Albert Krasniqi nga KDI, përmes një postimi në facebook, ka komentuar nismën e Presidentit Hashim Thaçi, Kryeministrit Ramush Haradinaj, e Kryeparlamentari, KAdri Veselit, të cilët të premten tentuan që ta shfuqizojnë ligjin për Gjykatën Speciale. Ai thotë se deputetët e kishin të qartë se për çfarë po nënshkruanin, mirëpo, kjo, siç thotë ai, ka qenë e planifikuar.
Ai ka shkruar për katër hapat që u njekën për të shfuqizuar ligjin për Specialen, shkruan “Bota sot”.
Ja postimi i plotë:
Katër hapa për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale:
1. Thirr seancë të jashtëzakonshme përmes të paktën 40 nënshkrimeve të deputetëve;
2. Sigurohu që në sallë i ke të paktën 61 deputetë për të arritur kuorumin për mbajtje të seancës;
3. Sigurohu që 2/3 e deputetëve të pranishëm votojnë për shmangie nga Rregullorja e punës së Kuvendit, që gjithçka të shkoj me procedura të përshpejtuara;
4. Bindi të paktën shumicën e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë për shfuqizim të ligjit.
Edhe nëse keni përmbushur të gjithë këta hapa, Gjykatën Speciale nuk e keni shpërberë krejtësisht, pasi baza e ekzistencës së saj është e përcaktuar në Kushtetutë. Për ta bërë këtë ju duhet të ndryshoni Kushtetutën, që kërkon votat e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë 2/3 e deputetëve që mbajnë vende të garantuara.
Çfarë keni arritur të bëni me shfuqizimin e ligjit, është të pamundësoni ushtrimin e funksioneve të gjykatës.
Nëse dështoni qysh në fillim, thuani që deputetët nuk kanë ditur se çfarë po nënshkruajnë.