Jahjaga: Serbia shkeli brutalisht Marrëveshjen e Brukselit

Aktuale

Jahjaga: Serbia shkeli brutalisht Marrëveshjen e Brukselit

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 18:42
Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk ka marrë pjesë në promovimin e librit ‘’Unë dua të dëgjohem’’ në kuadër të festivalit ”Mirëdita, dobar dan!” në Beograd pasi asaj nuk i është lejuar hyrja në territorin serb.

Sipas Jahjagës hyrja e saj në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd.

“Sot unë kam pasur të jem në Beograd për promovimin e librit “Unë dua të dëgjohem”, ka qenë e organizuar në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, pjesëmarrja ime atje ka qenë e paraparë që të fillojë me një fjalim për të mbijetuarit e dhunimit dhe përdorimin e dhunimit si mjet gjatë luftës”.

“Fatkeqësisht pjesëmarrja ime është pamundësuar dhe pamundësia ime që të hyjë në territorin e Serbisë është kthyer me një përgjigje banale e absurde”.

Ish-presidentja e Kosovës që është e ftuar në Zona Zgjedhore ka thënë se të gjitha përgatitjet për vizitën e saj atje, janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë.

“Institucionet, ambasadori ynë atje në Zyrën Ndërlidhëse kanë bërë kërkesën që ka të bëjë me vizita të larta, të gjitha procedurat e protokolit janë përcjellur siç e sheh marrëveshja e Brukselit”.

Jahjaga ka thënë se “autoritetet e Serbisë kanë dështuar në ofrimin e sigurisë”.

“Serbia ka shkelur brutalisht Marrëveshjen e Brukselit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat