Komisioni prezanton faktet e reja, Demarkacioni në përputhje me strategjitë zhvillimore të Pejës

Aktuale

Komisioni prezanton faktet e reja, Demarkacioni në përputhje me strategjitë zhvillimore të Pejës

Më: 15 gusht 2016 Në ora: 11:10
Ilustrim

Komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror ka dërguar një komunikatë me disa harta me anë të së cilave bëjnë të ditur se vija kufitare me Malin e Zi është në përputhje të plotë me Strategjitë Zhvillimore Lokale të Komunës së Pejës

“Vija administrative ndërmjet komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës dhe komunave Plavë, Beran e Rozhajë të Malit të Zi ishin dhe janë njëkohësisht vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në gjithë periudhën 1974-2015. Kjo vijë administrative ka ngelur e pandryshuar, e pranuar dhe të administruara nga kryetarët e Komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës. Asnjë plan zhvillimor e strategjik i  këtyre komunave nuk ka kaluar përtej vijës administrative të territorit të komunës. Në të gjitha dokumentet komunale si për vijën e kufirit dhe të sipërfaqes nuk ka ndryshim dhe nuk e kanë paraqitur as kryetarët e komunave të cekura më herët”, thuhet në komunikatë.

Komuna e Pejës, të gjitha planet zhvillimore dhe të tjera i ka të planifikuara vetëm brenda kufirit administrativ në 70 zonat kadastrale të saj. Sipërfaqja e Komunës se Pejës me të gjitha zonat kadastrale, shkruan në dokumentet e planeve zhvillimore dhe strategjike është  603 kilometra katrorë. Sipas komunikatës njëkohësisht, ky kufi i paraqitur në hartë  ishte kufi administrativ ndërmjet komunës së Pejës dhe komunës së Plavës e Rozhajës të Malit të Zi.

“Vija administrative Kosovë-Mal i Zi, tani kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi është identik me kufirin e shënuar nga komisioni shtetëror”.

Komuna e Pejës ka përgatitur planin zhvillimor të  quajtur “Strategjia Zhvillimore Lokale” në  Mars të  vitit  2009 nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës  Ali Berisha. Projekti ishte i mbështetur nga BE-ja si shihet edhe logo në vazhdim. Kopja e këtij dokumenti zyrtar është i deponuar edhe në BE.

Image
Logo

“Kryetari i Komunës se Pejës Ali Berisha në faqe 2, për Strategjinë e Zhvillimit Lokal i falënderon mbështetësit dhe ekspertët dhe këtë strategji e quan “...dokument të rëndësisë së veçantë” për Komunën e Pejës.

Aty Berisha citohet të ketë thënë   se “Në këtë kontekst kam kënaqësinë t`iu përgëzoj për punën që keni bërë në përgatitjen e, duke shfrytëzuar rastin këtu të falënderoj si mbështetjen financiare të Komisionit Evropian ashtu edhe implementuesin e këtij projekti, BDPA-në”.

Image
Komunikata e Komunës

“Edhe një herë, iu përgëzoj për përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësie të veçantë për Komunën e Pejës, i cili trason një rrugë me rëndësi por, njëkohësisht, shumë sfidues për Komunën e Pejës. Me këtë rast nga ana e ime dhe e stafit tim, zotohem se do të ekzistojë në vazhdimësi mbështetje institucionale për arritje të objektivave të kësaj strategjie”, citohet ish kryetari i Pejës Ali Berisha.

Deklarata e kryetarit të Komunës se Pejës është bashkëngjitur në vijim, së bashku me kopertinën e Strategjisë zhvillimore lokale e vitit 2009 Pejë.

“Harta zyrtare e Pejës e paraqitur në projektet e strategjive për zhvillim ekonomik si është  “Strategjia Zhvillimore Lokale” ka edhe kufirin e Komunës se Pejës, natyrisht kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi është pa asnjë ndryshim në periudhën 1974-1988-2008-2015”.

Image
Harta zyrtare e Pejës

Në komunikatën e Komisionit thuhet se në përpilimin e kësaj Strategjie për Zhvillim Lokal të Pejës ishin të angazhuar mbi 50 ekspertë nga stafi i Komunës se Pejës dhe të tjerë për qëllime të ndryshme profesionale.

Ky komision shtron pyetjen se a është e mundur që në vitin 2009, ish-kryetari, Berisha të jetë aq i entuziazmuar me strategjinë apo dokumentin e veçantë, dhe me mbi 50 ekspertë të angazhuar dhe fare nuk e kishte në strategji Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën?

“Prapë shtrohet pyetja, a thua gjithë këta ekspertë lokal dhe dy  ish kryetarët e Komunës së Pejës, Ali Lajçi dhe Ali Berisha që i përpiluan dhe i aprovuan dokumentet zyrtare e strategjitë zhvillimore të  Komunës se Pejës, të cilët i quajtën ‘..dokument të rëndësisë së veçantë’, pse e lanë jashtë dhe nuk parapanë që ta zhvillojnë Bjelluhen, Çakorin  dhe Kullën”.

“Komuna e Pejës në fund të vitit 2009, kishte filluar zbatimin e një projekti digjital të quajtur GIS kabineti. Në këtë web faqe paraqitet edhe harta e Komunës se Pejës me të gjitha 70 zonat kadastrale. Kjo hartë e web–GIS  të Pejës e ka të njëjtën vijë të kufirit nga viti 1974-1988-2008-2015”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës kjo nënkupton se vija përkufizuese e Komunës se Pejës, Kosovës me Malin e Zi, është e njëjtë me atë që është shënuar nga Komisioni shtetëror.  

“Ndoshta edhe ish kryetari  Ali Berisha, sikurse ish paraardhësi i tij Ali Lajçi  e kanë lënë që Bjelluhen, Çakorin  dhe Kullën ta vendosin në strategjinë e radhës pas viti 2025 sikurse të plani zhvillimor 2006-2025”.

Image
Plani zhvillimor

Sipas komunikatës së Komisionit,  kjo tregon, se  ish kryetarët e Komunës së Pejës,  Lajçi,  Berisha dhe kryetari aktual Gazmend Muhaxheri e kanë të qartë se kanë administruar e qeverisur me Komunën e Pejës me sipërfaqe 603km2  me 70 zona kadastrale.“Duke e ditur se janë të regjistruara pronat private, shtetërore, publike, fetare, atëherë Komuna e Pejës nuk përfshin territor tjetër.

Mos të krijohet huti sepse ligjërisht është e  ditur që nuk ka territor shtetëror jashtë komunave sepse territorin e Kosovës e përbëjnë 38 komuna me zonat e tyre kadastrale”. Komisioni shtetëror ka punuar me përpikëri dhe në bazë të dokumentacionit zyrtar për vijën kufitare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Malit të Zi të periudhës 1974-1988-2008-2015. Me këtë konfirmohet se Komisioni shtetëror nuk ka lënë asnjë metër katror jashtë territorit të Komunës se Pejës që ajo e kishte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat