Ymeri: Të zgjerohet hetimi edhe ndaj Thaçit e Veselit

Aktuale

Ymeri: Të zgjerohet hetimi edhe ndaj Thaçit e Veselit

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 10:44
Visar Ymeri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë në një konferencë për media nga selia e Vetëvendosjes, se është bërë mirë që kanë filluar hetimet kundër Adem Grabovcit, por ato duhet të zgjerohen edhe tek personazh të tjerë.

“Këtu kemi të bëjmë me një skemë të organizuar të krimit. Adem Grabovci është personi ekzekutiv, por jo drejtues i këtij grupi kriminal. Drejtues të këtij grupi kriminal janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe nëse nuk hetohen këta atëherë nuk është drejtësi e plotë”, ka thënë Ymeri.
Njëjtë është shprehur edhe kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Adem Grabovci ka punuar për të mbajtur këtë klasë politike në pushtet. Akuza duhet të zgjerohet dhe jo të mbetet vetëm të Grabovci”.

Edhe Ymeri edhe Ahmeti kanë thënë se është vetëm presioni qytetar ai që mund të bëjë trysninë e nevojshme për të shkuar deri në fund hetimet, ndaj kanë kërkuar nga qytetarët që të mos i ndalin protestat.

“I ftojmë qytetarët që ta mbajnë presionin lartë. Në asnjë mënyrë qytetarët nuk duhet të ndalin protestat dhe të qetësohen”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa udhëheqësi i Vetëvendosjes, Ymeri, ka kërkuar “të vazhdojë hetimi dhe të merën masat e duhura për njerëzit që janë të përfshirë në këto vepra kriminale”.

Prokuroria e Kosovës ka filluar hetimet kundër Adem Grabovcit pasi atij i janë publikuar biseda telefonike të përgjuara në vitin 2011 nga EULEX, ku dëgjohet tek përdorë pozitën e tij dhe ndikimin politik për të punësuar në organe shtetërore njerëz bazuar vetëm në përkatësinë e tyre politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat