Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se është duke vazhduar aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura për degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit.
Pas një inspektimi të kryer nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është konstatuar se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, ambienti po degradohet për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.
“Prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, është bërë e ditur se është urdhëruar sekuestrimi i një kamioni transportues, tre ekskavatorëve dhe një seperacioni me të gjitha pajisjet përcjellëse të përdorura në kryerjen e veprës penale.
Prokuroria thotë se aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura në aktivitete e paligjshme do të vazhdojë deri në kapjen e të gjitha mjeteve dhe personave përgjegjës.