shënjimit të vijës kufitare, dëshmohet se a janë bërë lëshime apo gabime me marrëveshjen e vitit 2015.

Qeveria e Malit të Zi, në disa raste është deklaruar se për Podgoricën, çështja e Demarkacionit është e përmbyllur. Ndërkohë, në Prishtinë, vetë kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj njihet si një prej atyre që ka kundërshtuar më së tepërmi marrëveshjen e arritur në vitin 2015, të cilën e kishte nënshkruar ish-ministri i Jashtëm, tani presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me mbështetjen e plotë të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Marrëveshjen e vitit 2015, në Kosovë po e mbështesin shumica e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetët nga radhët e partive joserbe. Kurse nuk mbështetet nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ata të Nismës për Kosovën dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes. Përderisa nga Lista Serbe janë deklaruar se Demarkacioni nuk paraqet ndonjë interes të veçantë për komunitetin serb.

Pretendimet e Haradinajt dhe spektrit politik që nuk e mbështesin versionin aktual të Demarkacionit, janë se marrëveshja e vitit 2015, si pasojë i shkakton humbje territoriale Kosovës, prej 8 mijë hektarësh.

Një gjendje e tillë në Kuvend, me pozicionimet për dhe kundër, po e pamundëson arritjen e 80 votave për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, të cilën Komisioni Evropian ia ka vënë kusht Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test