Kosova dhe NATO hapin kapitull të ri të bashkëpunimit

Aktuale

Kosova dhe NATO hapin kapitull të ri të bashkëpunimit

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 11:26
Kryeministri Isa Mustafa

(E plotësuar)- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se muri në veri të vendit, do të trajtohet nga organet kompetente sipas ligjit dhe jo sipas muskujve.

Sipas tij, nuk ka nevojë që tani të merren qëndrime pompoze politike, që po ndodh diçka e jashtëzakonshme, pasi që kjo çështje duhet të rregullohet me ligj, e jo me muskuj.

“Çështja e murit do të trajtohet mbi bazën e ligjit. Ne s’do qesim gjoksin dhe s’do t’i tregojmë muskujt sepse muskujt  dhe gjoksin e qet ligji. Ne duhet të vijmë situatë që të respektojmë ligjin dhe ata duhet ta respektojnë ligjin në këtë aspekt. Ministria e Mjedisit është duke vepruar me inspektoratin e vet atje që të konstatojë gjendjen. Ministrja për Dialog, po ashtu ka kontakte me BE-në, në mënyrë që të vërtetohet se a është ajo në harmoni me projektin të cilin BE e realizon atje sepse është projekt i BE-së. Prandaj, në këtë rast çdo gjë do të shkoj sipas ligjit”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se Serbia ka një mur politik në raport me Kosovën.

“Sa i takon murit, Serbia ka ndjek në raport me Kosovën, por dhe vendet tjera të rajonit një politikë të mureve dhe vijave territoriale dhe territoreve në këto 25 vitet e fundit. Ju jeni dëshmitar që kjo politikë ka dështuar. Serbia ka një mur politik, në raport me Kosovën, që është mur politik i BE-së, pa e njohur Kosovën, Serbia nuk mund të integrohet në BE”, tha ai.

Sa i përket shkuarjes në inaugurimin e urës ndërmjet komunës së Leposaviqit dhe Zveçanit, Mustafa tha se nuk u pengua nga askush por së ndërruan rrugë për të mos u ndeshur me protestuesit. Ai shtoi se atje ka shkuar rrugëve të Kosovës, pasi që ka shkuar në territor të Kosovës, e jo Serbisë.

“Askush s’na ka dalë përpara, s’na ka penguar, ne kemi marrë informatë rrugës se disa qytetarë kanë dal dhe po vënë pengesa në rrugë dhe ne kemi pyetur organet tona të sigurisë se kah mund të arrijmë atje. Ata kanë zgjedhur rrugën, sepse janë ata që e bëjnë atë punë. Nuk jam unë si kryeministër dhe ne kemi shkuar pa asnjë pengesë në vendin, në të cilin është inauguru ura dhe mendoj se është themelore. Unë nganjëherë dhe në shtëpinë time kur shkoj prej këtu, kur ka pasur protesta ose kur ka pasur qytetarë, kam pyetur se kah mund të shkoj, në mënyrë që mos të ballafaqohemi me njerëz. Sepse nuk kemi nevojë të krijojmë konflikte rrugës”, tha ai.

***

Shefi i Qeverisë së Kosovës, në një dalje para mediave, sot përmendi edhe murin që nisi të ndërtohet në veri të Mitrovicës.

Isa Mustafa tha se tentimi për ndërtim të një muri në veri të Mitrovicës, nuk mund t’i vejë në korrelacion të arriturat dhe sukseset e Kosovës duke zbehur të mirat me lajme të tilla. “Muri do të trajtohet sipas ligjit nga organet kompetente dhe nga Bashkimi Evropian që e ka projektin konkret. Ato janë gjëra që trajtohen me ligj për të cilat s’kemi nevojë të marrim qëndrime pompoze politike, sepse janë gjëra që trajtohen me ligj dhe çështja e murit do të trajtohet mbi bazën e ligjit. Ne nuk e qesim gjoksin ti tregojmë muskujt, sepse muskujt dhe gjoksin e bënë ligji. Çdo gjë do të shkojë sipas ligjit”, ka thënë kryeministri Mustafa, duke kërkuar që të mos dramatizohet situata më tej.

Në pjesën e fjalës së tij, i pari i Qeverisë përmendi edhe shkuarjen e tij në Leposaviq. Mustafa tha se në veri ka shkuar me ftesë të komandantit të KFOR-it në inaugurimin e urës.

“Kemi shkuar rrugëve të Kosovës dhe kemi shkuar në territor të Kosovës dhe jo të Serbisë. Ne kemi marrë informatë rrugës që disa qytetarë kane dal në rrugë dhe ne kemi shkuar pa asnjë pengesë në vendin ku është inaugurua rruga. Ne kemi shkuar përmes një rruge pa u ballafaquar me qytetarët. Për ne është më rëndësi që kemi shkua atje, s’kemi pasur pengesë dhe nuk jemi vonua. Nuk është mire që të krijojmë informata të tilla që jemi pengu. Do të shkojmë prapë dhe nuk do ti zgjedhim rrugët. Gjendjen nuk e kemi mire atje, ngase atje ka forca që dëshirojnë të vënë pengesa, por ka dhe forca qe duan t’i heqin këto pengesa”, ka deklaruar kryeministri Mustafa.

***

Mustafa: Me murin në veri merret ligji dhe vetëm ligji

Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, mbajtën një konferencë para gazetarëve me qëllim të prezantimit të të arriturave të Kosovës në raport me organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës

I pari i Qeverisë, tha se Kosova ka shënuar të arritura pozitive në raport me Organizata të ndryshme ndërkombëtare. “Është edhe një lajm i rëndësishëm që dje na erdhi nga NATO. Duke marrë në konsideratë propozimet na kanë konfirmuarë avancimin substancial të bashkëpunimit. Janë pajtuar me fuqizimin e bashkëpunimit të NATO-së me Kosovën. Bashkëpunim i cili pritet të avancohet në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë kryeministri Mustafa. Ai këtë lajm e ka cilësuar si mjaftë të rëndësishëm për vendin, duke thënë se kjo tregon për hapjen e një kapitulli të ri të marrëdhënieve bashkëpunuese mes Kosovës dhe NATO-s.

“Në emër të qeverisë shpreh mirënjohje për NATO-n. Kjo organizatë e cila para 17 vitesh ndërhyri këtu, i ka hapur rrugë raporteve të bashkëveprimit të Kosovës... Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit”, ka thënë Mustafa.

Image
Kryeministri, Isa Mustafa dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj

Fjala hyrëse e Kryeministrit Isa Mustafa në konferencën për gazetarë:

Të nderuar përfaqësues të mediave, 

Dëshiroj t’ju përshëndes

Së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj, jemi para jush për të biseduar me ju lidhur me të arriturat evidente që janë shënuar  në raportet e Kosovës me organizatat ndërkombëtare si dhe në fuqizimin ndërkombëtar të  marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me jashtë. 

Fillimisht, më lejoni të ndaj me ju një lajm të rëndësishëm, i cili dje na erdhi nga NATO-ja, konkretisht nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg.

Siç jeni të informuar, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës vitin e kaluar i kam dërguar një letër Sekretarit Stoltenberg, ku kam kërkuar zyrtarisht fuqizimin e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n, në disa dimensione të rëndësishme për Kosovën. 

Si rezultat, dje pranova zyrtarisht një përgjigje shumë inkurajuese nga NATO-ja në letrën tonë 

Duke marrë në konsideratë propozimet tona të arsyeshme, Sekretari i NATO-së në përgjigjen e tij na ka konfirmuar avancim substancial të bashkëpunimit dhe mbështetjen e Kosovës si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e ndryshme të NATO-s. 

Më konkretisht, Këshilli i Atlantikut Verior është pajtuar për fuqizimin e bashkëpunimit të NATO-s me Kosovën brenda mandatit respektiv të KFOR-it dhe të Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s, i bashkëpunim pritet të avancohet nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Në letrën e NATO-s na  kanë ofruar mundësi për aktivitete shtesë të dizajnuara për të fuqizuar bashkëveprimin me Kosovën. 

Këto aktivitete përfshijnë: 

- Rritjen e vizitave të Këshillit të Atlantikut Verior dhe takimet me Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s si dhe autoritetet relevante të Kosovës, përmes të cilave do të zgjerohet dialogu politik.

- Pastaj dialogu për aktivitetet e bashkëpunimit praktik me NATO-n.

- Aktivitete shtesë të përshtatura për nevojat specifike të Kosovës, të cilat mund të përfshijnë mbrojtjen e rrjeteve informatike, edukim, trajnime dhe logjistikë. 

- Zgjerim të aktiviteteve në kuadër të Programit “Ndërtimi i Integritetit” me qëllim të rritjes së kapaciteteve institucionale. 

- Pjesëmarrje në disa prej aktiviteteve të Programit të NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri”, që ka të bëjë me mekanizmat që ofrojnë mundësitë për shkencëtarët dhe ekspertët e NATO-s dhe vendeve partnere të bashkëpunojnë në relacionet e shkencave civile, teknologjisë dhe të inovacionit. 

- Konsiderimi i mënyrave që Forca e Sigurisë së Kosovës, në suaza të mandatit të saj, të marrë pjesë si vëzhguese në ushtrimet e Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike për Reagim në Fatkeqësi (EADRCC). 

- Eksplorimi i mënyrave që FSK-ja, në koordinim me Ekipin Këshillues Ndërlidhës, të marrë pjesë edhe në ushtrimet e KFOR-it, në përputhje me mandatin e saj. 

- Ndërkaq, Divizioni për Diplomaci Publike i NATO-s do të konsideroj rrugët e për bashkëpunim dhe përkrahje të institucioneve relevante të Kosovës, OJQ-ve, Universiteteve,  dhe akterëve tjerë të shoqërisë civile që merren me çështje të paqes dhe sigurisë, me komunikim dhe diplomaci publike. 

Pra, Sekretari i NATO-s, Stoltenberg, na ka kthyer një përgjigje tejet kuptimplotë, e cila në esencë krijon mundësitë për bashkëpunim thelbësor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s. 

Konsideroj se ky është  ky është një lajm shumë i rëndësishme për Kosovën, pasi që hap një kapitull të ri të marrëdhënieve dhe mbështetjes së NATO-s dhe po ashtu e fuqizon rolin e Kosovës si faktor i stabilitetit në rajon dhe si një partner i besueshëm i NATO-s në përballimin e sfidave rajonale dhe globale të sigurisë. 

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, shpreh mirënjohje për NATO-n, shtetet anëtare, Sekretarin Stoltenberg dhe autoritetet tjera, duke theksuar kënaqësinë që kjo organizatë e cila para 17 vjetësh ndërhyri për të mbrojtur vlerat më të larta humanitare në Kosovë, tashmë i ka hapur udhë avancimit të raporteve të bashkëveprimit me shtetin e Kosovës. 

Ashtu siç është nënvizuar edhe në Samitin e NATO-s në Varshavë, ku liderët e shteteve mirëpritën aspiratat e Kosovës për avancimin e aftësive për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj dhe për të kontribuar në sigurinë në rajon dhe më gjerë, më lejoni të shpreh përkushtimin e Kosovës që gradualisht të avancojë në procesin e anëtarësimit dhe që në një periudhë optimale të bëhemi anëtare e NATO-s. 

Si Kryeministër i vendit, vlerësoj se Kosova ka bërë dhe po bën hapa të sigurt në ndërtimin e institucioneve shumë të afta dhe kredibile në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kemi Policinë e Kosovës e cila është ranguar si shumë kredibile, e organizuar dhe e menaxhuar mirë, ashtu siç është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës është e organizuar sipas standardeve më të larta ndërkaq pjesëtarët e saj janë të shkolluar dhe të trajnuar në qendrat elite amerikane dhe evropiane. Duhet përmendur edhe AKI-në e cila po tregohet shumë profesionale dhe e përgjegjshme në fushëveprimin e saj shumë të ndjeshëm.

Ne do të mbështesim fushën e sigurisë dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit jo vetëm në këtë pjesë të Evropës por edhe në aspektet globale. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat