Hoxha: Qeveria të koordinohet me aleatët, veprime të tilla mund të kenë pasoja

Aktuale

Hoxha: Qeveria të koordinohet me aleatët, veprime të tilla mund të kenë pasoja

Më: 21 maj 2024 Në ora: 23:42
Valdet Hoxha

Ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha ka thënë se reagimet e ndërkombëtarëve për aksionin e djeshëm të Policisë në veri të vendit ishin të vrazhda.

Ai tha gjatë kësaj kohe Qeveria duhet pasur kujdes me veprime, pasi siç tha ai mund të perceptohen si të njëanshme, ashtu edhe siç u quajtën.

Tutje, Hoxha tha se këto veprime edhe mund të kenë pasoja.

“Në kuptim të ngushtë është gjithçka brenda rregullave kushtetuese e ligjore dhe askush nuk po e  konteston. Por, reagimet e ndërkombëtarëve ishin të vrazhda në kuptim të moskoordinimit. Bëhet fjalë për ata partnerë nga të cilët ne po kërkojmë ndihmë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare gjithandej siç ishte rasti i fundit në Këshillin e Evropës. Prandaj kjo është peshorja që Qeveria duhet  matur përkundër të drejtës së saj ligjore…duhet që veprimet sidomos në këtë kohë të jenë veprime strategjike- në të kundërtën ka rrezik të perceptohen siç edhe u perceptuan si veprime të njëanshme. Pra, fatkeqësisht mund të këtë edhe pasoja p.sh për anëtarësimin e mundshëm të një datë të mëvonshme në KiE”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Polica të hënën ka kryer një operacion ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë (mbi 600.000 euro), rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat