Papa Françesku shpall shenjtore Nënë Terezën

Aktuale

Papa Françesku shpall shenjtore Nënë Terezën

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 08:11
Në Sheshin Shën Pjetri 120 mijë njerëz nga vende të ndryshme të botës. Të shumtë dhe shqiptarët të pranishëm në ceremoni. Papa: Ndoshta do vazhdojmë ta thërrasim jo Shën Tereza, por Nënë Tereza

(E plotësuar) - Rreth 120 mijë persona, sipas të dhënave nga Vatikani, besimtarë, ndjekës të Nënë Terezës apo dhe njerëz të thjeshtë u mblodhën sot në Sheshin e Shën Pjetrit, për të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të kësaj gruaje me origjinë shqiptare e cila me veprën e saj bëri që e gjithë bota të fliste për të. Ceremonia e cila nisi në në orën 10.30, përbën dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për Kishën katolike në këtë vit të Jubileut të Mëshirës. Rreth orës 10.40 minuta, Papa Françesku lexoi formulën e shenjtërimit, duke e shpallur kështu Nënë Terezën shenjtore.

Gjatë leximit të omelisë më pas, Papa u ndal në ato vlera që kanë dalluar Nënë Terezën. “Në të gjithë ekzistencën e saj ka qenë bujare e mbartëse të mëshirës hyjnore. Ajo u angazhua në mbrojtje të jetës, u përkul ndaj personave të braktisur, të lënë në prag të vdekjes nëpër rrugë, duke u njohur atyre dinjitetin që Zoti u kishte dhënë”, u shpreh Papa ndërsa vuri në dukje forcën dhe ndikimin që Nënë Tereza arriti të ketë edhe përballë njërezve të fuqishëm të kohës. “ Ajo bëri që zëri i saj të dëgjohej nga të fuqishmit e tokës, që të njihnin fajet e tyre, përballë krimeve, përballë krimeve të varfërisë së krijuar prej vetë atyre”, nënvizoi Papa Françesku.

E duke ju kthyer dhe një herë veprës së saj ndaj të varfërve dhe të pambrojturve ai theksoi se “mëshira ishte për të kripa që i jepet shije çdo vepre, drita që çante errësirën e atyre që nuk kishin as lot për të qarë për varfërinë dhe vuajtjet e tyre. Misioni i saj në periferitë e qyteteve dhe në periferitë ekzistenciale mbetet si një dëshmi elokuente e afërsisë së Zotit me më të varfërit nga të varfërit. Sot ja dorëzoj këtë figurë gruaje emblematike të gjithë botës së vullnetarëve. Le të jetë ajo modeli juaj e Shenjtërisë”.

Nënë Tereza është një figurë aktuale që ka bërë botën të flasë për të dhe veprën e saj. Misionet e motrave të Nënë Terezës janë sot të pranishme në shumë vende të botës duke ndjekur trashëgiminë e saj. E pikërisht për këtë, Papa Françesku u shpreh se “ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta thërrasim Shën Tereza, shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dashur dhe bujare saqë në mënyrë spontane do të vazhdojmë ta thërrasim Nënë Tereza”.

Dhe duke ju referuar filozofisë së Nënë Terezës mesazhi i Papës sot shkonte përtej atij vetëm fetar. “Kjo punëtore e palodhur e Mëshirës na ndihmoftë të kuptojmë gjthë më shumë se kriteri i vetëm dhe veprimi ynë i vetëm është të dhurojmë dashuri falas, të lirë nga çdo ideologji, nga çdo pengesë dhe e shpërndarë mbi të gjithë pa dallime gjuhe, Kulture, rrace apo feje. Nënë Tereza pëlqente të thoshte “ndoshta nuk flas gjuhën e tyre, por mund të buzëqesh”. Le të mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj dhe t’ja dhurojmë të gjithë atyre që takojmë rrugës sonë, në veçanti atyre që vuajnë. Do të hapim kështu horizonte shprese shumë njerëzve që ndjehen të humbur dhe që kanë nevojë për mirëkuptim dhe ngrohtësi”, u shpreh Papa, përballë dhjetra mijërë të pranishmëve që kishin mbushur sheshin Shën Pjetri.

Image

Që prej orëve të para të mëngjesit, ende pa gdhirë, të rinj e të moshuar, burra e gra, persona me aftësi të kufizuar, u mblodhën për të qenë të pranishëm në këtë ngjarje, duke sfiduar edhe temperaturat e larta dhe diellin e fortë. Sheshi ishte mbushur thuajse plot që rreth orës 8.30 me të ardhur jo vetëm nga Italia, por dhe nga shumë vende të tjera. Në fakt, Nënë Tereza, në ndryshim ndoshta nga shumë figura të tjera të shpallur gjithashtu shenjtorë, e kishte marrë këtë cilësim që kur ajo ishte gjallë, për shkak të angazhimit të fortë, jo vetëm në Indi, në mbështetje të njerëzve në nevojë, të varfërve dhe të sëmurëve. Ajo është një figurë e njohur në të gjithë botën. Eshtë pikërisht kjo arsyeja, që sot këtu në Vatikan nuk janë vetëm besimtarë katolikë, por njerëz që kanë parë te Nënë Tereza mëshirimin e dashurisë dhe të përkrahjes ndaj atyre që janë dhe më të pambrojtur. Janë me dhjetra e dhjetra personat me aftësi të kufizuara që kanë ardhur sot këtu në shesh. Për 1500 vetë, të varfër të cilët trajtohen në shtëpitë e misionareve të Nënë Terezës, e që sot kanë ardhur për të ndjekur ceremoninë e shenjtërimit të saj, Papa Françesku do të shtrojë një drekë me pica napolitane në një nga mjediset e Vatikanit. Një drekë e cila do të shërbehet nga mbi 200 misionare të Nënë Terezës

Të shumtë në numër dhe shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia por dhe shumë prej atyre që jetojnë në emigracion. Sot është shumë e lehtë të dëgjosh të flasin në gjuhën shqipe në sheshin Shën Pjetri, sikundër të dallosh shqiptarët nga flamujt me simbolet kombëtare që ata valëvisin apo mbajnë të hedhur krahëve.

Në ceremoninë e sotme ishin të pranishëm të paktën 13 kryetarë shtetesh dhe qeverish, ku gjithashtu të shumtë në numër ishin edhe ata të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova. Nga Tirana përveç autoriteteve më të larta shtetërore ndodheshin edhe drejtuesit e opozitës

Masat e sigurisë ishin të larta. Pati një prani të shtuar dhe të dukshme të forcave të Policisë por dhe të Ushtrisë italiane. Përveç 2 mijë forcave të angazhuara normalisht për shkak të Jubileut, sot u shtuan dhe së paku 1 mijë agjentë policie, pa folur më pas për forcat e zjarrfikëseve apo vullnetarë . Që prej dy ditësh janë angazhuar dhe specialistë të posaçëm për kontrolle antieksploziv në nënkalimet e nëndheshme apo dhe kanalizimet. Sot në të gjitha hyrjet dhe daljet nga sheshi Shën Pjetër ka patur kontrolle të rrepta të punonjësve të sigurisë, njësoj sikundër ndodh dhe nëpër aeroporte, aq sa nuk lejohet kalimi as me termuse të vegjël me lëngje të freskëta.

E gjithë zona këtu e Shën Pjetrit ishte ndarë në tre pjesë në formë rrathësh koncentrik, për të garantuar një mbulim sa më të mirë sheshit, i cili ishte zemra e aktivitetit. Po ashtu në kuadër të masave të sigurisë, që prej orës 8 të mëngjesit të sotëm ishte ndaluar çdo lloj fluturimi jo vetëm mbi Vatikan por dhe në një rreze më të gjerë mbi zonat përreth.

 

Image

 

Papa Françesku: Misioni i Nënë Terezës, dëshmi e afrimit të Zotit ndaj të varfërve

 

 Papa Françesku ka përmbyllur meshën e sotme të shenjtërimit të Nënë Terezë në Shën Tereza, duke kujtuar dhe lutur për të gjithë ata që punojnë për vëllezërit në vende të rrezikshme.

Ai ka kujtuar edhe murgeshat e vrara në vende të rrezikshme, si dhe ato që kanë pësuar dhunë, duke shpresuar që të përfundojnë vuajtjet për gjithë njerizimin.

***

Papa Françesku, pas shenjtërimit të Nënë Terezë, në fjalën drejtuar mijëra të pranishmëve ka thënë se kjo punëtore e palodhur e mëshirës na ndihmoftë që të kuptojmë që kriteri i vetëm i jetës është dashuria ndaj të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race apo religjioni.

Papa Françesku tha se Nënë Tereza është angazhuar në mbrojtjen e të braktisurve dhe jetës, duke shpallur pareshtur që kush nuk ka lindur akoma, është më i lig.

Angazhimet e saj, sipas tij, kanë bërë që zëri i saj të dëgjohet nga Zoti.

Sipas tij, misioni i saj në periferi të qytetit qëndron si dëshmi kuptimplote e afrimit të hyjit ndaj të varfërve .

”Sot ua dorëzoj këtë grua mbarë botës, kjo punëtore e palodhur e mëshirës na ndihmoftë që të kuptojmë që kriteri i vetëm i jetës është dashuria ndaj të gjithëve pa dallim gjuhe, kulture, race apo religjioni. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte, se ndoshta nuk flas gjuhën e tyre por mund të buzëqesh, të bartim buzëqeshjen e saj e të ua dhurojmë veçanërisht atyre që vuajnë dhe atyre që kanë nevojë për mirëkuptim e butësi”, tha ai.

*** 

Në një ceremoni të drejtuar nga Papa Françesku në bazilikën e Shën Pjetrit është shenjtëruar Nënë Tereza.

Ajo u shenjtërua 13 vite pas Lumturimit nga Papa Gjon Pali i II-të dhe 19 vjet pas vdekjes.

Në këtë ceremoni morrën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Ajo u bë e shenjtë pasiqë Papa Françesku njohu zyrtarisht dy mrekulli, që besohet se janë vepër e Nënë Terezës.

Në vitin 2008, u bë e ditur se ajo kishte shëruar një brazilian, i cili vuante nga disa tumore të trurit.

Murgesha shqiptare, e famshme në të gjithë botën mori shtetësinë indiane në vitin 1948. Ajo është themeluese e “Misionarëve të Bamirësisë” dhe ka punuar për të ndihmuar të varfrit dhe njerëzit e shkelur.

Nënë Tereza vdiq  më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë. Ajo ka lindur në Shkup më 26 gusht të vitit 1910. Në vitin 1979, Nënë Tereza u vlerësua me çmimin Nobel për Paqen.

Image

***

Papa Françesku duke lexuar formulën e shenjët në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza.

Kjo erdhi pas lituanive të shenjta që u bën në Vatikan.

* * * *

Papa Françesku tanimë është shfaqur para mbi 100 mijë besimtarëve, i cili pas pak do ta drejton meshën për shenjtërimin e Nënë Terezës.

Mesha po mbahet në Sheshin Shën Pietro në Vatikan për të marrë  pjesë në meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Kanë konfirmuar praninë e tyre mjaft delegacione qeveritare nga e gjithë bota.Ndërsa, rreth 600 gazetarë e 125 korrespondentë televiziv janë të akredituar për të ndjekur këtë event të rëndësishëm.

* * * *

Pas shenjtërimit të Nënë Terezës, 1 500 të varfër dhe persona në nevojë, të cilët vijnë kryesisht nga fjetoret e shtëpive të motrave të Nënë Terezës në Itali, do të drekojnë me papa Françeskun.

”Menyja do të ketë për bazë picën napolitane”, njoftoi monsinjor, Konrad  Krajewski.

Të ftuarit janë të varfër dhe persona në nevojë, të cilët vijnë nga gjithë Italia, nga Milanoja, Bolonja, Firence, Napoli dhe të gjitha shtëpitë e motrave të nënë Terezës në Romë.

Ata kanë udhëtuar përgjatë gjithë natës për të marrë pjesë në shenjtërim dhe më pas në drekë.

Dreka do të shërbehet nga 250 motra, 50 vëllezër dhe vullnetarë të tjerë.

Mesha drejtohet nga Papa Françesku

Ceremonia zyrtare e shenjtërimit të Nënës Terezë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, e cila do të drejtohet nga Papa Françesku.

Më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, gjegjësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, që ka ndodhur më 9 dhjetor 2008.

Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të humanistes shqiptare.


Ceremonia zyrtare e shenjtërimit të Nënës Terezë

Kur ishte gjallë, Nënë Tereza cilësohej si “një shenjtore e gjallë”, sot pas 19 vjetësh nga vdekja e saj merr zyrtarisht këtë titull gjatë ceremonisë në sheshin San Pietro në Vatikan.

“Do të jetë një gëzim i madh ta shikojmë shenjtore, e meriton”, janë fjalët e Papa Françeskut, në prag të ceremonisë së shenjtërimit.

Data 4 shtator do të shënohet në kalendarin Apostol si Dita e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës. Papa Françeksu firmosi në 15 mars 2016 dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës.  Papa Françesku miratoi në dhjetor të 2015 një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të Nënë Terezës me Perëndinë. Ndërsa në vititn 2008 Papa Françesku ka pranuar një mrekulli të dytë që i atribuohet Nënë Terezës atë  të shërimit të një mashkulli brazilian me tumor në kokë.

Nënë Tereza, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi  imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.

Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim rrace, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

Image

 

Bija e madhe shqiptare - Nënë Tereza sot e Shenjtë: Një jetë në shërbim të të varfërve

Nga dita e sotme – e diele, 4 shtator 2016 – Nënë Tereza do të thirret Shën Tereza, një titull ky i merituar për një shqiptare që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të të varfërve, jetimëve dhe të sëmurëve. 

Ndërkohë, prej të premtes në Vatikan ka hyrë në zbatim plani i sigurisë së lartë i hartuar nga Prefektura e Romës me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të humanistes shqiptare, ku janë parashikuar të marrin pjesë rreth 100 mijë besimtarë në meshën e Shenjtërimit të Nënës Tereze.

Praninë e kanë konfirmuar delegacione qeveritare nga e gjithë bota. Ndërsa, rreth 600 gazetarë e 125 korrespondentë televizivë janë të akredituar për të ndjekur këtë ngjarje të madhe.

Vatikani flet shqip, yjet shqiptarë këndojnë për Nënë Terezën

Ceremonia e Shenjtërimit të Nënës Tereze si dhe mesha e Festës së Shenjtores Terezë, do të transmetohet direkt nga qendra televizive e Vatikanit, si dhe nga 120 televizione të ndryshme në botë, përfshirë edhe televizionet nga Kosova dhe Shqipëria.

Gjithashtu, ceremonia mund të ndiqet me live stream në kanalin në YouTube te qendrës televizive të Vatikanit.

Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare (prindërit e lindur në Kosovën e sotme), në Shkup. Rrugëtimin si murgeshë e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë ku krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.

Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003.

Më 17.12. 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian, të sëmurë me tumor në tru.

Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit: e diele, 4 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat