Shtyhet seanca fillestare ndaj policit që vrau Ilmi Lufajn

Aktuale

Shtyhet seanca fillestare ndaj policit që vrau Ilmi Lufajn

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 21:32
I ndjeri, Ilmi Lufaj

Në seancën e sotme prokurori e lexoi aktakuzën. I akuzuari Shefqet Kamberaj, rreshter i policisë, tha se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk ka mundur ta kuptojë aktakuzën.

Gjendja jo e mirë shëndetësore e rreshterit të Policisë, Shefqet Kamberaj, i cili akuzohet për vrasjen e Ilmi Lufajt në Deçan, ishte arsyeja e shtyrjes së seancës së sotme fillestare.

Gjatë seancës që u mbajt në Gjykatën e Pejës, prokurori i rastit, Haxhi Sinanaj, lexoi aktakuzën me ç’rast tha se i akuzuari për motive të hakmarrjes dhe me dashje e ka vrarë me armë zjarri Ilmi Lufajn nga fshati Strellci i Deçanit.

“Në cilësi të personit zyrtar gjersa ishe në detyrë zyrtare, rreshteri policor në stacionin e policisë në Deçan, me dashje dhe për motive të hakmarrjes ka privuar nga jeta tani të ndjerin Ilmi Lufaj nga fshati Strellc i Ulët në Deçan”, tha prokurori gjatë leximit të aktakuzës.

Sipas prokurorit, natën kritike viktima kishte shkuar te stacioni i policisë në Deçan për të pyetur për arsyen e arrestimit të shokut të tij, Besfort Elshanit, i cili ishte arrestuar nën dyshimin për armëmbajtje  pa leje.

Prokurori tha se më pas në oborrin e stacionit policor kishte filluar fjalosja mes viktimës dhe të akuzuarit, fjalosje që kishte rezultuar me ofendime dhe kanosje për rreshterin Kamberaj.

“Viktima e kishte ofenduar dhe kanosur të akuzuarin me fjalët: “Kam me ta q.. nanën, familjen krejt çka i ke të gjallë e të vdekur” dhe “Nuk ke me qit kon ma jashtë veç në hysh ka je dalë”, dhe në atë moment ndërhyjnë policët”, tha prokurori.

Tutje prokuroi tha së kanë ndërhyrë tre zyrtarë policorë dhe e kanë larguar Ilmi Lufajn nga oborri i stacionit policor, duke e dërguar përballë pompës “Al- Petrol”.

Sipas aktakuzës që u lexua sot, i akuzuari Shefqet Kamberaj pesë minuta pas ofendimeve dhe fyerjeve, kishte shkuar drejt viktimës dhe e kishte qëlluar me armë zyrtare me një plumb fillimisht në veshin e majtë e pastaj me një tjetër në kokë.

“Ashtu që i akuzuari nga një distancë prej 6 metrave pa shkëmbyer asnjë fjalë me viktimën e godet atë me një predhë në veshin e majtë, e pastaj viktima tenton që të largohet nga vendi i ngjarjes duke lutur me dorë që mos të shtënë prapë me armë, por i pandehuri shtien për herë të dytë duke e goditur viktimën me një predhë në kokë duke e lënë të shtrinë në vendin e ngjarjes”, tha prokurori.

Prokurori Sinanaj tha së pas dhjetë minutave viktima Ilmi Lufaj ishte dërguar me ambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku ishte konstatuar edhe vdekja e tij.

Kurse i akuzuari, Shefqet Kamberaj, para trupit gjykues tha se për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore nuk ka mundur ta kuptojë aktakuzën.

“Zotëri gjyqtar, unë e kam njoftuar edhe mbrojtësin tim që gjendja jem shëndetësore nuk është e mirë dhe jam trajtime mjekësore dhe nuk jam në gjendje me përcjell seancën”, tha i akuzuari.

Ndërsa,avokati të akuzuarit, Haxhi Çekaj, tha së klienti i tij para ca ditësh ka qenë jashtë shërbimit korrektues për tretman mjekësor.

Sipas avokatit, klienti i tij ende nuk i ka marr analizat shëndetësore të bëra ditë më parë, prandaj kërkoi që seanca të shtyhet deri në ditën kur të merren analizat.

“Propozimi im është që të shtyhet seanca, në interes të shëndetit të tij dhe në interes të shumë arsyeve të tjera kisha kërku që së paku të priten këto rezultate”, tha Çekaj.

Ndaj kërkesës së tij vërejtje nuk pati nga pala e dëmtuar e as nga prokurori, kurse trupi gjykues shtyu seancën deri më 25 nëntor.

Vrasja për të cilën akuzohet rreshteri Shefqet Kamberaj ka ndodhur më 18 prill të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat